Petrit Zeneli / Shënime udhëtimi: “O, me kë vajte në Janinë…?!”
Petrit F. Zeneli
Nuk është pyetje kjo, por vargu i një kënge të vjetër leskoviqare, që më ushtoi në vesh, sapo lash pas Doganën e Kapshticës dhe mora vërtet rrugën për Janinë…
Kuptohet, jo “bashkë me arabaxhinë… dhe atje më zunë pusinë…”, siç thotë kënga perlë e të pavdekshmit Mentor Xhemali, që të robëron shpirtin me kumbimin e ëmbël e vajtues njëherësh, por me “vaturën” e djalit tim.
Sa shkel në tokën helene, dhe nuk është hera e parë, pavarësisht politikës dhe plagëve të thella historike mes nesh, që në kohë fushatash trazojnë dynjanë në të dy anët, shpreh respekt për atë ç’ka ky vend ka arritur të bëjë për qytetarët e saj, për rrugët, rregullin, pastërtinë, gjelbërimin, fshatra e qytete të bukura e të sistemuara, mbi të gjitha për atë çka i ka dhënë kulturës botërore.
Vija direkt nga festa e përvitshme e Panaritit të Vakëfeve dhe ende përjetoja emocionet e fuqishme të asaj pjesmarrje të jashtëzakonshme. Përjetoja natën magjike që kaluam bashkë, si një familje e madhe, motra e vëllezër, por dhe miq të krahinave përreth.
Vakëfet…, dobësia ime…, dhimbja ime…, krenaria ime…, me Panaritin rrënjë, dashuri e kryefjalë, që më ngazëllen kudo, edhe kur përqafova Korçën e shtrenjtë kalimthi, me arkitektë, kapedanë e dijetarë panaritas në gji të saj, çuditërisht, edhe këtu jashtë kufirit, përsëri më del përpara ti…famëmadhi Panarit!
E ndërsa makina s’ndihej fare kur rrëshqiste në autostradën e përsosur, diku tabela sinjalizon Selanikun majtas e Janinën djathtas.
– Po, Selanik, – thashë me vete, – ta dish, po të them vetëm një të mijtën e historisë, se kam fjalën për shprehjen “Selanik e tatëpjetë, siç ka qenë e do të jetë”…
…Por aty pranë teje, në Malin e Shenjtë (Ogjion Oros) Gjergj Sotir Panariti (1870-1938), klerik, piktor, gazetar, publicist, ikonograf, fotograf i talentuar, shqiptar i madh, kreu aktivitetin e tij në manastiret e tua të famshme, ku mes të tjerash (në fshehtësi) realizoi pikturën e papërsëritshme të heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu (bardh e zi), e cila ndodhet e ekspozuar krenare në Muzeun e Krujës.
Vijojmë djathtas, drejt Janinës, përmes 25 tuneleve të famshme, dhe instiktivisht bëlbëzoj vargjet e këngës që më kanë mbetur në kujtesë që nga fëmijëria, të cilën mamaja ime e këndonte dhe kërcente nëpër dasma, aq bukur, aq ëmbël dhe aq e intonuar sa dasmorët mahniteshin…
Valvitej shamia në ajër dhe Janina thuajse vinte brenda në odat e mbushura plot gra e vajza, të cilat s’i gëzoheshin dot çupës që pati atë fat, dhe porosive prindërore për t’i nderuar në miqtë e Janinës.
Në Përmet, Leskovik, Kolonjë, Vakëfe e Korçë, në pajat e grave të qëmotshme gjeje veshje nga më të bukurat, blerë me valutë në Janinë. Ato bluza e fustane të mëndafshta s’ngopeshe t’i shihje, pale më ti vishnje, dhe kënga vazhdon:
“O me kë vajte moj në Janinë, natën moj, ditën moj,/vetëm me moj vaturaxhinë, natën moj, ditën moj,/O ti moj çupa avokate /do më vesh në ato palate /O ti moj çupa e di vetë /Se si priten të mëdhenjtë /Me pirunj e me pecetë…
Oh, sa shumë këngë popullore të vjetra ka tek ne me tekste që lidhen me Janinën, dëshmi kjo e lidhjeve të forta të këtij qyteti me famë, me viset e Shqipërisë Jugore e Juglindore, lidhje etnike, historike, ekonomike, tregtare, arsimore e kulturore.
Në thelb ato kanë ruajtur e përcjellë ndër breza historinë tonë me figura të shquara, ngjarje, gëzime e hidhërime. Ato u kushtoheshin dhe dashurisë, si në rastin e Vasiliqisë së famshme të Ali Pashë Tepelenës:
“…Cile ku ma hëngre drekën- ë, /Në Leskovik-o, të shkretën-ë /Cile ku ma hëngre darken-ë /Në Janinë-o me Ali Pashën-ë..”/Cile, moj Vasiliqi, të mbrrinë me suvari… etj.
Por edhe betejave tragjike si: “Janinës çi panë sytë,/ ish e premte ajo ditë./Te pesë puset në grykë/Zenel Çelua vet i dytë….”
E, nën emocionet e këtyre perlave në mendje, si pa e kuptuar, gjendemi në hyrje të Janinës.
Ndryshe nga imazhi i bukur që të krijohet në kokë nga përmbajta e vargjeve, befasim! Një hyrje aspak mbresëlënëse, mëse e zakonshme…!
Gjithësesi, ky zhgënjim nuk zgjati shumë, derisa u përballëm me Kështjellën madhështore, rrethuar nga pedonale e shëtitore që të imponojnë respekt.
– Janinë e shtrenjtë…ç’gjëmë na bëre ti Europë më 1913-ën…, na coptove mizorisht, që ta gëlltisë s’ka perëndi, dhe ne prapë thërresim me dy gishtat përpjetë, do bëhemi si ti! Sa e koklavitur historia jonë, me pro e kundra ekstreme, aq sa nuk ka kërhër që ta krehë! Por unë do e anashkaloj këtu, sepse s’është vendi.
Veçse marr guximin t’i sugjeroj shtetit tim që të ngrejë në kryeqytet një memorial gjigant, në përkujtim të padrejtësisë më të madhe që i është bërë kombit shqiptar në shekuj, vitit 1913, të cilin të vinë ta shohin europianët e të turprohen, sa herë hyjnë e dalin në këtë vend!
Sodis Kalanë jashtë e brenda dhe befasohem nga bukuria, pastërtia, shtëpitë e vjetra restauruar këndshëm, ruajtjen e pacënuar të periudhave historike (romake, bizantine, osmane), identifikimin e kujdesshëm, bile më të kujdesshëm seç duhet, për të mos përmendur me shkrim asgjë shqiptare.
Natyrisht, kjo s’më ndaloi dot të “takoja” dy luanët e Shqipërisë, mizorin që luftoi kundër mizorisë, Ali Pashë Tepelenën me “shtatë zemra”, siç thotë një këngë kosovare, dhe Panaritasin e shquar Iljaz Bej Mirahori, i cili në vitin 1484 ishte zot i asaj kështjelle, si Vali i Janinës, dhe kishte lënë aq gjurmë të thella, sa s’kishin arritur t’i fshihnin mbi pesë shekuj.
Për koincidencë, Vilajeti i Janinës përfshinte edhe Grabockën e Panaritin, si pjesë e kazasë së Përmetit e Sanxhakut të Vlorës. Siç e shihni, përsëri Panariti, emrin e të cilit e has dhe në jugë të Greqisë, me fshatrat që mbajnë emrin e tij, edhe në malet e Pindit, ku shtegëtonin blegtorët panaritas e në kthim i vunë emrin lagjes së tyre, Pinderas.
Natyrisht, s’mund të largohem nga ky qytet i lashtë, ndërtuar që në vitin 539 nga perandori Justinian, dhe rindërtuar nga Ali Pashë Tepelena në vitin 1815 (ndër kalatë e pakta në Greqi që vazhdon të banohet deri më sot), pa kujtuar e nderuar gjithë ato figura të ndritura të kombit tonë që kanë kryer aktivitet aty, heronj, dëshmorë, tregtarë e njerëz të thjeshtë.
Përulje para gjimnazit Zosimea, fondacioni i parë i rëndësishëm arsimor, i krijuar më 1828, financuar nga vëllezërit Zosima, një shkollë e Arteve Liberale (greqisht, filozofi dhe gjuhë të huaj), ku kanë studjuar shumë rilindas e dijetarë të shquar.
Panaritas ishte edhe figura emblematike, Jonuz Baliko, i pari vakëflli që bleu makinë më 1922, pas kthimit nga Amerika, dhe bënte tregëtinë e rakisë e të verës në Janinë.
Udhëtimin do e vazhdoja përmes bukuroshes Çamëri, në Pargë, Igumenicë dhe plazhet e Sivotasë, Perdika (Karavostasi), Sarakiniko etj, që me nurin e tyre kaltërosh të çlodhin e zbusin shpirtin.
Kur mendon historinë e kësaj krahine martire, shpopullimin, masakrat, shpërnguljet etj, s’arrin t’i besosh dot! Kur shikon shtëpi të braktisura, mbuluar nga ferrat që qajnë për të zotin e privuar dekadash, drithërohesh! Kur shikon se aty përveç rrugëve (të mira për hir të së vërtetës) asnjë investim strategjik nuk sheh, ligështohesh!
Edhe në Çamëri më del përpara ti Panarit, që, më 1914, sikurse vëllezërit e tu, pate të njëjtin fat tragjik, nga e njëjta dorë! Është histori, në fund të fundit, që nuk ç’bëhet, përveçse nxirren mësime të mbizotërojë paqia dhe harmonia mes nesh.
Ndjenjat nacionaliste ekstreme duhet të fashiten, edhe facebook-u mund të luajë rol pozitiv në këtë drejtim, larg megalomanisë kush është “më plaku”. Ne u strehuam në disa familje greke gjatë këtyre ditëve, dhe kudo ndjemë respektin e mirësinë e tyre, si në shtëpinë tonë.
Popujt janë të mirë kudo!