Shkrimtari humorist 93-vjeçar, Gaqo Veshi  (Hyskë Borobojka) rrëfen vitet e tij të rinisë në Skrapar   

Shkrimtari humorist 93-vjeçar, Gaqo Veshi  (Hyskë Borobojka) rrëfen vitet e tij të rinisë në Skrapar   

 Letër e oparakut Hyskë Borobojka (Gaqo Veshi), drejtuar mikut të tij, skrapalliut Zylyftar Hoxha, ku rrëfehen disa kujtime mbresëlënëse, kur ai ka punuar mësonjës në rrethin e Skraparit dhe si gazetar i revistës “Hosteni”

 

 

I shumëdashuri Zylyftar!

 

 

Po të shkruaj disa nga kujtimet e mia për kohën që kam punuar në këtë krahinë të veçantë, banorët e të cilës më kanë pritur me derë të hapur.

 

 

E quaj veten skraparlli me rrënjë për disa arsye. E para sepse jam nga e njëjta zonë, nga Lavdari i Oparit të Korçës, në rrëzën lindore të Ostrovicës, ndërsa një vrap pele më tutje, në pjesën tjetër, perëndimore, të të njëjtit mal, Ostrovicës, ndodhet Skrapari, Faqekuqi. Na  ndan Qafa e Veshit dhe Qafa e Beçit.

 

 

Pleqtë tanë bënin në shumë me anën e Skraparit, kryesisht me zonën e Potomit, Backës, Kapinovë. Vinin te njëri-tjetri jo vetëm se i zinte rruga tanë shkonin për dimërim në Myzeqe dhe ata tuajët për Pazar në Korçë, por kjo miqësi ishte shtrirë edhe deri në sebepe familjare, në dasma, gëzime dhe vakira.

 

 

Kur afijet e Mbretit Zog vranë patriotin e madh, Muço Kapinovën, tre burra oparakë, duke mos përfillur rrezikun, kapërcyen Qafën e Beçit dhe vajtën në fshatin tij për të axhetisur familjen e tij. Kur patrioti Memet Dushari hapi shkollën private në shtëpinë e tij, veç djemëve oparakë kishte edhe djem nga Skrapari.

 

 

 

Në fshatin tim, në Lavdar, që ishte qëndra e krahinës, shërbeu disa vjet më radhë kryetar i Komunes të Oparit, Hysen bej Zaloshnja. Ai solli në Lavdar edhe familjen, gruan, tre djemtë dhe vajzën që u bë shoqe e pandarë e fshatit tim.

 

 

 

Në prill të vitit 1942, babai im kur pokthehej nga Myzeqeja me dhentë, takohet në Teqen e Skraparit dhe u tregon si kishin filluar grabitjet, vjedhjet në fshatrat e Oparit. Për këtë e fton çetën në Opar. Çeta erdhi në fillim të majit të po atij viti në Lavdar. Për të mos rënë në sy të xhandarmarisë shqiptare dhe karabinierisë italiane, qëndroi rrëzë pyllit, te Lisi i Xhako Dhimës, ndërsa komandanti i saj, Mestan Ujaniku, komisari Gjin Marku, Ramis Aranitasi, Gjeli Argjiri, Nasi Vithkuqi dhe Minella Bulka erdhë në shtëpinë tonë. Në dhomën e pritjes ishin partizanët e çetës, ndërsa poshtë në dyqan pinin verë karabinerët fashistë. Të nesëmen im atë i shoqëroi në disa familje patriotësh oparakë.

 

 

 

Veç kësaj, i shumënderuari Zylyftar, oparakët kishin shumë miqësi me skraparlinjtë, në Kapinovë, Leshnjë, Krushovë, Faqekuq e në të tjera fshatra.

 

 

Shkrimtari Moisi Zaloshnja ishte nip në Moglicën e Oparit, ndërsa baritoni i Teatrit të Operës, Ylber Gjini ishte nip në Dobrenj të Skraparit e mjaft shëmbuj të tjera.

 

 

 

Të gjitha këto, i shtrenjti Zylyftar, bënë që ta prisja mirë emërimin tim në rrethin tënd të Skraparit.

 

 

***

 

Në gusht të vitit 1952 kapërceva Qafën e Beçit dhe arrita në Krushovë, ku një nga miqtë e familjes tonë me mushkë më çoi në Qafë, që andej në Vëseshtë e deri ku dukej.

 

 

Kjo qëndër rrethi në atë kohë dukej si një lagje fshati. Kishte një ndërtesë dy katëshe me mure guri, që ishte Komiteti Ekzekutiv. Ishin dhe dy ndërtesa me tulla, njëra ishte selia e Komitetit të Partisë dhe tjetra e Degës të Punëve të Brëndëshme. Poshtë tyre, një hotel jo shumë të këndëshme si dhe disa shtëpi njëkatshe. Ishte dhe një barakë, që shërbente si klub si dhe një si plevicë si restorant. Te bishti i urës të Guakut, një Tokli nga Berati kishte goditur një si barakë, ku tregtonte rroba të përdorura.

 

 

Lidhjen me Beratin e bënte një kamion i zbuluar që çdo të hënë bënte udhëtimin nga Berati në Çorovodë në një rrugë të ngushtë, ku nuk shkëmbeheshin dy makina.

 

 

 

Në një vend të dukshëm ishte varur një tabelë, që tregonte shkollat shtatëvjeare të rrethit. Një shkollë e plotë, klasë e pestë, e gjashtë dhe e shtatëishte në Backë. Një konvikt me klasa, të pestë e të gjashtë në Çorovodë, një tjetër, po me klasë të pestë e të gjashtë në Gjerbës, si dhe një me klasa të pestë në Çepan.

 

 

 

Si kalova një natë të trishtuar në hotelin e amotizuar, të nesërmen në mëngjes u paraqita në seksionin e arsimit, ku inspektori Avdulla Badronja më tha se unë isha dërguar në Skrapar si mësues i gjuhës ruse. Mbeta i mahnitur, pasi s’merrja vesh fare nga kjo gjuhë, Inspektori (pasi shefi ishte trasferuar) më foli me fjalë më të mira për Skraparin. I thashë se dua të shërbej në shkollën më të largët të rrethit, në Backë. Ai e përkrau kërkesën time dhe që atë ditë, i shoqëruar nga një mësues vendas, pas një udhëtimi të gjatë e të lodhëshëm arritëm në vend.

 

 

 

Shkolla, që quhej shkolla shtatëvjeçare e Backës, kishte adaptuar ish-dyqanët e teqesë.  Atë e frekuentonin nxënës nga Backa, Staravecka, Potomi dhe Helmësi. Mësonjës të saj ishim katër: Veis Karagjozi nga Gjirokastra, Sotiraq Gjergo e Flamur Nallbani nga Berati dhe unë nga rrethi i Korçës. Të katër ne mësuesit na strehuan në shtëpinë e Shyqyri Sinanit në Staraveckë, në një dhomë në shtëpinë dykatëshe.

 

 

Shtëpia e Shyqyriut ishte nga më të mirat në fshat, ashtu si ishte dhe i zoti i saj. Ai u bë vëllai i madh për ne. Jo sikur ishim katër mësues jabanxhij, por na donte ashtu siç donte dy fëmijtë e tij, Minen dhe Hekuranin, që vazdonin klasën e gjashtë të shkollës shtatëvjeçare. Pas dy muajsh Veis Karagjozi shkoi ushtar dhe në vend të tij erdhi Tokli Salepi nga Berati.

 

 

 

Duke qënë se unë drejtoja rrethin metodik për shkollat e lokalitetit të Potomit, i kisha vizituar të gjitha shkollat fillore të lokalitetit, duke filluar nga Faqekuqi, Krushova, Kapinova, Turbuhova, Vlusha, Leshnja, Gostëncka, Gjergjova, Nikollara, Koprëncka, si dhe të fshatrave që furnizonin shkollën shtatëvjeçare të Backës. Por ajo që më la mbresa, ishte shkolla fillore e Qafës, me mësues Memet Qafën.

 

 

Bashkë me inspektorin Fot Nikolla nga Elbasani, pasi kishim inspektuar disa shkolla, radha i erdhi shkollës së Qafës. Aty mësues me katër klasa kolektive ishte Mehmet Veizaj. Kishte qenë nëpunës në Ministrinë e Ekonomisë në kohën e Zogut në Tiranë, pastaj po nëpunës në Berat e më në fund, nuk e di për çfarë arsye e kishin sjellë familjarisht në fshatin e tij, në Qafë.

 

Pasi pashë se të gjithë nxënësit kishin një kaligrafi të bukur si mësuesi  i tyre, i thashë Fotit:

 

-Më lerë t’ia bëj unë akt-kondrollin.

 

 

Foti ishte dakord dhe unë i shkova: “Bashkë me Fot Nikollën kontrolluam shkollën fillore të Qafës dhe gjetëm 42 Memetë të vegjël”, pasi çuditërisht ata bënin një shkrim shumë të bukur si mësuesi i tyre, që ish njësh për kaligrafi.

 

 

Në shkollën shtatëvjeçare të Backës, veç mësimdhënies gjuhë-letërsi, me nxënësit krijova edhe një grup teatral, ku merrnin pjesë Haki Sinani, Liri Sulajmanasi e të tjerë, me qënë se atë vit bëhej një olimpiadë teatrale ndërmjet shkollave shtatvjeçare. Festivali bëhej në konviktin e Çorrovodës, grupi i shkollës së Backës mori çmimin e parë.

 

 

Kjo bëri, i shumënderuari Zylyfar, që për vitin shkollor 1953-1955 të më trasferonin në Çorovodë. Përgjegjes apo kujdestar i konviktit. Në këtë konvikt nuk kishte vetëm djem nga rrethi i Skraparit, por edhe nga rrethi i Kolonjës e nga Dangëllija e Përmetit. Veç punës në konvit, jepa mësim edhe për nëpunësit e Komitet Ekzekutiv e të Komitetit të Partisë. Ishte  dhe vetë kryetari i Komitetit Ekzekutiv dhe sekretari i Parë i Partisë që vazhdonin klasën e gjashtë të mbrëmjes. Madje shefi i seksionit të financës ndiqte klasën e parë!…

 

 

Ne, mësuesit e atij viti, Parashqevi Salepi, Abas Numani, Emir Qafa, Fot Nikolli, që në atë vit ishte emëruar drejtor i shkollës shtatvjeçare “Ramis Aranitasi”, na trajtonin si “profesorë të mëdhej”.

 

 

Edhe në Çorovodë u mora me aktivitet artistik, teatër dhe estradë. Me nxënësit e konviktit vura në skenë dramën me një akt “Biri i Regjimentit”, ku merrnin pjesë koviktorët  Novrus Gërxhani, Iljas Kapxhiu, Kalo Gjoka, Abedin Shameti, Fatmira Methoxha, Rukije Zaini, Shegë Gjoni e të tjerë. Po kështu dhe një çfaqje tjetër, ku  merrja pjesa unë, dy mësueset, Athina Bushi e Veprore Grepcka, infermjerja Selvi (s’më kujtohet mbiemri) si dhe nja dy nxënes më të rritur.

 

 

Me qënë se ate vit bëhej olimpiada teatrale në bazë qarku, në Berat, edhe rrethi ynë u paraqit me d ypjesë, njëra me nxënsit e konvitit dhe tjetra me amatorët. Sa arritëm në Berat zumë vend në një hotel, që mbante njëemër të madh “Kolombo”. Çfaqjet u zhvilluan në sallën ku në nëntor të vitit1944 kishte zhvilluar punimet “Konferenca e Beratit”. Edhe pse rrethi i Skraparit u paraqit për herë të parë, la përshtypje të mira.

 

 

Veç grupit artistik të konviktit, me ardhjen e mësueses Tefta Mborja krijova një grup estrade, ku përveç meje e Teftës, merrte pjesë inspektori i arsimit, Avdulla Badronja e nja dy a tre nënpunësa të tjerë.

 

 

Me grupin e konviktit dhe me një mikro estrade që krijova me ardhjen e mësues Tefta Mborja dhe me dy tre nëpunës të rrethit, humorin e Berber Shevqetit e shfrytëzoja për skeçe për grupin e konviktit e të estradës, duke dhënë çfaqje, jo vetëm në Çorovodë, por edhe në fshatrat per rreth, si në Gradecin e Iliazit, në Radësh, Vërseshtë, Sharovë, Munushtir e tjera. Madje kemi shkuar edhe në Malind e në Prishtë, ku na ftoi në teqe Gjysh Iljazi, që në atë kohë ishte deputet ne Kuvendin Popullor.

 

 

Në fillim të qershorit të vitit 1955 mora vesh nga vetë kryetari i Komitetit, i paharruari Hetem Bakiasi se isha transferuar inspektor arsimi në rrethin tim të Vithkuqit të qarkut të Korçës.

 

 

 

Edhe pse shkoja pranë familjes, i nderuari Zylyftar, më erdhi keq, që po largohesha nga nxënësit e njerëzit aq të mirë të Skraparit. Atë mëngjes, me një valixhe druri në dorë po ulesha drejt qendrës së qytetit të Çorovodës. Kur vij tek kodërza e Varrezave të Dëshmorëve, disa punëtorë të pyjores po e vishnin kodrën me pisha. I përshëndeta ata dhe, meqënëse kisha kohë, iu luta që të mbillja një pishë në shenjë kujtimi. Ata, të prekur nga kjo, më zgjodhën një vend të bukur, të dukshëm dhe një pishë të vogël, por të shëndetëshme. Pasi hodha lopatëne fundit të dheut, i porosita të kujdeseshin për të. “Kur të thahen të gjitha, e fundit do të jetë jotja”, më tha një punëtor nga Mollasi që e njihja mirë.

 

 

 

Mbase do më pysesh si shkoi jeta dhe puna ime. Të them që, si “rebel” që jam, i provova të gjitha: ispektor arsimi, drejtor shkolle, mësues gjuhe dhe kur botova “Ditari i inspektor Zylalit” në gazetën “Mësuesi” dhe “Adashi im i bije Borisë” në revistën “Ylli”, më çuan për “riedukim” në komunale. Pastaj përsëri mësues, drejtor pallati kulture në Maliq dhe së fundi redaktor në revistën “Hosteni”. Si më thoshte miku im, i madhi Dritëro: “Adashi të çoi për “riedukim”, “Adashi” të solli ne Tiranë”!… Se vërtet erdha në Tiranë nga miku im i vjetër i shkollës së mesme, Dritero Agolli.

 

 

Sa zura karriken e redaktorit, natyrisht që shërbimin e parë e bëra në rrethin e Skraparit. Tani ishte ndryshe, edhe pse rruga ishte disi e ngushtë, ishte  e asfaltuar. Nga Berati për në Çorovodë nuk shkonte vetëm ditën e hënë një kamion i zbuluar, por disa autobusë. Sa zbita nga autobusi në sheshin përpara klubit “Sorkadhja” nxitova të zija vend në hotel, kur nga lart zbriti zemërfloriri Iljas Kapxhiu:

 

-Profesor… kemi shtëpi!

 

Më përqafoi me mall, më zuri për krahu e më ngjiti në rrugën e asfaltuar drejt shtëpisë së tij në krye të qytetit. Duke u ngitur lartë, u ktheva te “pisha ime”. Ishte rritur dhe kishte marrë formë të bukur. Pastaj shuam te shtëpia e Iljazit, ku u njoha me gruan e tij, të mirën Ferruze, me fëmijtë e tij të mrekullueshëm, vajzat, Silva dhe Blerta dhe djalin Memlin

 

 

Nxënësit që i kisha lënë mxënës në klasën e gjashtë e të shtatë të koviktit e të shkollës “Ramis Aranitas” kishin mbaruar shkollën e mesme  e të lartë e ishin kuadro të rrethit. Isa Meta, kirurg me duar të arta, shërbente në spitalin e qytetit; Abedin Shameti, shef arsimi në Komitetin erkzekutiv; Kalo Gjoka oficer; Novrus Gërxhani mjek; Haki Sinani, përgjës sektori në komunale; Iljas Ksapxhiu, mësues e futbollist i skuadres “5 Shtatori”; Muharrem Bazja, futbollist e trainier i skuadrës.

 

Çorovoda, i dashur Zylyftar, nuk ishte ajo që kisha njohur 18 vjet më parë. Tani ishte një qytezë e bukur, me pallate e banesa të bukura, me rrugë të shtruara bukur e të asfaltuara, me dyqane tregtare e klube të lezeçme, me vila, me pallatin e kulturës “Riza Cërrova”, me sheshe e lulishte. Një javë që ndenja në këtë perlë të natyrës, isha kryemik i ish-nxënësve të mi. Dhe jam njohur edhe me ty, kur drejtoje gazeten e rrethit, “Jehona e Skraparit”.

 

 

Me rrethin tuaj kam qënë i lidhur, sidomos me ish nxënësit e mi të vitit 1952-1955, aq sa kur shkoja me shërbim nga revista në rrethin e Lushnjes dhe të Beratit e planifikoja që diten e diel ta kaloja me miqte e mij ish nxënës në Çorovodë.

 

 

Unë kam qenë i lidhur me Skraparin në gëzime, kam qenë me gruan, vajzën, djalin dhe vazhdoja të isha i lidhur me të. Sa herë në redaksi vinin gazetat lokale, para se te lexoja gazeten “Perpara” të rrethit tim, lexoja radhe pas radhë gazetën tënde “Jehona e Skraparit”, i dashur Zylyftar.

 

 

Edhe pseudonimi im, Hyskë Borobojka, origjinën e ka nga Skrapari: Në fshatin tonë, ndërmjet disa skraparllinjve që punonin, ishin edhe dy nga Gjokovica. Njëri ruante lopët e fshatit dhe tjetri ishte pojak. Bariu i lopëve thoshte shpesh: “Sance, mor xhan, mor babaxhan…ay Hyska ruan shesh më shesh e breg me breg”.

 

 

Të dy këto pseudonime unë i kam përdorur. Edhe Hyske Borobojka…edhe Kamber Gjokovica.

 

 

 

Dhe tani po i jap fund letrës time, i dashur Zylyftar. Kam vite pa shkuar Skrapar. Edhe të dua, nuk shkoj dot, jam 91 vjeç, por mendja më vete atje, te ai vend, te ata njerëz, te ajo pisha që kam vënë me duart e mia dhe që mbushet me zogj kujtimesh.

 

 

Me dashuri e respekt!

 

Gaqo Veshi alias Hyskë Borobojka apo anasjelltas

 

 

 

 

 

Jeta dhe Vepra

 

Gaqo Veshi, me pseudonim letraro-humoristik, Hyskë Borobojka, që më shumë se një pseudonim, ka shërbyer për të si një emër i dytë, më i njohur dhe më identifikues se i pari, është një ndër shkrimtarët humoristë nga më të spikaturit të viteve 1960 e deri sot, që, edhe pse 93 vjeç, vazhdon të shkruajë, siç është edhe letra e mëposhtme që është shkruar dy ditë më parë.

 

 

Ka lindur më 25 tetor 1930 në Lavdar të Oparit, rrethi i Korçës. Nga viti 1948 deri në vitin 1952 ka kryer shkollën e mesme “Asim Zeneli” në Gjirokatër bashkë me Dritëro Agollin dhe Ismail Kadarenë.

 

 

Gaqo Veshi mbahet mend si gazetari më me popullaritet, me karrierën më të sukseseshme dhe më të gjatë, prej më shumë se 20 vjetësh, nga viti 1970 e derisa ajo u mbyll në vitin 1991, në revistën humoristike “Hosteni” që dilte në periudhën komuniste.

 

 

Por Gaqo Veshi mbahet mend edhe për korrespondencën më të gjatë, prej më shumë se 15 vjetësh, me mikun e tij të shkollës së mesme në Gjirokastër (miqësi qëmë pas zgjati gjithë jetën) me Dritero Agollin, që botohej në çdo numër të revistës “Hosteni” me pseudonimet: Gaqoja – Hyskë Borobojka dhe Driteroi – Bamkë Çomanga.

 

 

Ka shkruajtur mbi 15 libra humori. Edhe pas rënies së sistemeve ka botuar dhe vazhdon të botojë rrëfime, fejtone, skica humoristike, intervista, reportazhe në shtypin aktual.