“Shoku”… apo “Zoti”?! …Dy “halle” historikë në dy kohë të ndryshme

“Shoku”… apo “Zoti”?! …Dy “halle” historikë në dy kohë të ndryshme

Zylyftar Hoxha

 

Profesori i njohur i matematikës, i dalluar edhe si veprimtar shoqëror dhe shumë aktiv në rrjetet sociale, Hysen Binjaku, kishte postuar sot një esse nga libri i tij “Nuk mund të Heshtja”, të shkruar që në gusht të vitit 1991, 31 vjet më parë.

 

Ja, esse-ja:

 

Shoku”… apo “Zoti”?! …

 

“Më tregonte  këto ditë, një shoku im, se sa “ngusht” ishte ndodhur në një nga zyrat e Komitetit  Ekzekutiv.

 

Hyra, më thotë ai, dhe para syve më del një zyrtar që nuk e kisha njohur më parë. Mbeta keq! Si t’i drejtohesha?!

 

“Shoku”…apo…Zoti!?…

 

Po t’i drejtohesha  “Zoti” … kisha hall se mos ai i ishte nga Ata që gjithë jetën ka qenë  “Shoku …” dhe nuk do ta kisha të lehtë të  “mirë kuptoheshim”.

 

Nuk dija si të bëja …

 

Më “nxori” nga kjo gjendje … telefoni.

 

Në anën tjetër të telefonit dëgjohet një zë autoritar, ndërsa bashkëbiseduesi (Shoku … apo …  Zoti… ) që kisha përballë , me një delikatesë “femërore”, u përgjigj:  “Si urdhëron  Zoti Kryetar …”.

 

Sapo mbaroi biseda telefonike, i drejtohem:  “Zotëri … kam një problem për të biseduarë me Ju”.

 

Në vend të përgjigjes, më thotë:

 

“Unë nuk jam Zoti…por Shoku…prandaj ki kujdes kur të flasësh me mua”.

 

Kishte hak shoku im, vështirë do e kemi, por qoftë pa zarar thuaj …deri sa të bëhemi të gjithë “ZONJA dhe ZOTËRINJ” (Hysen Binjaku).

 

 

“Shoku” dhe “Zoti”, “hall i madh” historik…

 

Postimi i sotëm i profesorit më ngacmoi dhe më kujtoi një ngjarje të tillë edhe më të lashtë akoma, të një periudhe tjetër historike, të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

 

Këtë histori e kam dëgjuar në Zaloshnje të Skraparit aty nga vitet ’70 të shekullit të kaluar, në një festë që organizohej në shtëpinë-muze të patriotëve të Zaloshnjes, Servet, Mahmut dhe Hysen Zaloshnja.

 

Një ditë të fillimit të korrikut të vitit 1943, në shtëpinë e Mahmutit, që në atë kohë ishte shumë i moshuar, kishin ardhur për të bujtur një taborr me njerëz të armatosur. Nuk ishte ndonjë gjë e jashtëzakonshme, pasi kjo derë nuk rrinte ditë pa miq. Këta miq ishin kuadro të Zonës së Parë Operative, Hysni Kapo, Bilbil Klosi e të tjerë që shkonin në Konferencën e Labinotit, por që Mahmuti nuk i njihte.

 

Pas përshendetjes së parë, “tynjatjeta” dhe pasi miqtë u rehatuan radhë pranë oxhakut, Xha Mahmuti, sipas zakonit të skraparllinjve, bëri “tokjen e dytë”, përshëndetjen e dytë: “Si të kam, o zoti shok?! – iu drejtua të parit.

 

Miku vuri buzën në gaz dhe i tha: “Pse më quan zoti shok:!?…

 

“Dëgjo këtu,  i tha Xha Mahmuti“ – kjo shtëpi i pret të dy takëmet që janë ndarë tani, edhe “shokët” edhe “zotërinjtë”. Dhe unë nuk e di, jeni shokë apo jeni zotërinj!?

 

“Jemi shok” – i tha miku me një farë krenarie.

 

“Për mua edhe zotëri të ishe, njëlloj do ta kisha”! – mbylli me nëj thumb “të ëmbël” këtë pjesë të bisedës Xha Mahmuti.

 

Siç shihet nga të dy episodet në kohë të ndryshme, fjala “Shoku” dhe “Zoti” nuk kanë qenë fjalë të thjeshta, por një “hall i madh” përçarës historik…Por sa vjen dhe kjo histori po bëhet e kaluar (Zylyftar Hoxha)