Shyqyri Mehmetasi, rrobaqepësi i Çorovodës i viteve 1970 – 1990, stilist i madh i një qyteti të vogël

Shyqyri Mehmetasi, rrobaqepësi i Çorovodës i viteve 1970 – 1990, stilist i madh i një qyteti të vogël

 

 Mbahej mirë dhe vishej plot grint, gjithmonë me kostum dhe xhamadan stofi, jo se ishte rrobaqepës dhe i qepte vetë kostumet, por se kujdesi, pastërtia, rregullsia, sjellja, shoqëria, ishin pjesë e kulturës së tij. Shyqua ishte një nga njerëzit më të civilizuar në Çorovodë dhe shumë bashkëqytetarë të tij e kishin idhull dhe etalon të sjelljes, veshjes dhe paraqitjes së tyre.

 

 

Ai ishte një mjeshtër i papërsëritshëm i zanatit të tij, të rrobaqepësit. Nuk priste e qepte, por bënte art me gërshërë dhe gjipërë.

 

 

Ai nuk ishte rrobaqepës, por shkollë rrobaqepësie, ku mësuan dhe e kthyen në art qepjen me dhjetëra rrobaqepës që punuan me të apo mësuan prej tij.

 

 

Ai nuk ishte rrobaqepës, ai ishte me plot kuptimin e fjalës një stilist mode që i kapte dhe i aplikonte detajet e reja dhe të veçanta të veshjes të reklamuara në revistat e pakta që hynin fshehtas në Shqipëri apo që i shikonte në televizorë apo nëpër filma.

 

 

Pak e dinë se xhaketa e kostumit, 70 përqind të punës e ka punim me dorë, për të ngrirë kanavaci, jakat dhe për të qepur astarin. Por Shyqoja bënte 90 përqind të punës me dorë, deri sa xhaketa  të “qëndronte në këmbë”.

 

 

Është kjo arsyeja që vinin që nga Tirana nëpunës të lartë dhe porosisnin kostume te Shyqoja. Pa le dasmat, kushedi sa djem “ka martuar Shyqoja”.

 

 

Shyqyri Mehmetetasi lindi në Visockë të Skraparit në një familje të njohur dhe me traditat më të mira dhe karakteristike të zonës.

 

Nëna e tij, Halimeja vdiq shpejt, dhe i ati, Selmani u martua.  I mbetur jetim,  Shyqua u largua që i vogël nga shtëpia. Punoi në punë të ndryshme në Çorovodë, deri sa një ditë filloi si ndihmës rrobaqepës.

E mori shumë shpejtë zanatin dhe u bë një nga mjeshtërit më të njohur të këtij zanati në Skrapar.

 

 

Tre vëllezërit, Shyqoja, Qemali dhe Avniu, dalë në vitet ‘70

 

 

Ka disa vjet që Shyqoja është ndarë nga kjo jetë, nuk është më, por jam i bindur se edhe sot, në garderobat e shumë qytetarëve të Çorovodës të moshës 50 vjeç e lartë, gjenden kostume të prerë dhe të qepur nga Ai, që, pa pikë mëdyshje, vishen nga disa njerëz edhe sot në dasma apo sebepe të tjera, pa u dalluar nga moda e some, përkundrazi duke rënë në sy.

 

Me të vëllanë, Avniun

 

Shyqo Mehmetasi ka për të mbetur përherë i paharruar, pasi ka lënë pas gjurmë të thella e të pashlyeshme pas si një njeri i dashur, i mirë dhe shumë i qytetëruar. (Z.H)