Ylli Polovina: “Ambasador në Ballkan”

  Ylli Polovina: “Ambasador në Ballkan”

Ky është titulli i librit më të fundit i studiuesit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur, Ylli Polovina

 

 

Me një modesti  dhe mirënjohje prekëse, studiuesi, shkrimtari dhe publicisti i njohur Ylli Polovina, që në faqen e parë të librit më të ri të tij “Ambasador në Ballkan”, shkruan se këtë libër nuk do ta kishte realizuar kurrë pa ndihmën e miqve të tij, të cilëve u është shumë mirënjohës.

 

 

Dhe këta janë:

“Si konsulent diplomamitik, Valter Ibrahimi; si inkurajues dhe mbëshetës tematik, ambasadori Flamur Gashi; si konsulent redaksional letraro-publicistik, gazetari Zylyftar Hoxha dhe si ilustrues i kopertinës, arkitekti  Andi Papastefani”  

 

 

Më poshtë, pa patur mundësi të japim gjithë atë mozaik faktesh, episode ngjarjesh, dokumentesh, marrëdhëniesh njerëzore dhe bisedash diplomatike që pëshkruhen në libër për mozaikun tjetër të madh, që janë shtetet e Ballkanit, po botojmë vetëm një pjesëz shumë të vogël, por domethënëse nga libri:

 

 

D A R D A N I A

 

 

 

Ndihmësi i njohur i Ibrahim Rugovës dhe mes të tjerash edhe autor i librave “Pengu” dhe “Kështjella e (Mos) Marrëveshjes”, Adnan Merovci, në faqen e tij në FB 28 nëntor 2022 do të shkruante:

 

“Shteti amë i yni është Dardania! Shqipëria, Kosova dhe të tjerat janë pjesë integrale!

Shqipëria e ka “myhyrin”, Kosova dhe të tjerat po luftojmë ta kemi “myhyrin” tonë!, thoshte Dijetari ynë i Dardanisë në vitin 1990!

Urime dhe Gëzuar!”

 

 

Duhet thënë se prej kohësh ka qenë e ditur se projektin e tij të shtetit të ardhshëm shqiptar me emrin Dardani, Rugova e pa të pandarë nga respektimi total i pakicës serbe.

 

 

Se cila është realisht Dardania historike mes shumë autorëve ekziston edhe një analizë e botuar në janar 2006, e shkruar prej Vladimir P. Petroviç, antar i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve. Titullohet “Dardania pararomake dhe romake, konsiderata historike dhe gjeografike”.

 

Sipas Petroviç, “Zonat pjellore mikpritëse dhe burimet e tjera natyrore të Ballkanit kanë tërhequr bashkësitë njerëzore që në kohët më të hershme. Dardanët, një popull pararomak, kishin pushtuar zonat qendrore të Ballkanit që nga kohërat parahistorike”.

 

Gjithashtu vë në dukje:

“Pjesa qendrore e Gadishullit Ballkanik, me pellgun e Nishit (Naissus Romak) në mes të tij, është e kryqëzuar me komunikime natyrore, rrjedhat e të cilave ndjekin disa konstante gjeologjike si gjatësore ashtu edhe tërthore. Rrjedhat më të rëndësishme gjatësore kanë363 qenë luginat e lumenjve Moravë dhe Marica, nga njëra anë, dhe ato të Moravës dhe Vardarit, nga ana tjetër.

 

Komunikimi kryesor transversal ishte midis Shkodrës, pellgut të Kosovës dhe Metohisë dhe Moravës, si lidhja më e përshtatshme natyrore midis brendësisë dhe bregdetit të Adriatikut”.

Thekson Vladimir P. Petroviç: “Referenca më e hershme për Dardanët mund të gjendet tek Justini (perandor bizantin në periudhën 515-527, shënimi ynë”).

 

 

Në një çast tjetër të analizës, antari i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, vë në dukje se “Në jugperëndim të Dardanisë ishin kufijtë e provincave të Moesisë, të Dalmacisë dhe Maqedonisë, i cili duket se ka qenë identik me kufirin pararomak maqedonas-dardan-ilir.

 

Sipas Ptolemeut, ky trekufi ishte mali Scardus, I identifikuar si vargmal i sotëm i Sharrit me Korabin dhe malësitë e tjera të lidhura me të në drejtim të Dibrës dhe Kërçovës.

 

Kufijtë jugorë dardanë duket se kanë ndjekur kufirin midis provincave romake të Moesisë së Sipërme dhe Maqedonisë, i cili qe edhe kufiri midis zonave greqisht-folëse dhe latine.

 

 

…Kufijtë lindorë të Dardanisë duhen kërkuar në lindje të vijës Kumanovë–Vranjë–Bela Pallankë… Dardanët, ndryshe nga fqinjët e tyre pararomakë, ruajtën traditat autoktone dhe mbetën të pahelenizuar. Me pushtimin romak, ata përvetësuan gjuhën latine.

 

 

Kufijtë veriorë të Dardanisë janë shumë të vështira për t’u identifikuar, por besohet, bazuar në pikëpamjen e Fanula Papazoglu, se ishte zona e përfshirë nga lumi Zapadna Morava (Morava Perendimore) dhe kufijtë e zonës antike të Nishit.

 

Si kontribut në këtë çështje duhet të përmendim edhe informacionin e Ptolemeut për Nishin si një nga

katër qytetet e Dardanisë”.

 

 

Studiuesi Vladimir P. Petroviç në analizën e vet ngul këmbë se Nishi dhe Shkupi qenë dy qytetet kryesore të Dardanisë.