Si dallëndyshet, rikthim në folezën e vjetër

Si dallëndyshet, rikthim në folezën e vjetër

 

 

Edhe këtë vit, si një traditë që rikthehet me të njëjtin mall, dhjetëra gra — dikur vajza adoleshente të këtij qyteti, sot në moshën 50–60 vjeç — të ardhura nga mbarë Shqipëria e deri nga skaje të ndryshme të botës, do të mblidhen sërish në qytetin e Çorovodës për takimin e tyre të përvitshëm dy–tre ditor.

 

 

Ky takim i shumëpritur do të zhvillohet më 20–21 qershor.

 

 

Lajmi bëhet i ditur nga njëra prej organizatoreve kryesore të këtij eventi, aktivistja Aurora Hajdini, me banim në SHBA, e cila shprehet me besim se takimi i sivjetshëm do të jetë edhe më i bukur, më i veçantë dhe më mbresëlënës, falë një interesi dhe pjesëmarrjeje më të gjerë se kurrë më parë.

 

Ashtu si vitin e kaluar, për disa ditë me radhë, rrugët, parqet, shkallët dhe kalldrëmet e Çorovodës do të marrin frymë ndryshe: do të ringjallen nga jehonat e zërave, të qeshurave, shakave dhe çapkënllëqeve të vajzave të dikurshme. Të shpërndara sot nëpër botë, ato do të kthehen të thirrura nga malli dhe nostalgjia, për të jetuar sërish disa çaste të çmuara së bashku.

 

 

Takimi i 20 qershorit nuk është thjesht një takim — është një rikthim në folezën e ëndrrave rinore, një përqafim i së kaluarës dhe një festë e ngrohtë e së tashmes.