Si lindi gazeta “Dielli i Tomorrit”…

Si lindi gazeta “Dielli i Tomorrit”…

 

Vazhdim i rubrikës “Çapitje në botën mediatike”

 

Zylyftar Hoxha

 

Pas trazirave a marrëzirave të ’97-ës, kur shumica e njerëzve u kishin hedhur disa herë ujë syve për të dalë nga ajo ëndërr e keqe dhe po riorientoheshin në një jetë normale, në një bisedë me mikun tim të vjetër, poetin Xhevahir Spahiu, në Skrapar, ku ai kish ardhur me disa shokë, na lindi ideja të nxirrnim një gazetë që të pasqyronte vlerat dhe traditat jo vetëm të një krahine, por të të gjitha trevave rreth Tomorrit që betohen e falen për këtë mal të shenjtë.

 

 

Domosdo kjo do të ishte një gazetë serioze, ndryshe nga ato të disa krahinave të tjera që kishin dalë deri atëherë, ndaj dhe i dhamë karar për t’u menduar mirë. Unë atëhere isha në Skrapar dhe kontaktet me Xhevon i kisha të rralla.

 

Në vitin 2002 erdha në familjarisht në Tiranë. Pasi rregullova plaçkat, në darkë e mbajta frymën te kafe “Evropa” e më pas te “Kashta”, ku rrinte Xhevahiri dhe Nuri Çuni.

 

 

Maj 2002, në restorant “Kashta”, duke përgatitur numrin e parë të “Diellit të Tomorrit”:  Nga e majta në të djathtë, Nuri Çuni, Zylyftar Hoxha, Xhevahir Spahiu dhe poeti Pano Taçi

 

 

Pasi erdhëm çakërrqef, morëm vendimin “historik”, “zgjodhëm organet drejtuese” të gazetës; drejtor “pa asnjë votë kundër” u zgjodh Xhevoja; kryeredaktor, unë; Idrizi  (Metani), redaktor letrar; Nuriu do të merrej me problemet teknike, faqosje, shtypshkronjë; dhe Rustemi (Zyko)me problemet ekonomike, të gjente ndonjë lekë. Bëmë edhe një listë me emra me figurat më të njohura për këshillin botues, për të cilët e lamë që t’i pyesnim nëse dëshironin të bëheshin pjesë e ndërmarrjes sonë.

 

 

Si mbaruam të gjitha këto “procedura”, të cilat Nuriu i pasqyroi një më një në procesverbal, lamë për të diskutuar në një seancë tjetër, që do të zhvillohej të nesërmen në të njëjtën orë, po aty, për emrin që do të mbante gazeta, ku secili do të vinte me një mendim konkret, por me një kusht, që brenda të ishte mali i Tomorrit.

 

 

Një ndihmë të veçantë na dha në këtë rast për të gjitha gjërat, poeti i njohur Pano Taçi, miku i Xhevos dhe yni.

 

Pasi mbaruam të gjitha këto, Xhevoja tha nëse kishim më gjë tjetër. “S’kemi më gjë”, thamë të gjithë me një zë. Atëherë ai u ngrit më këmbë, vuri dorën mbi procesverbalin e Nuriut dhe tha:

 

“U bë”!

 

U ngritëm  të gjithë, duke qeshur, por edhe të emocionuar, në mënyrë solemne vumë dorën njëra mbi tjetrën në formë betimi.

 

 

Domosdo, pas këtij sebepi na takonte një dopio. E porositëm, por gota na erdhi dëng, pasi kish shtënë në të edhe nga një dopio tjetër Mehdiu, miku ynë, pronari i lokalit. Se, siç tha ai, nuk kishte rastisur ndonjë herë ndonjë gjë kaq e bukur në lokalin e tij sa kjo e sotmja. Më në fund edhe kasollja e tij ishte bërë historike si Galigati.

 

Ç’të bënim?! Na zuri! E gdhimë me këngë e valle nga ato tonat.

 

 

Të nesërmen, përsëri aty, për emrin, por s’qe e lehtë. U dhanë me dhjetëra variante, por asnjëri s’ngjiste. Më në fund Xhevoja thirri: “E gjeta”! “Dielli i Tomorrit”.

 

 

Na u duk i qëlluar, pasi të dyja fjalët kishin të bënin me dy kulte, diellin, por edhe kultin e malit të shenjtë; gjithashtu këtë emërtim e përligjte fakti që dielli kapte të parën majën e Tomorrit dhe e skuqte atë të fundit në perëndim, por edhe se për të larguarit me banim në Tiranë e në Durrës dielli lind në Tomor dhe ai u kujtonte atyre vendlindjen.

 

 

E lamë kështu, por kush do të na bënte grafikën e kokës. Që në atë moment Xhevoja mori në telefon piktorin e talentuar (tani të ndjerë, humbi jetën nga Covidi), Mustafa Arapin, i cili u tregua i gatshëm dhe pas sugjerimeve na solli të nesërmen tre variante, nga të cilët ne zgjodhëm atë që është edhe në këtë foto.

 

 

I premtuam Mustafait për punën që bëri, një shishe raki nga ajo e Malos, vëllait të Nuriut në Sevran të Skraparit!…Nuk e di a ia dhamë apo nuk ia dhamë atë të shkretë raki, por ai na e bëri punën dhe ajo kokë gazete u bë “historike”!

 

 

Pas gjithë këtyre filloi me një herë puna. Ku?! Aty në tavolinat e kafe “Evropës”. Aty hapnim letrat, përzgjidhnim artikujt, i redaktonim, i korrektonim, zgjidhnim fotografitë dhe bënim planin e faqosjes.

 

 

Ndoshta ishte gazeta më e çuditshme në botë, që në kushtet e larta teknike që kanë dalë tani, ne e bënim në formë artizanale. Por edhe kjo kishte anën e saj të mirë, se çdo gjë që dilte nga duart tona, dilte e pjekur, e rrotulluar disa herë nëpër duar, siç bëjnë artizanët me prodhimet e tyre.

 

 

Ishte kjo arsyeja, që gazeta jonë pëlqehej dhe pritej mirë nga lexuesit. Për ne, përgatitësit, s’ka qenë e lehtë, se krahas kësaj do të mendonim për shtypjen, për shpërndarjen, për të cilat duheshin lekë, të cilat me ndrojtje i kërkonim të disa nga biznesmenët tanë që na kuptonin, dhe të thuash të vërtetën, na kanë ndihmuar.

 

 

Kështu, herë bjer e herë ngrihu, vazhduam për gati 7 vjet ta nxjerrim gazetën.

 

Vërtet kemi ndjerë kënaqësi, që bëjmë një punë atdhetare, pa as më të voglin interes, madje shpesh herë kemi hedhur në të edhe kursimet tona, por ne e dimë ç’hiqnim. Megjithëse na dhemb, disa herë jemi tërhequr, por përsëri jemi rikthyer, si puna e asaj gruas që kur e zënë dhimbjet e lindjes, betohet se nuk do të flejë kurrë me burrë, por sa lind, harron dhe përsëri fle me të sikur të mos ketë ndodhur asgjë.

 

 

Kështu janë këto punët e letrave, s’të lënë rehat. Kot s’thotë një poet i madh amerikan se provova të gjitha zanatet, por ai që më shtrydhi e më nxori ujë, ishte ai i letrave.

 

***

 

Pas 7 vjetësh Shoqata Tomorri, organ i së cilës ishte dhe gazeta “Dielli i Tomorrit” ra në duar të tjera. Ajo vazhdoi edhe pak kohë, duke i ndryshuan atë logo të thjeshtë, por historike dhe të menduar me ditë të tëra nga një mendje e fuqishme, shpërthyese intelektuale si ajo e Xhevahir Spahiut, me një logo tjetër, me grafikë kompjuterike, pa asnjë farë kuptimi.

 

 

Logoja e parë

 

 

Logoja e mëvonshme

 

 

Qëllimi ishte t’i mohohej identiteti, arkivi dhe gjithë rruga e saj historike dhe kjo e fundit të quhej, dhe ashtu u bë, si një gazetë e re me themelues të rinj!

 

Po kështu u ndërrua logoja e shoqatës, ku simboli i Tomorrit u zëvendësua me simbolin e malit Sashta të Kalifornisë(!)…

 

 

Më pas gazeta u mbyll fare. Bashkë me të u mbyll edhe djersa, mundi, pasioni, “ëndrra e natës” që ne, krijuesit dhe selitësit e saj, na linte pa gjumë.

 

 

Si shoqata ashtu edhe “zëri” i saj u përdoruan dhe u shpërdoruan në mënyrën më të keqe dhe më fatkeqe të mundëshme për interesa të tjera, deri sa u fikën e u shuan fare(!).

 

 

Dikush është kujtuar kohët e fundit me disa emisarë pa tagër, që shkojnë “Ozi e Bozi” në çdo qytet, jo për të krijuar, por për t’i përçarë skraparllinjtë akoma më tej, duke krijuar nga dy shoqata në të njëjtin rreth, si psh, në (mëmën) Çorovodë, janë krijuar dy shoqata, një në qytet brenda dhe tjetra në Çerenisht(!). Po kështu ka ndodhur edhe në Tiranë, Sarandë, Berat, Lushnje e gjetkë.

 

 

Nuk e di kujt i intereson kjo përçarje “zyrtare” kaq e guximshme?!…

 

 

Por llogaritë janë bërë gabim, se  Skrapari është Skrapar, që u ka treguar vendin burrave më të mirë që të shohin në sy, jo më atyre që fshihen pas gishtit!

 

 

 

Post Scriptum:

 

Telepati: Ndërsa isha gati për të postuar këto shënime, më bie celuari. Një miku im më njofton se nesër, ditën e shtunë, datë 13 prill, në një nga sallat e “UFO-s”, mblidhet Kuvendi Kombëtar i gjysmës së shoqatës “Tomorri”, me kryetar Ramiz Hamzollarin.

 

 

Ndërkohë, mësova se gjysma tjetër e shoqatës “Tomorri” e paska Kuvendin Kombëtar nga fillimi i muajit maj!

 

 

O Zot, mëshiroi !…Marrëzia s’paska fund!