Simbolika e këngës popullore “…zoga na kërkon fustan, ta ble Lala për Bajram!”
Petrit Zeneli
Është ndoshta i vetmi varg kënge ky që më vjen kthjellët e mallshëm që nga fëmijëria, vitet ’60 – ’65, kur s’kuptoja ç’ishte Bajrami, por kënga më rrënjosi thellë këtë emër, sepse e dëgjoja kudo, nëpër dasma, në festa, në pyje, hipur mbi kuaj, me barinjtë etj., dhe natyrshëm fillova ta këndoja apo fërshëlleja edhe vet.
Nuk e di sa e vjetër është kënga, por s’besoj se ka këngë tjetër të ketë fituar kaq qytetari interpretimi dhe në një shtrirje gjeografike kaq të madhe, nga Jugu në gjithë Shqipërinë e Mesme e më lart. Në thelb ajo është sa lirike aq dhe familjare, e dhimbshme apo gazmore.
“Ç’ke moj zogë që po qan,
moj zogë, aman aman
Më morën burrin ushtar,
moj zogë aman aman,
Nuk e di se ku e kam,
Ja në Durrës, në Elbasan,
Zoga na kërkon fustan,
ta ble Lala për Bajram…”
Diku i thonë zoçkë e diku zogë, diku Lali e diku Lala, shpesh dhe theva këmbkën në dyqan.., por përgjithësisht teksti i saj është i njëjtë.
E kanë kënduar atë populli por edhe këngëtarë të njohur si Eli Fara, Valbona Mema etj. U ndalua feja në vitin 1967, por vargun “…ta ble Lala për Bajram” s’e ndaluan e s’e burgosën dot, deri në ditët e sotme. Këndohet ajo në mbarë trojet shqiptare, por edhe nga emigrantët kudo, për të shuar mallin përvëlues ndaj vendlindjes.
Ka një simbolikë të fortë ky varg.
Në këtë ditë të madhe e të shenjtë njerëzit duhet të visheshin bukur, si per festë, edhe nëse varfëria s’i lejonte. Babai apo djali i dashuruar atë ditë duhet të sakrifikonin patjetër, t’i blinin vajzës fustan që ajo të shkëlqente në festë si dielli, për të harruar çdo vuajte e merak në shpirt.