Sopranoja Ermonela Jaho, sot, koncert në Shkup
Sot në mbrëmje, datë 22. 05. 2022, sopranoja shqiptare me origjinë nga Skrapari, tashmë me famë botërore, Ermonela Jaho do të paraqitet para publikut në Shkup. Programi koncertal do të mbahet në sallën e Filharmonisë së Maqedonisë, ndërsa do jetë i përbërë nga arie të kompozitorëve botëror, si Puccini, Bellini, Verdi, Gounod, Massenet dhe të tjerë, shkruan Alsat.
“E lumtur dhe e nderuar të këndoj në Edicionin e 10 të Festivalit të Skenës së Muzikes Serioze në Sallën e Filharmonise me Pantesilena Jaho në piano dhe të ftuar special, zërin engjëllor shqiptar Besarta Murtezani.
Dua të falenderoj publikisht duke i shprehur mirënjohen time një njeriu të mrekullueshëm që bëri të mundur këtë koncert, profesorin,kompozitorin, drejtuesin artistik të festivalit të Skenës së Muzikës Serioze Shqiptare, Fatos Lumani . Dua gjithashtu të falenderoj të gjithë ata që ndihmuan për të bërë të mundur këtë koncert dhe festivalin. Aty ku mbaron fuqia e fjalëve aty fillon fuqia e muzikes” – shkruan artistja me famë botërore në statusin e saj të Facbook-ut për këtë shfaqje.
Ermonela Jaho, që nuk e harron kurrë origjinën e saj, është sopranoja me famë botërore, me një energji të jashtëzakonshme. që është stolisur me shumë çmime për veprimtarinë e saj dhe Shkupi këtë të diel e ka nderin që të dëgjojë zërin e saj.
Jaho është e njohur për rolet e saja, si Violeta, Madama Butterfly, Liu dhe shumë role të tjera në të cilat lë gjurmë origjinale sa herë që i interpreton. Ajo është fituese e çmimit ndërkombëtar Muzika Vokale 2021 për albumin e saj solo “Anima Rara”.
I gjithë ky sukses i saj filloi që në momentin kur ajo vendos të largohet nga Shqipëria për në Itali, merr pjesë në gara të ndryshme të këndimit dhe shumë shpejt dallohet për zërin e saj të fuqishëm.