Sulejman Qafa: Nga ngjarja në ngjarje, rrugëtimi historik i një atdhetari

Sulejman Qafa: Nga ngjarja në ngjarje, rrugëtimi historik i një atdhetari

Zylyftar Hoxha

Kur ka vdekur Sulejmani, unë mund të kem qenë 11 vjeç. E kam parasysh si tani, të fiksuar më shumë nga borsalinoja që mbante në kokë, të cilën s’e kisha parë te asnjë njeri tjetër deri atëherë, nga gazeta që ai s’e ndante asnjë herë nga dora kur rrinte jashtë te sofati i portës, por edhe te ajo paraqitja qytetare, me një kostum të hirtë, të vjetër, me një kollare të hollë si ajo që është edhe në këtë fotografi që po botojmë.

 

S’e kisha parë të merrej me asnjë nga ato lloj punësh që ka fshati, madje as të dilte nëpër fshat apo në mbledhjet e ndryshme që në atë kohë ishin të shumta. Bënte një jetë të mbyllur prej asketi. Dhe kështu, larg dhe i heshtur, kishte fituar një autoritet absolut, jo vetëm në fshat, por edhe në tërë zonën. Fjala e tij kishte peshë dhe të gjithë, madje dhe zyrtarë e nëpunës të kohës, konsultoheshin me të për çdo hall apo problem që kishin.

 

Ashtu siç kam shkruar edhe për shumë patriotë të tjerë, kam shkruar edhe për Sulejmanin, për të cilin, si bashkëfshatar, e kam ndjerë si detyrë, si dëshirë dhe, në shumë raste, jam mburrur dhe jam ndjerë krenar me të.

 

Në këtë shkrim, ndryshe nga të tjerët që kam bërë më parë për Sulejmanin, jam tepër i sigurt dhe i saktë, pasi të dhënat i kam nxjerrë nga material arkivor, një biografi e shkruar në mars të vitit 1959 nga i biri, Mehmet Veizaj (Qafa), në atë kohë mësues. Biografia është kërkuar në atë kohë nga Fronti Demokratik i Shqipërisë dhe personalisht nga ish-luftëtari Zylyftar Veleshnja, pasi ka patur paqartësi, madje edhe denigrim të figurës së patriotit Sulejman Qafa.

Para se të shprehem më tej, dua të sqaroj se si më ra mua në dorë ky material: Një miku im i vjetër, publicist, Veli Hoxha, një ditë rastësisht duke gërmuar në disa materiale të vjetra të vjehrrit të tij, Ramiz Mustafa, ish-punonjës i Arkivit Qendror të Shtetit, gjen dorëshkrimin e biografisë në fjalë.

 

Duke e ditur që unë, jo vetëm e kam fshatar, por edhe kam edhe lidhje miqësore me familjen e njohur, Veliu i entuziazmuar, më merr në telefon dhe më flet për “xhevahirin e rrallë” që kishte gjetur dhe që është një fletore shkolle e mbushur plot. Pasi e shfrytëzova për këtë shkrim, fletoren ia dhashë djalit të Mehmetit, nipit të Sulejmanit, Përparimit (Veizaj) që banon këtu, në Tiranë.

 

***

 

Sulejman Veizaj (Qafa) u lind në vitin 1870 në fshatin Qafë të Skraparit në një familje të varfër fshatare. Që në rininë  e tij të hershme u dallua për cilësi të rralla njerëzore, ndershmëri, zgjuarsi dhe inteligjencë, çka e bënë atë të dallueshëm nga moshatarët e vetë në fshat dhe në zonë. Shkrim e këndim mëson në fshatin fqinj, Vëlushë, nga një tregtar nga Përmeti që kishte dyqanin aty. Shkonte vetëm natën, pasi linte punët në bujqësi dhe mësonte nga një gërmë në natë.

 

I detyruar nga gjendja ekonomike e familjes, shkon të punojë në Selanik, ku kishte edhe shumë shqiptarë të tjerë. Nga natyra inteligjent, siguron një punë të mirë, nëpunës dogane, e cila e ndihmoi të mësonte në mënyrë autodidakte dy gjuhë të tjera, turqishten dhe greqishten.

 

Si nëpunës dogane shfrytëzon rastin dhe dërgon libra dhe gazeta shqip të shoqërive patriotike jashtë për në Shqipëri dhe në kolonitë e tjera shqiptare, në Sofje dhe Egjipt. Janë vitet 1905-1908, kur veprimtaria atdhetare e Rilindjes kishte arritur kulmin. Aty hyn në lidhje me shoqërinë” Drita”, Komitetin e Rilindjes dhe botuesin Shahin Kolonja.

 

Puna e tij në Selanik vihet re, ndaj vjen në Shqipëri, lidhet fillimisht me çetën e Gorë-Oparit ku qëndron vetëm dy muaj. Pastaj vepron me çetat e Skraparit të Backës dhe të Servet Zaloshnjes. Për veprimtarinë e tij kundër regjimit turk, në vitin 1911 arrestohet dhe burgoset.

 

Mbas shkatërrimit të Perandorisë Osmane dhe Shpalljes së Pavarësisë, shkon në Vlorë. Qeveria e Ismail Qemalit e ngarkoi me detyrën e kapterit të xhandarmërisë së Skraparit, që në atë kohë ishte një funksion politik për të propaganduar Qeverinë e Vlorës, për t’u mbushur mendjen fanatikëve turkoshakë mbi përparësitë e qeverisë së re, por edhe për mobilizimin e forcave për mbrojtjen e territoreve ku ishte shtrirë Qeveria e Vlorës nga sulmi i andartëve grekë në vitet 1913-14.

 

Ndërkohë në Çorovodë kishin ardhur si nënprefekt dhe nëpunës të Qeverisë së Vlorës, Themistokli Gërmenji dhe Baki Gjebrea nga Gjirokastra. Sulejmani bashkëpunon me ta duke marrë  pjesë në luftën për mbrojtjen e Qeverisë së Vlorës nga forcat e Esat Pashë Toptanit.

 

Pasi prishet Qeveria e Vlorës, vendi ndodhej në një gjendje kritike, mbeturinat pro turke dhe forcat e Haxhi Qamilit u vendosën në Berat, Themistokli Gërmenji dhe Baki Gjebrea ikin nga Çorovoda, pasi vendoset një nënprefekt tjetër aty, që ishte përfaqësues i rebelëve. Nënprefekti i ri arreston me një herë Sulejmanin.

 

Gjatë bastisjes së shtëpisë, gjendet një letër që Baki Gjebrea i dërgon Sulejmanit, ku i kërkon të mbledhë forca dhe të niset drejt Beratit, kundër rebelëve që kishte zaptuar qytetin. Sulemanin e çojnë në burgun e Beratit. Letra qe një provë për ta dënuar me vdekje. Për fatin e tij, shpëtoi nga vdekja, pasi pas dy – tri ditësh nga dënimi, erdhën forcat e Qeverisë së Durrësit, të cilat morën në dorë Beratin dhe hapën burgjet.

 

Kthehet në fshat, por fati historik e kishte caktuar të mos bënte jetë të qetë, forcat e andartëve greke po vërshonin me furi mbi të gjithë Skraparin. Me një çetë vullnetarësh, zë pritë në Galinat e Qafës. Të paktë në numër, në këtë përpjekje të parë vetëm sa i çoroditën forcat armike.

 

Më pas me më shumë luftëtarë zunë malin e Vlushës. Në fshehtësi të plotë rrethuan fshatin ku ishin forcat greke. Pas disa orë luftimesh, vritet komandanti i andartëve grekë, Kostë Piçorri, në krahun e të cilit nën një tatuazh shkruheshin këto tri gërma greke: KPS, që thoshin, Kostë Piçorr Samarin.

 

Të informuar për veprimtarinë e Sulejmanit, andartët dogjën tërë fshatin Qafë. Domosdo flakët e para dolën në shtëpitë e Sulejmanit. Familja shkoi muhaxhir, ndërsa ai maleve, nuk dinte gjë për fatin e saj. E gjeti familjen pas shumë kohësh në qiell të hapur në ullishtat e Vlorës.

 

Në vitin 1920, merr pjesë në Luftën e Vlorës. Gjatë Luftës së Parë Botërore, i pa mobilizuar, i çoroditur nga ajo që po ndodhte qëndroi në shtëpi, me një simpati të lehtë për austriakët, të cilët vinin shpesh dhe konsultoheshin me të.

 

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 1922-23 bën një fushatë të pashembullt që Skrapari të përfaqësohej me bijtë e vetë në Parlament e jo me Vrionasit. Si rezultat i punës së fortë, fiton grupi popullor.

 

Në vitin 1924 ndihmon fuqishëm Nolin në marrjen e pushtetit dhe krijimin e qeverisë. Në një telegram të asaj kohe shkruhet: “Zotit Sulejman Emin Qafa, Skrapar. Ju falënderoj personalisht ju dhe popullin e Skraparit. Kryeministri Fan Noli”. Pas telegramit vjen një urdhër me të cilin emërohet nëpunës për sekuestrimin e pasurive të bejlerëve në Berat, ku qëndroi deri në fund të kësaj qeverie. Rivendosja e qeverisë së Zogut qe me pasoja për të gjithë përkrahësit e Nolit. Sulejmanin e arrestojnë dhe e internojnë në kampin politik të Krujës.

 

Pas 14 muajsh kthehet në fshat bashkë me të vëllanë, Dervish Rexhepin, edhe ky i internuar. Në këtë kohë Sulejmani sëmuret nga një grip i rëndë dhe humbet përfundimisht dëgjimin. Heq dorë nga çdo veprimtari, por, çuditërisht, një ditë i vjen telegrafisht nga Tirana emërimi si kontrollor pyjesh në Berat. I ndodhur në kushte tepër të vështira ekonomike, me shtëpi të djegura e të rrënuara në fshat, shkon familjarisht në Berat.

 

Nuk vazhdon shumë dhe në vitin 1933, si kundërshtar i Zogut, pushohet nga puna. Kthehet përsëri me familjen në fshat, i vënë nën vëzhgim nga autoritetet vendore. Në këtë kohë bashkë me të vëllanë, Dervish Rexhepin nisën të ndërtojnë shkollën e fshatit, një godinë moderne për kohën, ku filloi mësimi në vitin 1936.

 

I moshuar, në bazë të ligjeve të kohës, fitoi një pension të vogël. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e gjeti në moshën 80 e ca vjeç, kur, veç dëgjimit, kishte humbur të gjitha aftësitë fizike. Megjithatë kryen që nga fillimi për tre vjet radhë detyrën e kryetarit të këshillit nacionalçlirimtar të fshatit. Disa herë komandantët e Ballit Kombëtar që vepronin në Skrapar deshën ta shfrytëzonin pozitën e tij si njeri publik, si një patriot dhe luftëtar i vjetër, por ai u dha përgjigjen e merituar, duke ruajtur fshatin, por edhe zonën për rreth nga ndikimi i tyre.

 

Në vitin 1951, kur u bë rishqyrtimi i pensioneve, i u pre pensioni padrejtësisht, me pretekstin se kishte qenë xhandar në vitin 1912(!), xhandar i qeverisë së parë shqiptare të Ismail Qemalit!…Megjithatë ai nuk u dëshpërua nga kjo padrejtësi e madhe, mbi të gjitha morale. Në vitin 1954 u paralizua dhe u qorrua plotësisht. Vdiq më 12 janar të vitit 1957.

 

Fëmijët e tij, Mehmeti, Emini, Skënderi, Feriti dhe Drita ecën në gjurmët e të atit, ata dhe fëmijët e tyre më pas ruajtën dhe ruajnë traditat më të mira të kësaj familje të madhe dhe të njohur në tërë krahinën e Beratit dhe të Skraparit.

 

 

Peng i Sulejmanit, trajtimi i Haxhi Qamilit si patriot

 

Në biografinë e shkruar nga Mehmeti për të atin thuhet se Sulejmani, sidomos pas çlirimit, lexonte shumë, ç’t’i binte në dorë, por më tepër gazetën “Zëri i Popullit”, të cilën nuk ndante nga dora.

 

Kishte peng shtrembërimet e ngjarjeve historike ku ai kishte marrë vetë pjesë dhe e dinte se si ishin në të vërtetë dhe se si përshkruheshin tani vonë. “Do të shkoja i qetë dhe i gëzuar, thoshte ai, sikur të shihja historinë e pastër ku të mos figuronte emri i Haxhi Qamilit si patriot, por si tradhtar, si fetar që kishte në shpirt Anadollin dhe Stambollin dhe që me bajrakun e Turqisë në dorë luftonte idenë e kombit shqiptar, luftonte dhe vriste patriotët e Rilindjes, luftonte flamurin e bukur shqiptar dhe që thoshte: Ç’janë këta kaurë që duan të na copëtojnë mbretërinë e osmanllisë…

 

Ky është një gabim i pushtetit popullor. Udhëheqësit e sotëm janë të rinj, nuk e kanë parë me sy dhe nuk e njohin këtë tradhtar. Sikur të isha në gjendje të vija një herë në Tiranë dhe t’i thosha qeverisë ta heqin nga historia këtë emër si patriot dhe ta vënë si tradhtar”!…

 

 

Qëndrim i çuditshëm ndaj figurës së këtij atdhetari të njohur

 

Në vitin 1959, pas vdekjes së Sulejmanit, Mehmeti djali i tij, i pakënaqur nga trajtimi i figurës së të atit, i cili kishte bërë aq shumë dhe nuk gëzonte asgjë, as status veterani, as pension, iu dërgon një letër autoriteteve të kohës, ku kërkon arsyet e këtij qëndrimi mospërfillës si ndaj figurës së Sulejmanit, por edhe ndaj pasardhësve të tij, që jo vetëm ishin lënë në kushte të mjerueshme dhe pa asnjë ndihmë, por edhe shiheshin vëngër nga regjimi i asaj kohe.

 

Ka qenë kjo arsyeja që Zylyftar Veleshnja ka kërkuar me urgjencë një biografi të hollësishme të veprimtarisë së Sulejmanit, të cilën e ka shkruar Mehmeti dhe në esencë është ajo që kemi botuar në këtë shkrim.

 

Pas kësaj, figura e Sulejman Qafës u rehabilitua disi, në vitin 1980, me rastin e 60-vjetorit të Luftës së Vlorës mori Medaljen Për Veprimtari Patriotike. Dhe kaq, askush nuk është kujtuar më pas për të, megjithëse ai ka qenë aktiv në Qeverinë e Vlorës të vitit 1912 dhe duhet të ishte përmendur me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.