TAKIM NË VITE: Të diplomuarit e vitit 1966 në Fakultetin e Mjekësisë, një jetë të tërë, në shërbim të njerëzve
Dr. Nevruz GERXHANI*
Ne ish-studentët që nisëm Fakultetin e Mjekësisë në shtatorin e vitit 1961 dhe e përfunduam në qershor të 1966, këtë vit mbushëm 56 vjet diplomim dhe mbi gjysmë shekulli punë mjekësore. Megjithëse të firuar shumë, nga 147 të diplomuar në atë vit, sivjet u mblodhëm vetëm 32 veta.
Vërtet ishim pak, se koha bën të vetën, por emocionet ishin të mëdha e të papërshkrueshme. Të gjithë kujtonim ato kohë të bukura të rinisë studentore, pedagogët tanë të mrekullueshëm, por edhe kohën gati 50 vjeçare në profesionin e mjekut.
Profesorët tanë, të rreptë, striktë dhe huqlinj…
…por nder dhe privilegj që kemi qenë në dorën e tyre
Që në vitin e parë, në provimet e dimrit, të pamësuar me studime universitare, pësuam firo, kryesisht në kiminë inorganike, me pedagogun “rigoroz” të kohës, Rexhep Shpatin, që testin e parë me të, nuk e fituan gati 30 -35 përqind.
Peripeci patëm edhe në lëndën e biologjisë, me pedagogun e “zgjuar”, por “kontrovers”, Sami Perihana, apo në kiminë organike të pedagogut Kristaq Qiriako që të “bezdiste” me “Ch, Ch, Ch” – shin nga fillimi deri në mbarim të leksionit.
Pastaj furtunë u ndje në anatominë normale të mulazheve dhe kadavrave të dr. Gazmend Velçanit dhe dr. Klementina Llangos, lëndë që s’ mund të harrohet për, lektor dhënësin e përsosur të saj, Prof. Skënder Dautin.
Nuk mund të rri pa sjellë në kujtesë, qershorin e vitit 1962, kur të raskapitur nga përfundimi i vitit të parë, në vend të fillonim pushime vere, në pikën e vapës së korrikut e të gushtit, na nisën në garnizonin e Korçës, me në krye majorin e “egër” të lëndës së Përgatitjes Ushtarake, Koço Koruni, për të kryer 45 ditë stërvitje ushtarake, në kushtet e ushtarëve të zakonshëm të repartit, në kapanonin e fjetjes dhe në sallën apo më mirë “stallën” e ushqyerjes. Me këto “vuajtje” hajt të përballoje marshimet pa mbarim në fushën e Korçës, në drejtim të Dëshnicës apo Boboshticës si dhe ngjitjet e gjata në malin e Moravës dhe ecjet deri në Hoçisht e Ziçisht të Devollit.
Kjo bëri që kolegë të sëmureshin, të tjerë të thyenin rregulloret e repartit e të izoloheshin në qeli, duke i mbajtur disa deri në përfundim të 45 ditëve të stërvitjes, siç qe rasti i shokut tonë të paharruar Pirro Papa. Kështu në fund, kompania jonë nisur me tri toga, u katandis me një togë e gjysmë.
Në vitin e dytë, rrëzime ndodhën në lëndën e biokimisë të pedagogut “huqli” Vasil Bilushi, i cili na “torturoi” me kërkesat e “ciklit të krepsit”.
Që këtë vit e, sidomos, në atë të tretë u “zhytëm” në lëndët teorike profesionale mjekësore, të cilat më shumë na “trembnin” me volumin, se sa me vështirësitë në përvetësim. Në këto lëndë, ndër më kryesore, ishin fiziologjia “eksperimentale”, me kavie e lepuj, e burrit të “qetë” Prof. Munir Karagjozi; histologjia e “preparateve” e Prof. Skënder Çiços, që ishte edhe zëvendësdekan për anën mësimore; mikrobiologjia e “mikroskopit” e Prof. Shemshedin Kokonës; fiziologjia patologjike, apo “fizpati” i të pandjeshmit, por tepër të respektuarit, që fatkeqësisht u largua para kohe nga kjo jetë, Prof. Përparim Tepelenës, që ishte edhe zëvendësdekan për anën shkencore; farmakologjia e “nursëzit” Prof. Petrit Kokalarit; anatomia topografike e “babaxhanit”, Prof. Fiqiri Bashës; higjiena e përgjithshme e Prof. HamzaMemit; si dhe anatomia patologjike e “batutaxhiut” e “trazovaçit”, Prof. Pëllumb Bitrit.
Besoj se u kujtohet kolegëve të miqë, kur ishim në vitin e tretë, Prof. Pëllumbi, mbrojti disertacionin për kandidat shkencash, me temë: ndryshimet morfologjike të dizenterisë, dhe herën e parë nuk e mori se oponenti, mikrobiologu i shquar, dr. Luigj Benussi u shpreh kundër, pavarësisht pozitivitetit të fortë të dy oponentëve të tjerë, politeoricienit të njohur dr. Orest Papadhimitrit e dr. Ylli Xhagjikës si dhe duartrokitjeve të shumta aprovuese nga pjesëmarrësit në sallë. Për situatën inkandeshente të përjetuar, në leksionin e dhënë, pas kësaj ngjarjeje kursi jonë e priti Prof. Bitrin me duartrokitje e me buqetë lule mbi podium.
Në vitin e tretë filluam me lëndët e mirëfillta mjekësore, ato që merreshin direkt me të sëmurin, si propodeutika dhe kirurgjia e përgjithshme, për të vazhduar në vitin e katërt e të pestë me morinë e lëndëve të specialiteteve. Pikërisht në këto vite na dukej se po bëheshim mjek e ndjenim se ishim duke shkuar drejt finishit. Edhe pse numri i këtyre lëndëve ishte i shumtë, kënaqeshim kur shkonim sa tek njëra dhe tjetra klinikë, ku na prisnin, profesorët e nderuar, secili kolos në specialitetin e tij.
Kështu unë, edhe pas shumë vjetësh, ruaj mendimin se Profesorët e mi kanë qenë shumë të mirë, shumë të aftë dhe të zot, ndaj ndjehem krenar që më kanë mësuar e më kanë nxjerrë mjek.
Janë këta profesorë që kanë krijuar e themeluar gati gjithë klinikat e katedrat, shumica e të cilave, mbajnë emrat e tyre.
Degë – Specialitete – Personalitete
Në këtë vit të shënuar të 55-vjetorit kujtojmë dhe numërojmë me mirënjohje të thellë, të gjithë mësimdhënësit e këtyre lëndëve:
- Mësimdhënësit e Sëmundjeve të Brendshme: Profesorët, Fejzi Hoxha, Shefqet Ndoqi, Nikolla Shurbani, Ylli Popa, Petrit Selenica, Aleko Vesho, Petraq Vesho dhe Hysni Rusi.
- Mësimdhënësit e Kirurgjisë: Profesorët, Petro Cani, Fredinand Paparisto, Llambi Ziçishti, Petrit Gaçe, Tik Theodhosi, Simon Çapeli, Dhimiter Shyti, Besim Elezi, Margarita Basha, Rushen Golemi, Panajot Boga, Pëllumb Karagjozi dhe Arqile Andrea.
- Sëmundjeve të Fëmijëve (Pediatrisë): Profesorët, SelaudinBekteshi, Afërdita Gusho dhe Thoma Kristo.
- Sëmundjeve Infektive: Profesorët, Nikolla Dushniku, Myftar Muço dhe Jahja Pulo.
- Obstetrikë-Gjinekologjisë: Profesorët, Koço Gliozheni, Ilir Gjylbegu e ViktorTheohari.
- Sëmundjeve Nervore: Profesorët, Bajram Preza dhe Niko Avrami.
- Sëmundjeve Psikike: Profesorët, Xhavit Gjata, Hiqmet Dibra dhe Ulvi Vehbiu.
- Sëmundjeve të Lëkurës e Veneriane: Profesorët, Kadri Kërçiku, Mihal Caridha, Shyqyri Basha dhe Kleo Miho.
- Otorino-Laringologjisë: Profesorët Besim Zyma, Spasse Trimçev dhe Anesti Boçka.
- Okulistikës: Profesorët Kristo Kristidhi dhe Andrea Aroni
- Mjekësisë Ligjore: Profesorët, Bashkim Çuberi dhe Pavlo Pavli.
- Stomatologjisë: Profesorët, Xhevdet Asllani, Dhori Pojani dhe Osman Hoxha.
E pa shpjegueshme është që sot nuk gjen klinikë të emërtuar vetëm me emrat e dy kolosëve kryesorë të mjekësisë shqiptare, të Prof. Fejzi Hoxhës dhe Prof. Petro Canit. Nuk e di nëse është harresë, ngatërresë, apo çfarë? Për këtë, në takimin e 50 vjetorit, të gjithë i kërkuam Rektorit të nderuar të Universitetit të Mjekësisë, Profesor Arben Gjatës, pjesëmarrës në këtë takim, që brenda mundësive dhe kompetencave, të japë një zgjidhje të mundshme.
Gjithashtu, ndjehem shumë i privilegjuar, kur kujtoj se, për dy vjet, kam pasur dekan krijuesin e drejtuesin e parë të Fakultetit të Mjekësisë, njeriun e mendimeve te thella dr. Medar Shtyllën, ndërsa tre vjetët e fundit shkencëtarin, Prof. Hiqmet Dibra, i cili bashkë me mendimtarin e pashterur për arsimin, Kahreman Ylli, në detyrën e Rektorit të Universitetit të Tiranës, kanë nënshkruar diplomën time të mjekut.
Kënaqem sa herë që shikoj polifoton prej 100 vetash, të shokëve, dhe më vjen keq se në të mungojnë 28 vetë. Por, mbi të gjitha kënaqem që, në rreshtin e parë dhe të dytë, shoh e çmallem me fotografitë e shumicës së profesorëve e pedagogeve të nderuar, që përmenda më lart dhe emocionohem kur gati të gjithë janë ndarë nga jeta.
Distiktivi i 50-vjetorit
… Dhe ne nuk i zhgënjyem, ecëm në gjurmët dhe realizuam ëndrrat e tyre
Sot, prej nesh numërohen 35 me grada shkencore, 13 profesorë, 7 profesorë të assocuar dhe 15 doktorë shkencash.
Nga 147 të diplomuarit e kursit, 128 qenë mjek dhe 19 stomatolog, prej tyre 30 femra. Sipas rretheve, 60 ishin tiranas, 14 vlonjatë, 9 durrsakë, 8 korçarë, 8 fierakë e dy deri në tre ishin nga rrethet e tjerë. Në kursin tonë nuk pati të diplomuar për Përmetin, Librazhdin, Pukën, Mirditën e Gramshin.
Pas diplomimit u bë shpërndarja, secili në rrethin nga vinte, përjashto disa tiranas që u çuan në krahina të veriut.
Besoj se kujtohen kontributet tona mjekësore të dhëna në tri drejtime kryesore:
Në 20 rrethe, me kolegë tonë, për herë të parë, u hap shërbimi sanitar epidemiologjik.
Caktimi i tyre në këtë pozicion u bë direkt nga Ministria e Shëndetësisë. Para fillimit të punës, 20 higjienistët dhe epidemiologët e emëruar, të organizuar, kryen një kualifikim 3 mujor, në Tiranë.
Një pjesë tjetër, po nga Ministria e Shëndetësisë, u emërua mjek fshati.
Edhe këta para fillimit punës në qendra shëndetësore kryen një kualifikim 3 vjeçar në spitalet rajonale të rretheve.
Ndërsa shumica e tiranasve u caktua në klinikat e fakultetit, të spitaleve qendrore, të cilët që në fillim rritën dijet dhe aftësitë profesionale duke u bërë figura të njohura të mjekësisë shqiptare dhe të mësimdhënies në Fakultetin e Mjekësisë.
Mjaft prej tyre, për një kohe të gjatë, kanë drejtuar katedra, klinika, shërbime apo departamente të ndryshme mjekësore. Madje, Prof. Skënder Skenderaj, një periudhë, ka qenë zëvendës Dekan i Fakultetit të Mjekësisë.
Lartësimi i vazhdueshëm profesional e shkencor solli që, sot, prej tyre, të numërohen 35 me grada shkencore, 13 profesorë, 7 profesorë të assocuar dhe 15 doktorë shkencash.
Profesorë arritën të bëhen: Bashkim Resuli, Krenar Preza, Flamur Tartari, Profit Canaj, Lluka Heqimi, Sulejman Zhugli, Gojart Cerga, Xhevdet Harasanaj, Ylli Sarolli, Durim Bebeci, Kozma Tavanxhi, Skënder Skenderaj dhe Minella Kapo.
Profesorë të assocuar: Liri Pema (Fortuzi), Violeta Gjino, Nexhmije Subashi (Kasa),Vangjush Golloshi, Arben Hoxha, Ylli Sallavaci dhe Albert Sotiri.
Doktorë shkencash: Engjellushe Mezini (Laro), Agetina Matia (Dushi), Drita Harasanaj (Zeneli), Ramazan Xhaja, Spiro Mëhilli, Faik Toska, Shaban Malaj, Tasim Demi, Lutfi Zhegu, Dhimitër Xhaferi, Kosta Koçi, Pirro Papa, Luftulla Ceka, Ismahil Sula dhe Rudi Kapshtica.
Por, për kursin është nder që, aktualisht, një prej kolegëve, profesor doktor Bashkim Resuli të jetë anëtar i Akademisë së Shkencave Shqiptare. Shumë profesorë të tjerë, kanë qenë dhe janë anëtar të komiteteve, senateve, komisioneve e shoqatave të rëndësishme mjekësore ndërkombëtare, si dhe të përfshirë edhe në fjalor biografish. E gjerë ka qenë dhe është veprimtaria e tyre në fushën e botimeve shkencore si autor e bashkautortë librave të shumtë mjekësor, secili në fushën e tij.
Me këtë rast kujtoj se disa nga kolegët kanë dhënë kontribut si mjek, punonjës shkencorë dhe mësimdhënës në fushën e sportit.
I tillë është shkodrani i mirë, Zyhdi Çoba, i cili prej mbarimit të studimeve ka qenë mjek i klubit sportiv “Vllaznia”, dhe për një kohë edhe mjek i skuadrës kombëtare të basketbollit.
Po kështu, Minella Kapo, një drejtues dhe veteran i sportit, në moshë të avancuar, mbaroi fakultetin e mjekësisë, me ne, dhe punoi gjatë gjithë kohës mjek sportie mësimdhënës në shkollat sportive, nga ku mori edhe titullin profesor.
Pas gati një dekade pune të suksesshme, si kirurg, në mjekimin e të sëmurëve në spitale, filluan dhe vazhduan punën deri në fund në mjekësinë sportive edhe dy profesorët, Profit Canaj e Lluka Heqimi, titull përfituar nga puna e tyre në këtë sektor. Ata kanë ligjëruar leksione, kanë kryer studime, kanë shkruar libra dhe kanë qenë mjek sportiv të skuadrave në klube dhe në ato kombëtare. Profiti për një kohë ka qenë drejtues katedre dhe departamenti i mjekësisë sportive në ish institutin e Fizkulturës, sot Akademia Sportive.
Por, me këtë rast, dua të shkruaj edhe dy fjalë për punën në një sektor të veçantë të njërit prej kolegëve tanë, të dr. Flamur Topit. Ai prej diplomimit vazhdon të punojë në Televizionin Publik Shqiptar, në drejtimin e emisionit më popullor të vendit, “Trupi dhe Shëndeti”. E çuditshme është se, po vete rreth të 80-tave dhe nuk po e shkëpusin nga ky emision.
Nuk e kuptoj, tu ketë pëlqyer më shumë“zëri” apo “buzëqeshja” e tij. Por, më duket se televizionit e dëgjuesve të shumtë, u ka pëlqyer puna, vullneti, pasioni dhe përkushtimi për ta çuar këtë emision në rritje të mëtejshme. Prandaj dhe i kanë dhënë titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
Gjithashtu, titulli “Mjeshtër i Madh” u është akorduar edhe profesorëve, Flamur Tartari, Sulejman Zhugli e Profit Canaj si dhe Doktor Dhimitër Xhaferit, për kontribute të veçanta dhe të spikatura në fushën e specialiteteve përkatëse.
Por edhe pjesa e kolegëve, që punuan në rrethe, në veçanti ata në skajet më të thella e të largëta të fshatit, kanë qenë e përkushtuar në lartësimin edhënies së shërbimit mjekësor, pavarësisht se ndeshën mungesa të shumta nëaparatura mjekësore e mjedise deri në komunikim e transport. Niveli i ulët ekonomik dhe kulturor ishte pengesë kryesore për përmirësimin e higjienës. Këto ndikuan, sidomos, në mirërritjen e fëmijëve, për pasojë në vdekjen e tyre. Shkalla e këtij treguesi, ka qenë vlerësuesi kryesor i karrierës së çdo mjeku dhe punonjësi tjetër.
Ne që kemi punuar në këto terrene e kohëra, kemi hasur vështirësi, por kemi parë edhe përpjekje titanike të mjekëve për të ndihmuar të sëmurët në çdo kohë e cep të territorit, të cilët për shërbimet e kryera, kanë marrë gjithmonë,mirënjohjen dhe admirimin më të lartë të sëmurëve, të afërmve dhebanorëve të shumtë.
Për këtë kontribut shumë kolegë janë dekoruar me urdhra e medalje të kohës. Madje, disa vazhdojnë të vlerësohen ende, duke u shpallur “Qytetar Nderi” në vendet ku kanë punuar.
Krahas punës kurative, në rrethe është bërë edhe punë shkencore. Vetë titulli Doktor i Shkencave Mjekësore i kirurgut Dhimitër Xhaferi në Sarandë dhe i neurologut Kosta Koçi ne Vlorë e tregon më së miri këtë.
Figura e tyre, niveli profesional dhe talenti drejtues e organizues, kanëbërë që disa kolegë të menaxhonin institucione në nivele të ndryshme, nga përgjegjës reparti, shërbimi e deri drejtues të shëndetësisë në qendëre rrethe.
Për një mandat Neki Dredha, ka qenë i zgjedhur kryetar në një prej bashkive më të mëdha të vendit, në Vlorë. Disa të tjerë kanë qenë drejtues në administratën qendrore deri në majën e saj. Kështu, Luftulla Ceka ka qenëpër mjaft vite zëvendës ministër i shëndetësisë, për pak muaj në këtë pozicion ka qenë edhe Durim Bebeçi. Inspektor të shëndetësisë në Këshillin e Ministrave, në kohë të ndryshme, kanë qenë Skënder Skenderaj e Zefir Harxhi. Në aparatin e Ministrisë së Shëndetësisë, në pozicionin e drejtores së drejtorisë nëna e fëmija ka punuar, Fatmira Basha, e në atë të inspektorit, Faik Toska. Ndërsa Kosta Koçi e Kozma Tavanxhiu kanë qenë të zgjedhur deputetë të Kuvendit, për një periudhë njëvjeçare.
Mjekë të njohur, por edhe artistë dhe shkrimtarë të njohur
Është interesant se nga kursi ynë një pjesë shokëve dhe e kolegëve tanë janë dalluar edhe si artistë dhe krijues të letrave.
Kështu, Spiro Mëhilli ka botuar 28 libra, gati sot ai mund të konsiderohet një shkrimtar i mirëfilltë.
Flamur Topi ka shkruar e botuar libra për fëmijë, kryesisht të karakterit fantastikë e shkencor.
Çerçiz Myftari ka shkruar mbi 10 libra, 4 në prozë, një nga këto në gjininë e përrallave për fëmijë dhe 6 libra me poezi.
Neki Dredha, ka botuar mbi 4 libra me poezi dhe mjaft artikuj në shtyp për jetën e veprimtarinë e mjekëve të shquar të Vlorës dhe më gjerë.
I ndjeri Shefqet Domi, ka shkruar dhe botuar 3 libra, kushtuar trevës së tij, sidomos për historinë e Kalasë së Dodës, ndërsa librin e katërt ”Një jetë e tërë me bluzë të bardhë në shërbim të njerëzve” e la në mes, se sëmundja e keqe dhe e rëndë i ndërpreu jetën.
Shaban Malaj ka shkruar librin me tregime “Dikur në Kolgecaj”.
Dhimitër Xhaferi, veç shkrimeve profesionale mjekësore, shpërtheu edhe në fushën e përkthimit.
I paharruari Flamur Tartari ka shkruar e botuar mbi 18 volume librash, për figurat e vjetra e të reja të mjekëve shqiptar. Por ai ka qenë edhe një publicist i përhershëm i shtypit.
Lluka Heqimi është shquar për shkrime monografike, në veçanti, për profesorët tanë të nderuar Petro Cani, Fejzi Hoxha, Petrit Gaçen, Aleko Veshin, Luigj Benussin, dr. Dhimitër Xhaferin. Janë shkruar libra edhe nga prof. Albert Sotiri, doktor Jani Çeliku e të tjerë kolegë, për biografit e tyre, historinë e institucioneve apo të gjithë shëndetësisë së një rrethi si dhe të fshatrave e trevave të ndryshme.
Ku janë sot shokët tanë?…
Sot jetojnë gjithsej 77 mjek e stomatologë, prej tyre 17 jashtë shtetit, ndërsa 70 tëtjerë kanë ndërruar jetë, gjysma e tytre në këtë 10 vjeçar të fundit, gati gjysma. Vetëkuptohet rritja e moshës ka bërë të sajën.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!
Të 17 kolegët jashtë vendit, janë të shpërndarë, në këto shtete: shtatë në Greqi, një në Itali, një në Britani dhe tetë në Amerikë.
Ndërsa 60 mjekët e stomatologëtqë, aktualisht, jetojnë Shqipëri, janë të shpërndarë në këtë mënyrë: 47 jetojnë në Tiranëdhe 13 në rrethe(pesë në Durrës, një në Sarandë, një në Memaliaj, dy në Vlorë, tre në Korçë dhe një në Shkodër). Është kënaqësi që një pjesë, edhe pse zyrtarisht janë shkëputur nga klinikat shtetërore, vazhdojnë ende të punojnë me kohë të pjesshme, ka e ndonjëqë punon me orar të plotë në klinika e laboratorë privatë. Disa japin leksione në universitete private, rrallë në shtetëror, më shumë si pedagogë të jashtëm, të tjerë aktivizohen në shoqata.
Takimi i 50-vjetorit
Dëshiroj të vë në dukje se në festimin e 50-vjetorit, në qershor të vitit 2016, ish kursi ynë, për herë të parë në historinë e gjithë të tjerëve, u dekorua nga Presidenti i Republikës me: Urdhrin “Naim Frashëri”, me motivacionin, “Për kontributin e tyre pesëdhjetëvjeçar dhënë me ndërgjegje, përkushtim dhe profesionalizëm të lartë, në drejtim të përsosjes së shërbimit mjekësor në Shqipëri, duke realizuar shtrirjen e tij nëpër fshatra si dhe duke u kushtuar përparësi profilaksisë dhe parandalimit të sëmundjeve”.
Po kështu, Rektori i Universitetit Mjekësor të Tiranës, Prof. Arben Gjata, vlerësoi çdo ish student me “Certifikatë Mirënjohjeje”, me motivacionin, “Për kontributin e pareshtur 50-vjeçar në shërbimin mjekësor”.
Ndërsa prej organizatorëve të takimit iu dha secilit distinktivi “50 vjet mjek, 1966-2016”.
*Ish-përgjegjësi i kursit