Të dhëna interesante arkivore për normalistët skraparllinj të vitit 1931

 Të dhëna interesante arkivore për normalistët skraparllinj të vitit 1931

-Shembuj pedagogjikë që vlejnë edhe për mësuesit e sotëm –

 

Nuri Çuni

 

Duke shfletuar disa numra të revistës “Normalisti”, na  ranë në sy emrat e tre normalistëve skrapars të vitit 1929, 1931, të Maksut Mëlovës, Selman Cergës dhe Ismail Zaimit. Dokumenti dëshmon për rregullin dhe disiplinën mësimore, për detyrat që jepeshin, por edhe si kontrolloheshin ato.

 

 

Është interesant, që atë që ne sot e quajmë karakteristikë dhe që pasqyron punën dhe përpjekjet e nxënësve, në atë kohë i jepej shumë rëndësi. Nxënësit i bëhej një portretizim i gjallë dhe konkret psiko-pedagogjik, me qëllim që të njihej mirë nga mësuesit dhe të punohej në mënyrë të diferencuar me të. Krahas kësaj ata ngarkoheshin edhe me detyra jashtëshkollore, kryesisht për të mbledhur folklorin popullor që konsiderohej si një nga pasuritë e rralla kombëtare.

 

 

Në revistën “Normalisti” nr. 3 – 4, 1931, shkruhet ky jetëshkrim i bërë vet nga normalistët, ndërsa karakterizimine ka shkruar editori:

 

 

 

 

Ismail Zaimi

 

 

Zaimi I. Është lindur më 28.11. 1908, në Ermenj të Skraparit. Më 1919 ka hyrë në shkollën plotore të katundit, ku ka bërë tre vjet me radhë e mbasandaj ka ndjekur mësimet në plotoren e Beratit, të cilën e ka mbaruar më 1925. Qysh prej kësaj dite ndjek mësimet në  gjimnazin e Beratit deri më 1928. Në këtë vit merr bursë e vjen Normale, hyn në rendin e III – të dhe  e mbaron për tre vjet.

 

 

Njeri i paqëndruarë në punë. Do të bëhet si të thotë ai; e po të jetë e mundur të bisedosh me të, do si e si të ta hedhë. Fytyra qesh vetëm  përbrenda, se përjashta rri shumë e fshehur. I flet njësoj si profesorit ashtu edhe  nxënësit  të Ushtrimores.

 

 

Është edhe pak nevrik, e po u nxeh mezallah se ia kthen mendjen. Punon në mësim, përdor atë kuptimoren edhe e fut në punë, sidomos në Histori Natyre e Gjeologji, ku dëshiron studime e shpjegime. Fort qejf ka të jetojë në majë të Tomorrit. Ndenjën estetike e ka të zhvilluar mjaft, por nuk e tregon.

 

 

 

 

Selman Cerga

 

 

Cerga S. Lindur në Vërzhezhë të Skraparit më 25.3. 1913. Më 1922 hyn në shkollën e katundit drejtpërsëdrejti në rendin e II – të, mbasi prindërit e kishin mësuar të këndojë e të shkruajë. Më 1923 hyn në rendin e IV – të, pse ishte bërë gati në kohën e pushimeve. Më 1924 – 1925, bën rendin e V – të dhe kërkon bursë për në Liceun e Korçës, mirëpo ajo iu dha në Normale.

 

 

Meqenëse nuk kishte mbaruar rendin e VI – të, e bënë këtë gjer më 1926 në Elbasan, duke ndenjur në Internatin e Normales. Më 1926 fillon mësimet në Normale, të cilën e mbaron për pesë vjet.

 

 

I çuditshëm fort, çdo gjë kërkon të bëj shpejt e shpejt pa menduar përfundimin. Sytë i mban të mbushur me lot… Vullnet ka edhe punon mjaft. Do të jetë i rregullt i përpiktë.

 

 

Fjalë të vjetra të gjetuar nga ay më 1931:

 

 

  1. Ç’ bën mbi shokë, gjen mbi kokë.
  2. Dy shaka bëjnë një të vërtetë.
  3. Dy duar janë për një kokë.
  4. Delja te kullotë, atje lë leshtë.
  5. E liga bëhet sa të fërkoç synë.
  6. Kur të jesh në fshat tënd, ka të tjerë pleq me mënt.

7.Kur të jesh në fshat të huaj, si të bjerë cyla luaj.

  1. Kush mungon bluan.
  2. Kush ep paratë i bie cylës.
  3. Kali i botës të lë mbë udhë.
  4. Mos i luaj petën se i dalin lakrat.
  5. Mos u bëj si luga në llallë.

13.Mos u hap si vaji i lik në lakra.

  1. Mos u zërë për të bardhën e larskës.
  2. Mos zërë vrimën e gjarprit me dorën e botës.
  3. Mos prish një kazan jani për pesë para piper.
  4. Më mirë të rritesh ngadalë një mijë vjet si selvija, e jo në një mot shpejt si

      kungull.

  1. Nuk fryhet ariu me miza.
  2. Na rruatë rredhi e shtrati copë.
  3. Për një thelë ep një pelë.
  4. Pula s’ke me dhelprën ç’ke.
  5. Rakia siç rri në shishe, nuk rri në barkut.
  6. Sa të vejë davaja te kadiu, lëkura vete te qyrkçiu.
  7. Turpi të lë gjysmë njeriu.
  8. Të dihej e mira e kaut, s’bëhej pastërma.
  9. U bë kungulli e mori gardhë.

 

 

 

Maksut Mëlova

 

 

“Normalisti” nr. 1, 1929, shkruan: Maksut Mëlova ka mbledhur në fshatin e tij në vitin 1929, këto fjalë të urta:

 

 

  1. Më mirë të flesh pa darkë se sa të gdhihesh me borç.
  2. Mos hith gurë në baltë, në do që të mos lyhesh.
  3. Sa t’i vijë qejfi agait, i del shpirti fukarait.
  4. Më mirë djepja thatë, se sa shejtani brenda.
  5. Kur të nisesh për në gosti, lidhe pulën për këmbe.
  6. Dardhat e qullta i ha breshka.
  7. Paraja e bardhë për ditë të zezë.
  8. Çudi me punrat e kësaj jete: në paç bisht ta presin, po s’pate ta ngjisin.
  9. Sa të jetë lalë Gjoni,

    Hani, pini e këndon,i

    Kur të vdesë lalë Gjoni,

    Merrni trastën e kërkoni.

  1. Mos e bëj mik devenë, se do portën të madhe.
  2. Mos i përzej kumbullat me arinë.
  3. Më mirë pesë ditë kaposh, se sa motmot e pulë.