Teqja e Prishtës, histori me gjak shenjtësh

Teqja e Prishtës, histori me gjak shenjtësh

Çdo 18 gusht teqeja e Prishtës në Skrapar, një ndër institucionet fetare të sektit bektashian më me famë dhe më me emër në Shqipëri, e njohur më shumë si një institucion bamirësie dhe shkollë e punës, se sa një objekt kulti, ka festë.

 

 

Kryegjyshata e Botërore e Bektashinjve në Stmboll, pas reformave të Mustafa Qemalit në Turqi, të ndarjes së fesë nga shteti, u transferua në Shqipëri. Një pjesë e dokumenteve të saj erdhën fillimisht në në teqenë e Prishtës. Ishtë kjo arsyeja që  nga datat 14 deri 17 janar 1921, në Teqenë e Prishtës u zhvillua Kongresi i Parë Bektashian i Shqipërisë. Në këtë kongres u morën vendime të rëndësishme, një nder të cilët, qe Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve të vendosej në Tiranë.

 

Brezat e klerikëve bektashinj që kanë shërbyer në këtë teqe kanë qenë njerëz që kanë respektuar dhe janë mbështetur te puna duke e kthyer teqenë në një fermë gjigante me të ardhura të konsiderueshme, por si dhe të gjitha teqetë, në vatra patriotike.

 

 

Teqeja e Prishtës është ndërtuar në vitin 1850 në vendin e quajtur Kisha. Dhe në fakt kur është ndërtuar teqeja janë gjetur themelet e kishës. Deri në mesin e shekullit të 19-të (1850) prishtallinjtë kanë qenë myslimanë të sektit helveti me përfaqësuesin më në zë, Malko Shehun e Lazellarëve, një lagje e njohur në Prishtë. Pas kësaj kohe hyri sekti bektashi i inkurajuar dhe nxitur nga rilindësit.

 

 

Përfaqësuesi i parë i bektashinjve të Prishtës ka qenë Baba Tahiri nga fisi i Kotobellëve, i cili themeloi edhe teqenë e pare. Lufta për dominim të dy sekteve fetare solli mosmarrëveshje jo të vogël në fshat, pasi fshatarët u ndanë sipas fiseve duke përkrahur njërën apo tjetrën palë. Natyrisht sekti helveti, radikal, që kishte dominuar deri në atë kohë, ishte i destinuar të ulte armët e të dorëzohej para reformave të reja të bektashinjve që ishin më të pranueshme, më liberale, më të zbatueshme, por edhe sepse ato në thelb e shtronin më mirë dhe më drejtë çështjen kombëtare. Ndërsa helvetinjët ishin më fanatikë dhe veç pushtetit ushtarako-fetar turk nuk kishin ide tjetër.

 

 

Ka pasur edhe një ngjarje tjetër që e detyroi Malko Shehun që, veç fshatit, të bëhej edhe vetë bektashi. Në kulmin e konfliktit në Prishtë ra një breshër shumë i madh që s’mbahej mend të kish rënë ndonjë herë dhe që prishi gjithçka. U hap fjala se këtë breshër e solli baba Tahiri për të treguar forcën e tij dhe të frymëzuesit shpirtëror të bektashinjve, Haxhi Bektash Veliu për të pabindurit. Pas kësaj doli edhe kënga që këndohet edhe sot, pas gati 160 vjetësh: Prishtë e mjerë, moj Prishtë e mjerë,/Shkëmbinj e kërcunj për derë…/Baba Tahiri u thye nga Tomorri,/Një re të bardhë nxori/Mos dëgjoni Malko Shehnë,/Po besoni Tahir Dedenë…

 

 

Pas vdekjes së Baba Tahirit që i kishte dhënë famë Teqesë së Prishtës, në vend të tij erdhi Baba Xhaferri nga Luzati i Tepelenës, njeri i dhënë pas fesë, i zgjuar, i aftë për t’u futur në zemër të njerëzve, aq më tepër që ai tregonte shenja të larta besnikërie dhe respekti për paraardhësin e tij, Baba Tahirin. Në këtë mënyrë ai fitoi dashurinë dhe simpatinë e gjithë besimtarëve të kësaj teqeje, jo vetëm të Prishtës e të fshatrave për rreth, por edhe në fshatrat në thellësi të Skraparit dhe matanë të Dëshnicës.

 

 

Rritja e autoritetit të Teqesë së Prishtës në kohën e Baba Xhaferrit bëri që të vini në teqe shumë besimtarë dhe të shtoheshin dhuratat. Kurbanët që ishin taksur dhe që vinin aty, me qenë se ishin shumë, nuk konsumoheshin brenda ditës. Kështu që u krijuan tufa me të imta. Brenda 15-20 vjetëve, me të ardhurat e krijuara dhe të administruara mirë, Baba Xhaferri bleu tokë për teqenë në fshatrat Sukë, Dervishas dhe Goricë të Dëshnicës. Në Sukë ai ndërtoi edhe një teqe tjetër që të ishte afër zonës së Këlcyrës, në Bënjë një mulli etj. Në anën e Skraparit ndërtoi mullirin e Mërqinjës, ndërsa me taksën e tregut ndërtoi shkollën fillore në Çorovodë. Veë këtyre ai bleu merá për dhi në Mallakastër dhe merá për dhen në malin e Trebeshinës.

 

 

Pas vdekjes së Baba Xhaferrit në teqenë e Prishtës erdhi Baba Ahmeti nga Paraspuari i Beratit. Me qenë se nuk ia kishte dalë dot me Baba Xhaferrin, që u ishte afruar shumë pronave të tyre me Teqenë e Sukës, duke qenë i ri, Hysen beu i Këlcyrës, gjyshi i Ali bej Këlcyrës, i bën presion Baba Ahmetit për çështje pronësie dhe ndikimi në zonën e Këlcyrës dhe të Dëshnicës. Konflikti qe i ashpër, Hysen beu përdori të gjitha format e presionit, por Baba Ahmeti nuk tërhiqej nga e tij. Atëhere, duke shfrytëzuar influencën që kishte në qeverinë dhe autoritetet turke ai e spiunoi Baba Ahmetin se merrej me veprimtari në dëm të interesave të perandorisë.

 

 

Në vitin 1906 vijnë nga Janina, qendër e vilajetit, në Prishtë, një numër i madh zaptiesh dhe në mënyrë të befasishme bastisin teqenë, ku gjetën abetare dhe libra shqip të botuar në kolonitë shqiptare të Kajros, Sofjes dhe Bukureshtit. Baba Ahmeti arrestohet dhe çohet në burgun e Janinës dhe pas torturash çnjerëzore e vrasin. Vrasjen e Baba Ahmetit e vërteton edhe kënga e ngritur në atë kohë në krahinën e Dëshnicës:Ky beu i Këlcyrës, o gjetët belanë,/Se ç’u bë sebep, vranë Ahmet Babanë…

 

 

Më pas dualën në shesh qëllimet e këqia të Hysen bej Këlcyrës, i cili siç thamë, i shikonte me zili pronat e Teqesë së Prishtës në Sukë, Dervishas, e Goricë të Dëshnicës. Ai joshi dhe nxiti një nipin e baba Xhaferrit nga Luzati i Tepelenës për t’u bërë trashëgimtar i këtyre pronave që kishte vënë Baba Xhaferri. Por plani dështoi pasi në mbrojtje të këtyre pronave doli vetë populli i Skraparit, Dëshnicës, Këlcyrës dhe Tepelenës, që nuk lejoi të prekeshin tokat e Teqesë së Prishtës.

 

 

Pas vrasjes së Baba Ahmetit, në teqenë e Prishtës vjen Baba Shabani, i cili si edhe parardhësit u lidh me rrethet patriotike të kohës. Janë vitet 1909-1911, para Shpalljes së Pavarësisë, kur në të gjithë Skraparin vepronin çetat patriotike të Ali Farmaqit, Tefik e Tajar Vëndreshës, por herë pas here kalonin edhe ato të Çerçiz Topullit, Themestokli Gërmenjit etj., të cilat bazat i kishin në teqe. Tajar Vëndresha e lidhi Baba Shabanit me Babë Dudë Karbunarën, që vepronte në Berat.

 

 

Për veprimtarinë atdhetare të Baba Shabanit flet edhe një dokument i kohës. Një nëpunës i postës së Skraparit me emrin Shemsi Hajro nga Gjirokastra shkruan në ato vite se Baba Shabani ishte anëtar i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, që ishte krijuar nga paria e Skraparit, por dhe se ai kishte bërë një akt të lartë patriotik, duke vënë në dispozicion të pavarësisë së Shqipërisë gjithë influencën morale dhe fetare që kish në popull, por edhe gjithë pasurinë e teqesë.

 

 

Në vitin 1914 Teqesë së Prishtës u plaçkit keqas dhe u dogj, fakt që e bën të ditur shkrimi i më poshtëm botuar në gazetën “Liria e Shqipërisë”. Gazeta mban datën 27 mars (9 prill) 1915. Kronika është shkruar nga Dervish Aliu që shërbente në këtë teqe.

 

 

Ja ç’thotë ai ndër të tjera:“Prishta është një nga fshatrat e Malësisë së Skraparit, ku 60 vjet e po tëhu gjendet Shtëpi Zoti (teqe) pan-bektashiane, në të cilën gjer njëdizanj jetonin afro 30 veta varfë, nën udhërrëfenjësin e shkëlqesisë At Çoban Buzit. Atje ndodhem edhe unë me titullin varfë, si shërbëtor i udhërrëfenjësit tim.

 

 

Këtë shtëpi të madhe hijerore që po rrëfenj e ka djegur njëherë më parë qeveria turke dhe prap u ndërtua, por mjerisht vandalët e Kostës, këlyshët e bushtrës Greqi, duke parë që kjo Shtëpi Zoti epte dritën e zgjimit te populli i paditur shqipëtar, si në të gjithë fshatrat edhe në Prishtë, u derdhë me egërsi: vranë, prenë, plaçkuan Teqenë edhe shtëpitë e fshatit dhe iknë praptazi, ku muarën tok varfë e fshatarë si robër. Në shtëpinë e Zotit pyetnë: ”Ku është at Çobani që do shumë Shqipërinë, duke mbajtur me të ngrënë e me të pirë ata që shpëtojnë nga thonjtë tanë? Ku është varf Abas Mërtinji e varf Ali Tepelena që tërbuan botën me ca paçavure të shtypit shqip? Ah, t’i kishim gjetur, cop i kishim për të bërë! Ah, për fat të keq!

 

 

Si s’i gjetnë dot, u derdhë në qilar të begatshme, muarën ç’u donte barku për të ngrënë e s’lanë gjë prej gjëje; pasandaj vanë në dhomat e Udhërrëfenjësit, në të varfëvet, në gjelltore, në bukaroren, në kafet, në sallë të miqet edhe në të gjitha dhomat ku i muarrë të gjithë shtesat e vlyera. Ç’ t’u them, o këndonjës! Ç’t’u shkruaj, vetëm të katër muret lanë në çdo dhomë që hynë!

 

 

Teqeja e re u ndërtua në vitin 1919. Në vitin 1922 në Teqenë e Prishtës ka ardhur Baba Kamberi nga Pagria e Përmetit. Baba Kamberi ishte një njeri i zgjuar dhe inteligjent. Ai erdhi në Prishtë që nga SHBA. Duke ecur në gjurmët e paraardhësve, ai u kujdes për forcimin e pronës së teqesë. Në kohën e Zogut nuk u përzje me politikë, madje shihej mirë nga qeveria e atëhershme. Po kështu qëndroi deri në fillim të vitit 1943. Pastaj ai u radhit me Ballin Kombëtar duke bërë për vete pjesën dërrmuese të fshatit, midis tyre e dhe Sherif Sejatin (Prishtën), që deri në atë kohë ishte komandant i çetës territoriale partizane   dhe anëtar i Këshillit Nacionalçlirimtar të fshatit.

 

 

Nën presion i Nacionalçlirimtares, Baba Kamberi  në nëntor të vitit 1943 shkoi në Tiranë.  Më pas në këtë teqe erdhën baballarë të tjerë, të cilët si edhe ata më të përparshmit shërbyen mirë dhe me devocion deri në vitin 1966 kur u prishën objektet fetare dhe u luftua feja nga regjimi komunist. Nuk po zgjatemi me historinë e tyre, pasi ajo është diçka më e afërt dhe pak a shumë njihet.

 

 

Në 1967, kur në Shqipëri, u ndalua feja si shumë teqe të tjera në vend, edhe kjo teqe u mbyll. Godina e Teqesë do të shndërrohej në magazina, depo etj. Në vitin 1985, Teqeja e Prishtës u shkatërrua tërësisht. U rihap në vitin 2004.