Tomorrica: Historia e administrimit të këtij lokaliteti me qendër Gjerbësin, nga viti 1945 deri në vitin 1991

Tomorrica: Historia e administrimit të këtij lokaliteti me qendër Gjerbësin, nga viti 1945 deri në vitin 1991

 

Disa nga emrat e drejtuesve kryesorë, punonjësive të administatës, të post-komunikacionit dhe punonjësve të punëve bublike ndër vite

 

 

Hysen Binjaku

 

Në vitet 1945  – 1948 Tomorrica e Skraparit me 30 fshatra  “qeverisej” në nivel lokal nga katër lokalitete:

Zaloshnje, Floq-Rehovë, Zhepë dhe Trebël.

 

 

Në fund të vitit 1948 ndryshon ligji dhe Tomorrica do qeverisej nga një i tillë: lokaliteti i Gjerbësit. Numëri i fshatrave ishte njëzetë e nëntë dhe lokaliteti i Gjerbësit u bë më i madhi në rrethin e Skraparit.

 

 

Në vitet 1949  – 1950 në lokalitetin e Gjerbësit ishte kryetar lokaliteti Isa Lajthia nga Gjerbësi dhe sekretar Hasan Sula nga Zaloshnja.  Në vitet 1951 – 1964, kryetar  i lokalitetit u caktua Taip Metani (Vishanji), i cili kujtohet nga tomorricarët si një shtetar i zoti. Sekretar lokaliteti ka qënë Servet Allajbeu nga Kuçi.

 

Në vitet 1964 – 1970 Kryetar lokaliteti u emërua Nesim Alimadhi nga Kuçi. Për dy vite, sekretar lokaliteti u caktua Baki Çela nga Zaloshnja dhe në vitin 1965 caktohet Nasipe Alushani nga Gjerbësi e cila qëndroi në detyrë deri në vitin 1970, kohë kur shkrihen Lokalitet dhe kjo kompetencë u kalon Këshillave të Bashkuarë.

 

 

Lokaliteti kishte një zyrë të Gjendjes Civile, nëpunës i sëcilës ishte Haki Mahmutaj nga Gradeci – Tomorricë, i cili punoi në atë zyrë deri sa doli në pension. Pas Hakiut, këtë zyrë e drejtoi Mukades Dyrmishi deri në vitin 1992, kohë kur ky shërbim kaloi në kompetencë të komunave që u krijuanë në këtë vit.

 

 

Gjithashtu, Lokaliteti kishin në varësi edhe një Zyrë Postë – Telegraf  me katër punonjës. Përgjegjës i kësaj zyre ishte  Myslim Qato nga Zaloshnja, në varësi të tij ishin një postier dhe dy korrierë.

 

 

 

Për të gjithë ata që nuk e njohin periudhën që po flas, sqaroj se çfarë ishte puna e një postieri dhe korrieri në atë kohë. Postieri merrte postën (gazeta, letra, telegrame, kartolina, pako etj). në Çorovodë dhe brenda ditës duhej t’i sillte ato në Zyrën e Postë – Telegraf  të Lokalitetit të Gjerbësit.

 

Ndërsa korrieri merrte në postë gjithë materialet që i përkisnin fshatrave që mbulonte dhe, deri në fund të ditës së nesërme, duhet t’i çonte ato në çdo fshat dhe aty t’i shpërndante sipas përkatësisë që kishin materialet postare.

 

 

Postier ka qenë (nuk mbaj mend ndonjë tjetër) Hysen Veseli nga Rehova. Detyra e tij ishte të shkonte në mëngjes nga Rehova në Gjerbës, merrte materialet postare dhe i çonte ato në Çorovodë (kishte një mushkë xha Hyseni).

 

 

Në Zyrën Post –Telegraf  të Çorovodës merrte materialet postare të lokalitetit dhe kthehej po atë ditë në Gjerbës për t’i dorëzuarë në Zyrën e Postës.

 

 

E kam njohur  Xha Hysenin (gjatë viteve 1964 – 1968) kur isha në konviktin e Gjimnazit në Çorovodë. Burrë i urtë dhe i palodhur. Për ne, konviktorët nga Tomorrica, ai ishte personi që na sillte lajme dhe ndonjë pako me ushqime apo rrobë trupi nga familjet tona (Hysen Veseli kishte një vajzë në konvikt prandaj kthehej aty sa herë që vinte në Çorrovodë).

 

 

Njëri nga dy korrierët ishte Rakip Biraku nga Barçi. Detyra e tij ishte që në lokalitetet, të merrte materialet postare të fshatrave: Gjokovicë, Kuç, Barç, Rehovë, Floq, Straficë, Vishanj, Përrenjas, Mëlovë, Zaloshnje (ndofta edhe Gjerbës, Ujanik, Gradec, Davidh) dhe, brenda ditës së nesërme, duhej t’i çonte në çdo fshat dhe t’i shpërndante sipas përkatësisë që kishin materialet postare.

 

Njihesha me Rakipin, e kisha takuarë shumë herë.

 

Korieri tjetër ishte xhaxhai im, Fejzi Binjaku nga fshati Çerricë. Detyra e tij ishte që, në lokalitetet, të merrte materialet postare të fshatrave: Grevë, Kovoçanj, Postenë, Leskovë, Zhepë, Çerricë, Gurrazes, Çorrotat, Dobrenj, Burranj, Rromas, Tërrovë, Dunckë, Trebël, Luadh, Shpatanj dhe, brenda ditës së nesërme, duhej t’i çonte ato në çdo fshat dhe t’i shpërndante sipas përkatësisë që kishin  materialet postare.

 

 

Fejzi Binjaku lindi në vitin 1929 në fshatin Çerricë – Tomorricë – Skrapar. Si çdo njeri i lindur në fshat në atë kohë, në fillimet e jetës punoi si bujk në tokën e tij, deri në vitin 1957, kohë kur u ngrit kooperativa bujqësore. Punoi në kooperativë deri në vitin 1959. Në këtë vit filloi punë korrier i Lokalitetit Gjerbës (Tomorricë) Skrapar.

 

Kush e njeh Krahinën e Tomorricës, e merr me mend sa kilometra rrugë duhej të bënte për të përmbushur detyrën. Gjithë ajo rrugë bëhej kryesisht në këmbë, rrallë qëllonte që të mund të bënte ndonjë pjesë rrugë hipur në ndonjë hajvan samari, të tijën apo të ndonjë udhëtari tjetër.

 

 

Nuk mjaftonte vetëm rruga, çdo ditë duhej të hidhte, të paktën dy herë, lumin e Tomorricës i cili, në dimër, është mjaft i vështirë për t’u kaluar. Shpërndarja e postës duhej të përfundonte të nesërmen e marrjes së sajë në lokalitet, pasi fillonte “rituali”, çdo gjë përsëritej, vinte posta tjetër. Kjo punë vazhdoi deri në fillim të viteve shtatëdhjetë. Në këtë periudhë u krijuanë kooperativat e bashkuara dhe secila nga ato kishte korrierin e vetë të punësuar, si çdo kooperativist, me ditë pune kështu që u shkurtuan vendet e punës për korierët e lokalitetit.

Për mbi dymbëdhjetë vjetë, Fejziu shkeli çdo pëllëmbë të Tomorricës.