Tre vidhat historikë të Çepanit dhe fati i tyre…
Ilmi S.Qazimi
Vidhi është një pemë shumëvjeçare që mbin e vetërritet për sevda edhe në Çepan.
Lëvorja, i thonë lëvozhgë ose zhapë e vidhit, është me ngjyrë të përhimtë në të kuqërremtë me shumë thalpra. Pema e vidhit është një dru shumë i fortë dhe me të drupunuesit e zgjuar e duarartë gjithkund kanë ndërtuar shumë orendi shtëpiake.
Kur ishim fëmijë bënim edhe borije prej lëvoreje vidhi, ashtu siç bënim bilbilë prej degësh të holla arre e panje.
Mbahet mend që në vitet 1945-1970, në fshatin tonë ishin tre vidha që kishin regjistruar sa e sa ngjarje historike: Vidhi i Lalos, Vidhi i Puluzit dhe Vidhi i Gurrës së Çetës.
Ishin të lartë mesatarisht 12-15 metra; trungun e kishin të trashë sa duheshin dy tre vetë krahëhapur pa mezi t’i pushtonin.
***
I pari, quhej kështu sepse ara në të cilën kish mbirë ky vidh madhosh ishte pronë e Lalo Hasan Abazit. Ishte i mirënjohur sepse ai bënte hije përballë derës së ndërtesës së xhandarmërisë dhe milicisë fashiste, e cila u sulmua në dhjetor 1942 nga djemtë e fshatit partizanë dhe më aty nuk shkelën as italianë e as xhandarë.
Më pas ajo ndërtesë u bë zyrë e komunës. Vidhi dukej sikur i bënte rojë rrugës më të gjerëpërdorur nga kalimtarët fshatarë e të ardhur.
Pak më tej tij atij vidhi, deri në vitin 1967, ishte ndërtesa e Mekamit të Dervish Hasanit e ca metra më tutje ishte dhe është Gurra e Madhe, burimi kryesor për ujin e pijshëm të fshatit.
Më vonë aty lart, në një largësi disa dhjetra hapa, u ndërtua Vatra e Kulturës e më poshtë u vendosën zyrat e kryesisë së kooperativës bujqësore, ndërtesa trekatëshe e shkollës që arriti deri 480 nxënës…
Vitet kaluan, pronarët ndryshuan, shumë shira e breshëra ranë, shumë kryetarë e policë erdhën e ikën ,por Vidhi i Lalos mbeti madhështor e krenar për shërbimet që iu bënte njerëzve: Hije e kënaqësi.
Aty nën atë hije çepanllinjtë mblidheshin, për raste të mira edhe të këqia; aty disa pleq tejet të moshuar ish-kurbetlinj kishin vënë nga një gur nën vete dhe luanin domino ose dame duke iu treguar më të rinjve vuajtjet e kurbetit. Aty bëheshin muhabete serioze, por aty lulëzonin edhe thashetheme.
Mbaj mend duke biseduar aty të moshuarit Njazi Laço, që bënte shumë humor; Duçkë Metaj, që në Stamboll i ishte shtrembëruar këmba nga punët rënda; Mane Koçumi, i cili më shumë pëlqente muhabetin serioz; Halim Abazin, sytë e të cilit lëshonin shkëndija mirësie; Dule Dumen, plakun trim e fisnik që së bashku me 80 shqiptarë të tjerë u kish shpëtuar me zgjuarësi turqve kur ishin ushtarë në Qipro; Bedri Osmanin, i vetmi plak që mbante kapele ‘republikë’ në fshat; Syri Zykën, dyqanxhiu ‘i përjetshëm’ dhe më i ndershëm i fshatit…
***
I dyti vidh kishte mbirë mu në mes të gërmadhave të shtëpive të Turhan Puluzit, nipi i të cilit më vonë, duke shkuar pas të ëmës që mbeti e ve dhe u rimartua, do të bëhej dëshmor i atdheut në Makërz të Vithkuqit.
Vidhi vetërritej në qetësinë e tij aksiomatike. Për disa vite u dha strehim falas një çifti lejlekësh.
***
I treti, qe Vidhi i Gurrës së Çetës, teki cili gjithashtu bujtnin çdo vit një çift lejlekësh migratorë, të bukur, seriozë dhe krenarë! Darkave atje nëpër degët e dendura mblidheshin tufa të mëdha zogjsh të tjerë që kalonin natën. Në vidh ‘hipnin’ edhe gjarpërinj në kërkim të vezëve – ushqimit të tyre të preferuar që herë-herë binin në tokë duke trembur e tmerruar kalimtarët dhe sidomos gratë që mbushnin ujë…
Në vitin 1965, kryetari i kooperativës Metush Fodulli, në bisedë me llogaritarin dhe sekretarin e organizatës bazë të parties, Bajram Bregu, vendosi që këtë vidh ta shfrytëzojë për nevoja të ngutëshme të ekonomisë e të kulturës së fshatit: duheshin dhoga për të ndërtuar koçekët e misrit, për të bërë ca rregullime në dyshemenë, dyert e dritaret e shkollës.
Mirëpo që të sharrohej gjithë ajo pemë duheshin specialistë të mirëfilltë të sharrave të pajisur me mjetet dhe dijet e tyre që atëkohë Çepani nuk i kishte. Kryetari bëri një marrëveshje gojore me kryetarin e cooperatives së fshatit Qafëzez të rrethit fqinjë të Kolonjës. Specialistët e sharrave erdhën, kryen punën, morën hakun në të holla sipas normave e kontratës së bërë dhe u larguan.
Një stivë e madhe me dhoga u magazinua konformë tërë rregullave dhe me dokumente të plota, që pasi të stazhionoheshin, do të përdoreshin sipas planit të kryesisë së kooperativës në objektet e parashikuara.
Pak ditë më vonë,befasisht kryetarin e thërrasin urgjent në komitetin ekzekutiv të rrethit Skrapar. Një letër anonime thoshte: “sharrëxhinjtë ishin miqtë e kryetarit, ata morën sa deshën, asnjë dokument nuk u mbajt” etj.
U dëgjua kryetari i kooperativës dhe u verifikua se nuk qendronin asnjë nga ato të anonimit.
***
Edhe Vidhi i Lalos e ai i Puluzit, muaj më vonë, patën të njëjtin fat: Dhoga për nevojat e ekonomisë së përbashkët dhe të kulturës së fshatit.