Udhëtim artistik i vajzës nga Skrapari, Elvira Dyrmishi: Çantat e punuara prej saj tashmë ndodhen në vende të ndryshme të botës 

Udhëtim artistik i vajzës nga Skrapari, Elvira Dyrmishi: Çantat e punuara prej saj tashmë ndodhen në vende të ndryshme të botës 

Quhet Elvira Dyrmishi, është me origjinë nga Skrapari, pinjolle e familjes Dyrmishi nga Koprencka, një familje e njohur, me figura publike, siç ishte ndër ta edhe gjyshi i saj, Kapllan Dyrmishi, dëshmor i punës ndërtuese.

 

 

Elvira ka mbaruar studimet e larta për Kimi Industriale dhe Ekonomik, por ka edhe një pasion tjetër artistik, siç është modelimi  i çantave të dorës për femra. Ajo i bën ato me mjete rrethanore, kryesisht me  fije leshi , pambuku, por edhe aksesorë të tjerë ornamentalë që gjenden shumë lehtë.

 

E nisi thjesht si një kënaqësi estetike, kur ishte me lejen e lindjes dhe priste dy binjakë, vajzë dhe djalë, por shpejt e ktheu atë në biznes. Tani veç punës si ekonomiste ka edhe atelien e saj.

 

Çantat e punuara me grep prej saj tashmë ndodhen në shtete të ndryshme të botës ,“duke bërë që dhe një pjesë e imja të udhëtojë me to” –  thotë ajo duke qeshur.

 

 

Artistja Elvira Dyrmishi ka shpjeguar në një postim të saj në rrjetet sociale se koleksioni  vjen në modele dhe ngjyra të ndryshme lehtësisht të përdorshme dhe kombinueshme në të gjitha stinët.

 

Ajo shpjegon më tej arsyet pse koleksioni i çantave me dorë është rikthyer në modë, sepse përveçse janë trendi i momentit, i modës, janë edhe praktike në përdorimin e përditshëm. Çantat e bëra me dorë janë sjellë sërish në vëmendjen e shtëpive të modës e cila nuk është anashkaluar as në Shqipëri.

 

 

Por ajo që është për të theksuar, është mesazhi që Elvira ka për moshat e reja që janë në kërkim të vetvetes:

 

 

“I ftoj të rinjtë të përpiqen të gjejnë punën që dashurojnë, sepse  do të jenë të lumtur dhe të realizuar në vendin e tyre si dhe do e kenë mundësinë të udhëtojnë gjithë botën”.