Udhëtim – Guidë: Kalaja e Skraparit

Udhëtim – Guidë: Kalaja e Skraparit

Dizdarët dhe Myzyrët e sotëm të fshatrave Kala dhe Grepckë mund të jenë pasardhësit e familjes së komandantëve të kështjellës që kishin gradën e oficerit osman të kohës, “Dizdar” ose “Myzyr”

 

Në pikëtakimin e lumenjve të Çorovodës dhe Osumit, mbi qytetin e vogël të Çorovodës në malin që vendasit ende e quajnë Kala, perëndon edhe hëna edhe dielli. Në majën konike të malit, sot aty ndodhen vetëm disa rrënoja të asaj që dikur ka qënë e njohur si Kalaja e Skraparit, dikur është njohur me emrin Kalaja e Gjenevizit.

 

 

Kalaja e Skraparit është një kështjellë mesjetare e ngritur mbi një kodër të lartë në jugperëndim të qytetit Çorovodë. Ajo zotëronte rrugën që kalonte nëpër luginën e Osumit.

 

Përmendet për herë të parë me rastin e thyerjes së bullgarëve më 1018 nga bizantinët. Më 1336, kjo kala, sipas kronistit bizantin Joan Kantakuzeni, ra në dorë të malësorëve arbëreshë, gjatë përpjekjeve për të marrë qytetet e vendit që ishin në duart e bizantinëve. Kalaja e Skraparit vazhdoi të përdorej edhe pas pushtimit osman si kështjellë ushtarake. Në shek. XVII është vizituar nga udhëtari i mirënjohur turk, Evliha Çelebiu. Sipas Çelebiut, Kalaja e Skraparit ishte një ndërtim romak. Në shënimet e tij, ai thotë se në krye të kështjellës qëndronte komandanti, që kishte gradën ose quhej Dizdarit.

 

 

Është për të vënë në dukje një fakt interesant, se edhe pas më shumë se tre shekuj, në fshatin Kala dhe në fshatin Grepckë ka edhe sot fise me mbiemrin Dizdari (Xhizdari), që mund të jenë pasardhësit e komandantit të kështjellës.

 

 

Perimetri i Kalasë së Gjenevizit ishte 1000 hapa. Kalaja kishte vetëm një hyrje qëndrore dhe rrethohej me mure që nuk e kalonin lartësinë 2 metra. Brenda rrethimit të saj ndodheshin 45 shtëpi. Sipas Celebias, vite më vonë brenda kësaj kalaje do të ngrihej edhe xhamia e Bajazit Hanit. Përveç mureve rrethuese kjo kala kishte edhe kulla vrojtimi.

 

Kalaja e Skraparit ngrihet në jugperëndim të qytetit të Çorovodës, në bregun e majtë të Osumit, majë një kodre në formë koni. Muri rrethues shquhet më mirë në pjesën veriore, lindore e jugperëndimore të kalasë, në lartësi 0,30 metra deri 2 metra dhe rrethon një sipërfaqe prej rreth 1 hektar. Dallohen dy shtresa muresh ndërtimi që ndjekin të njëjtën vijë, vetëm me ndonjë shmangie të vogël, si në lindje dhe perëndim. Muri i pjesës perëndimore që lidhet me kullën 3 është i ndërtuar me gurë mesatarë të lidhur me llaç gëlqereje me shumë kokrriza rëre të trashë, që shkërmoqet shpejt. Muri ka një trashësi sa 2,6 metra.

 

Nië element tipik i planimetrisë së kalasë të Skraparit janë kullat, dallohen 4 të tilla, në formë trapezi me përmasa të ndryshme. Më e madhe ndër to është kulla qendrore e kalasë që ruhet deri në një lartësi 2 metra. Dy kulla të tjera janë njëra në qoshen e pjesës veriore të kalasë (kulla 1) dhe tjetra (kulla 2) në brendësi të saj.

 

Stera e kalasë ka një planimetri në formë katërkëndëshe me orientim veri-jug dhe kapacitet 150 m3, ajo është e dëmtuar plotësisht në pjesën e sipërme

 

 

Materiali arkeologjik i zbuluar në gërmimet 1989 – 1990 hedh dritë të re mbi disa periudha kronologjike të jetës së këtij vendbanimi, duke filluar me periudhën qytetare ilire deri në mesjetën e vonë.