Udhëtim – guidë nëpër Skrapar: Shpella e Pirogoshit

Udhëtim – guidë nëpër Skrapar: Shpella e Pirogoshit

 

Shpella e Pirogoshit, jo më larg se 3 km nga qyteti i Çorovodës, është një nga monumentet më i interesantë të natyrës në rrethin e Skraparit, që ka tërhequr vëmendjen e studiuesve vendas dhe të huaj.

Ndodhet në krahun e djathtë të kanioneve të Gradecit, në një tarracë natyrore si tip ballkoni, pikërisht atje ku është edhe lartësia më e madhe e shpateve të kanioneve. Që këtej shpaloset një pamje madhështore e ujëvarës së përroit të Radëshit, lugina e lumit me një bimësi të dendur, Bestrevica dhe Vila e Gradecit me arat sa një sofër në mes të shkëmbinjve, ndërsa në perëndim, kalaja e Skraparit me formën e saj karakteristike konike si të një vullkani të fikur.

 

Eksplorimi dhe rilevimi më i plotë i shpellës së Pirogoshit, 1252 m të gjatë, është bërë në vitin 1985 nga një grupet e speleologëve italianë të “Pulia Grotte” dhe “Dauno” dhe mësuesi i pasionuar i gjeografisë, Suat Braçellari.

Më pas, në vitin 1989, një grup speleologësh të Romës eksploruan degëzimin e majtë të saj. Eksplorime kanë bërë edhe speleologë francezë dhe holandezë.

 

Shpella është 30 m e gjerë dhe 5 m lartë,  por veprimet kapricioze të natyrës kanë krijuar forma nga më të çuditshme brenda këtij labirinti nëntokësor, ku ka salla të mëdha dhe galeri të ngushta, ku ka puse e sifone me ujë. Tavanet dhe muret anësorë të shpellës kanë një bukuri mahnitëse të stalaktiteve e stalakmiteve, të kolonave, të perlave të shkëlqyeshme të shpellave të krijuara nga kripërat.

Këto forma të çuditshme bien më shumë në sy në sallat e mëdha, si në atë të Konkrecioneve, të Korridorit etj. Shpella mbyllet me një sifon dhe pus 35 m të thellë.

Fatkeqësisht në vitet ’90 njerëz të papërgjegjshëm kanë prishur një pjesë të hyrjes së shpellës. Dhe në qoftë se do të lihet kështu, rrezikon të dëmtohet më tej. Si çdo monument kulture, ky objekt jo vetëm kërkon mbrojtje, por edhe një promocion më të madh për vlerat që mbart, si turistike ashtu dhe shkencore.