“Udhëtim nëpër Skrapar…”: Prag pranvere në Therepel

“Udhëtim nëpër Skrapar…”: Prag pranvere në Therepel

Ilmi Qazimi

 

Në bashkinë e Skraparit, duke u interesuar për lëvizjet e popullsisë të kësaj zone, mësova për një tkurrje të llahtarshme të popullsisë në fshatra. Mësova se shumë fshatra janë fshirë fare nga harta, pasi nuk jeton në ta asnjë banor. Në disa fshatra të tjerë, dikur emërmëdhënj, si fjala bie, Koprëncka, Staravecka, Qeshibesi, familjet atje janë më pak se gishtat e një dore.

Por ka edhe fshatra që janë ashtu si dikur, me po atë gjallërinë e dikurshme, si fjala vjen, Therepeli, Backa, Radëshi, Potomi etj. Vitet e fundit, në pamundësi të lëvizin, ata kanë filluar që të organizohen punojnë më tepër në organizimin e punëve në bujqësi duke u orientuar në drejtime të caktuara dhe kjo ka sjellë dhe një rritje të mirëqenies së tyre.

 

Duke qenë afër, me një rrugë bashkëkohore të asfaltuar nga TAP – i, që pa gdhirë mirë u gjenda në qendër të Therepelit.

 

U ndodha atje kur këndezi porsa goditi me thikën e mprehtë të këngës së tij errësirën e lagësht të natës pranverore që po largohet e frikësuar. Mjegulla kruhet pas degëve të lisave e lodhur nga nata. Piklat e rralla të shiut rigon puthin furishëm njëra pas tjetrës pllakat e gurta të avllisë rrethuar me filiza të jeshilta bari, kakërdhi delesh e copra balte.

 

Flladi i përzjerë me aromë ferrash e kulprash në lulëzim çvesh paturpësisht lakuriq mënin trungtrashë në sy të zogjve të tulatur që kanë mbërthyer si me gozhdë kthetrat e holla e të murrme  në lastarët e ujëshuara të një hardhie. Disa re notojnë të çmendura në qiellin e arnuar me copa blu të shpuara nga  një rreze e mekur dhe e largët dielli.

 

E lehura e veçuar me “uuuiii” të zgjatur e një buçeje që kërkon partner troket në dritare të kalibes  ku Balon e ka zënë gjumi i pasmesnatës të bujëshme. Nuk thonë kot atyre që flenë deri vonë në mëngjes që “fle si qeni”.

 

Boria e një “Toyote”, së cilës i bie njëri nga shoferët i fshatit, çel portën e habereve  të zymta: ka vdekur më plaku i lagjes, që me zemër të zjarrtë e mendje të mprehtë arriti  majën e nëntëdhjetë e një viteve  të të përpjetës jetësore.

Qëngji laraman me lëvizje të një urituri krenar, ulur në gjunjë nën barkun leshtor,  kërkon sisën e të ëmës gëzoflagur. Kakarisjet e gëzuara të tri pulave kërpe, pikalore e kuqalashe shpërndahen nëpër qilimin e gjetheve të rëna nga degët e kumbullës gërqinjë, hurmës kokrrashumë e përplasen te muri i avllisë së fqinjit, nga ku ndjehet avulli i ngrohtë i bërsive të rrushit që janë vulosur me baltë që në vjeshtë dhe që tani sapo zbrazen nga kazani i rakisë.

 

Maçoku pelushgri, unjur më bisht te pragu i jashtëm i dritares së kuzhinës përdredh buzën e sipërme me gjithë mustaqet e gjata e të serta bojë ulliri të çelur, në shënjë admirimi për gëzimin e ditës së re të vitit të pestë të jetës së vet.

Një motër me emër luleje, e bukur dhe e gjatë si lule shebojë, e vëllai i saj i shkathët me emrin përkëdhelës të mbretit të kafshëve, nisen për të marrë udhën e shkollës me furgon për në qytetin e largët që mbijeton buzë dy lumejve malorë.

 

Kunata emërxhevahiri me petkun e saj pleqëror të zi bën çapa për të mjelë lopën ndërsa e bija e saj kokëunjur fillon përgatitjet për mëngjesin e plotpunshëm.  Uturima qetësigrryese e avionit që kalon nëpër qiell rreket më kot të ndotë për pak sekonda akustikën e virgjër të këtij mëngjesi të spërkatur nga ngjyrat e vjeshtës.

 

E zonja e shtëpisë, rreth të dyzetave, fluturon nga njëra dhomë në tjetrën duke spërndritur gjendjen. Në fytyrën e saj engjëllore endet një gëzim i mbuluar me një velo të lehtë trishtimi: mer celularin dhe pyet për shëndetin e vëllait të saj të sëmurë në kryeqytet, i jep atij këshilla të ruhet nga të ftohtët e parakohshëm të këtyre mëngjeseve.

 

Ajo s’lodhet duke dhënë këshilla  atyre që do mbeten në shtëpi, para se të niset për në  dasmën e vëllait tjetër, i cili po ditën e lindjes  ka edhe ditën e martesës.

I zoti i shtëpisë, një burrë me qetësi hyjnore, fytyrë të rreshkur nga jeta dhe sy që dinë të tregojnë ndjenjat e punës, mikpritjes e çasteve të lumtura familjare, vishet në gri të ëmbël dhe del për të ndihmuar punët mortore të babait të fqinjit, për të nisur pastaj udhën për në  dasmë.

 

Mali Baba përballë, Tomorri i legjendave dhe këngëve epike, nxjerr synë e mbuluar nga bora e dimrit dhe bekon jetën mbarënjerëzore që shkulmon me gjallëri të përhershme ndër këmbët e tij.

Ndërsa lapidari, i ngritur për të përjetësuar formimin e Brigadës së 16 Sulmuese partizane  në qendër të fshatit, pret gushtin, mos i vijë, ndoshta i fundmit i partizanëve të vërtetë të kësaj brigade.