Ujësjellës i ri në Gradecin Qendër

Ujësjellës i ri në Gradecin Qendër

Gradeci Qendër është një fshat i historikisht i vjetër me gjurmët e një kalaje të hershme ilire. I ngritur në pjesën më të thellë të Kanioneve të Gradecit, në lartësinë 200 metra mbi lumë, Gradeci është një nga fshatrat më impozant dhe panoramik të Skraparit.

 

 

I ndodhur mes shkëmbinj gëlqerorë, me fare pak toka buke dhe me mungesën e ujit, ai është marrë kryesisht me blegtori.

 

 

Historikisht ka vuajtur për ujë si për banorët ashtu edhe për blegtorinë. Ka patur vetëm një çesmë në lagjen Guri, e cila e në verë e pakësonte shumë ujin sa krijoheshin radhë të gjata për të mbushur ujë.

 

 

Në vitin 1975 me kontributin e e vet banorëve të fshatit u ndërtua një ujsjellës i vogël që e sillte ujin  me pompë nga Përroi i Zhukëve të Radeshit.

 

 

Pas viteve ‘90 ky ujësjellësi, si çdo gjë tjetër, u shkatërrua. Kështu që fshati mbeti përsëri pa ujë, me të vetmen çesmën e Gurëve si më parë.

 

 

Zgjidhja ideale u gjet para disa kohësh, me një ujë të fshehur nëntoksor në fund të fshatit Koritë, 3.5 km larg Gradecit.

 

Pas shumë përpjekjesh mezi  u sigurua një fond prej 14 milionë lekësh, e cili u katandis në 9 milionë. Sidoqoftë, ujësjellësi u bë. Duke qenë se uji vjen nga lartësia pa nevojën e pompave në depo, shpërndahet pastaj nëpër lagjet e fshatit shtëpi më shtëpi.

 

 

Uji është i mjaftushem në prurje për fshatin. Ai është i një cilësie shumë të mirë dhe  administrohet nga Ndërmarrja e Ujësjellësit  të Bashkisë Skrapar.

 

Në këtë foto paraqitet një nga çezmat e fshatit, çezma e Brahove, që ndodhet në qendër të fshatit. Është ngritur në formë monumentale nga pasardhësit e kësaj familjeje, për të nderuar e respektuar paraardhësit e tyre, pleqtë e shtëpisë, Laton dhe Veziren, që nuk linin udhëtar të kalonte aty pa i dhënë një gotë dhallë apo një gotë ujë.