Vazhdon rrëfimi i kryetarit të delegacionit, Xhoxhi Robo: Pse pala turke nuk na i jep eshtrat e Sami Frashërit  (Pjesa e tretë)

Vazhdon rrëfimi i kryetarit të delegacionit, Xhoxhi Robo: Pse pala turke nuk na i jep eshtrat e Sami Frashërit  (Pjesa e tretë)

Sami Frashëri, për njëmijë e një arsye na takon ne

 

Nuk duhet të lodhemi dhe nuk duhet të thyhemi nga kërkesa që eshtrat e Sami Frashërit të vinin në atdhe, aty ku e kanë nderin dhe vendin. E vërteta është se përpjekje janë bërë vazhdimisht, por ato nuk kanë patur energjinë, forcën dhe argumentin e duhur për t’i bindur autoritetet turke se Samiu për njëmijë e një arsye na takon ne.

 

 

Argumenti dhe kërkesa jonë duhet të niset nga pozita të përparuara, të zhveshura nga nacionalizmi i ngushtë, se Samiu ka identitet të dyfishtë në rrafsh kulturor. Ai i përket sa shqiptarizmit po aq dhe turkizmit. Vështruar në këtë kontekst s’ka si të mos pranohet dhe të mos “zbuten” turqit, se edhe ata, ndërsa thonë se “Sami Frashëri është një thesar për ne”, nuk kanë bërë asgjë për Samiun, edhe varrin ia kanë lënë pa ndonjë kujdes të veçantë. Dhe këto duhen thënë…

 

 

Po t’i shikosh me vëmendje kërkesat nga të gjitha qeveritë tona, që nga ajo e Hoxhës e deri sot, më shumë janë bërë për politikë të brendshme, për elektorat, se sa për motive të forta shkencore, kulturore dhe atdhetare; më shumë për të dalë borxhit dhe për të thënë se “ja, ne e bëmë tonën, por nuk duan turqit…” etj.

 

 

E tillë ishte, psh, edhe kërkesa më e fundit e qeverisë Berisha me rastin e 100 – vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë para pesë vjetësh. Ndërsa Rama, megjithëse ka katër vjet në pushtet dhe “e ka grurë” me Erdoganin, endé nuk ka ndërmarrë ndonjë hap në këtë drejtim. Do të ngelej në histori, nëse ai do të bënte atë që s’e kanë bërë dot të tjerët. Por s’i duket nuk i shkon fare mendja për këtë gjë.

 

 

Qeveria jonë duhet tregojë seriozitet dhe vendosmëri në kërkesën për eshtrat e Sami Frashërit, duhet ta riaktualizojë atë vazhdimisht derisa t’ia arrijë qëllimit.

 

 

Emin Erer, nipi i Sami Frashërit, dhe një shteg që u mbyll shpejt

 

 

Nga pasardhësit e shumtë të Sami Frashërit ka qenë edhe një personalitet tjetër shumë i njohur në Turqi si intelektual, politikan dhe njeri letrash. Ky ishte nipi i tij, Emin Erer, i cili ka ardhur në Shqipëri në vitet 1970 dhe që unë e mbaj mend të gjithë axhendën e tij njëjavore, pasi pasqyrohej çdo ditë në gazetat ditore të kohës. Megjithëse në atë kohë kishte kufizime për të huajt, pinjollit të familjes së famshme të Frashërllinjve iu bë një pritje madhështore.

 

 

Shtypi shkroi gjatë dhe e shoqëroi gjatë gjithë kohës që ai ndenji në Shqipëri. Pati premtime për lidhje të shpeshta dhe të ndërsjellta nga të dy anët, por më vonë nuk u dha asnjë shenjë. Si dhe në raste të tjera edhe në këtë rast kishte rënë perdja e hekurt. Ajo që kish ndodhur, kishte qenë vetëm një e çarë e rastësishme që ishte mbyllur shpejt.

 

 

Enigmën e ndërprerjes së lidhjeve të këtij  rasti e zbulon pas shumë vitesh Sania, mbesa e Sanies tjetër, së bijës së Sami Frashërit, e cila, në një intervistë dhënë gazetarit Marin Mema pra dy vjetëve për Top-Chanel, ka thënë se autoritetet shqiptare e kanë ftuar me rastin e 110-vjetorit të vdekjes së stërgjyshit të saj, Sami Frashërit, në qershor të këtij viti. Ajo nuk e ka mbajtur dot, por ka thënë se vizita e parë në Shqipërinë  komuniste me të atin e saj në vitet ’70, ia ka shpifur.

 

 

Të atit, para se të nisej nga Stambolli i kishin thënë të shkurtonte flokët dhe basetat që i kishte shumë të gjata dhe Samies së re i kishin rekomanduar të pastronte manikyrët nga thonjtë e duarve dhe të këmbëve, si dhe të mos merrte më vete buzëkuq dhe kremëra! Por ajo që e kishte tromaksur më tepër në atë kohë atë, ishte rruga për në Frashër, të cilën e kishin bërë me një xhip për mëse katër orë.

 

 

Një vizitë në shtëpinë muze të Samiut

 

 

Delegacionin shqiptar të kryesuar nga Xoxhi Robo e shoqëronte edhe një nip i Samiut, djali i vajzës. Ai kishte qenë një herë në Shqipëri dhe ishte kthyer me përshtypjet më të mira nga atdheu i të parëve të tij. Ai dhe babanë e kishte shqiptar nga fshatrat e Ersekës.

 

 

Nipi i Samiut, rrëfen në intervistën e tij Xhoxhi Robo, na udhëhoqi tek varri i Samiut. Varri i Samiut ndodhet në një nga shtatë kodrat që formojnë Stambollin. Aty familja e Samiut kishte patur një pjesë toke, ku ishin varret e Samiut, të së shoqes, vajzës dhe djalit. Varri i Samiut ishte i thjeshtë, ndërtuar nga shoqërisë shqiptaro – turke “Dituria”. Vumë lule në të katër varret.

 

Nipi i Samiut na tha që nëse do të merrnim eshtrat e Samiut merrni dhe ato të Emines (vjehrrës së tij) . Ajo ka meritën se këtu në varre ka shtuar fjalën “Frashëri”. Sepse në Turqi, Samiun e thërrisnin edhe e thërresin akoma “Shemshedin Sami” dhe ishte e ndaluar të thuhej Shemshedin Sami Frashëri. Emineja dhe i nipi nuk e përfillën dhe prandaj edhe ajo e ka vendin në Shqipëri.

 

 

Na bëri përshtypje varri i djalit që ishte i madh. Nipi na tha se djali ka qenë përgjegjës i sporteve turke dhe për meritat e tij qeveria turke jo vetëm që i ka bërë një varr madhështor, por i ka vënë emrin e tij një stadiumi të madh në Stamboll.

 

 

Nipi i Samiut na thirri për një çaj në shtëpinë e tij ku na priti e shoqja, një madamë turke. Atje ai na tregoi dhomën muze të Samiut. Një album ishte interesant. Në një faqe të murit ishte gjeneza e familjes Frashërllinjve që shekullin e 14 deri tek babai i vëllezërve Frashëri. Po në këtë faqe  të murit ishte gjeneza e vëllezërve dhe motrave Frashëri. Nga ana e djemve ishin 4, lindur vetëm 1 mashkull, Mit’hati, dhe ai nuk u martua dhe vdiq në 1948 në Amerikë.

 

 

Në një faqe tjetër te murit ishin të ekspozuara punimet e tij në turqisht, persisht, arabisht etj. dhe siç dihet tre në gjuhën shqipe. Pjesa tjetër e murit kishte një pjesë të librave të bibliotekës së Samiut. Aty ishte edhe tavolina ku shkruante Samiu. I merrte që në mbrëmje librat që do të punonte dhe rrinte në tavolinë 14-16 orë dhe disa herë edhe 18 orë.

 

Aty ishin dhe qimet e mjekrës së Samiut (të bardha). Një tufe nipi na i dha dhe neve dhe ia çuam Akademisë së Shkencave. Me vonë nipi i dhuroi Muzeumit shqiptar edhe tavolinën.

 

(Vazhdon në pjesën e katërt)