Veledin Durmishi / Një letër për Edi Ramën, kryeministri i vendit tim: “Lexoje po të ra në duar, por mos më përbuz”

Veledin Durmishi / Një letër për Edi Ramën, kryeministri i vendit tim: “Lexoje po të ra në duar, por mos më përbuz”

I nderuar Zoti Rama!

Unë shpresoj edhe pse e di se vuaj. Vuaj dhe përsëri shpresoj. Kam një hararet në të gjithë trupin që nuk më lë një çast prehjeje. Kjo vuajtje më bën të shoh shpesh nga qielli, se nga toka ne nuk qullosëm gjë. Unë, si shumica e shqiptarëve, e gjej veten jashtë gardhit tënd, por brenda halleve tona të mëdha.

 

 

Ti je i lexuar, por mendoj se nuk je i dëgjuar. E di fare mire se ke këshilltarë të zotë, madje e di se i paguan goxha, por më shqeteson fakti se sa i dëgjon ata. Jam i sigurt që nuk i dëgjon. Se historikisht Zeusët tanë nuk i kanë dëgjuar këshilltarët qoftë edhe një këshilltar si Tony Blair. Ndaj Zoti kryeministër, të paktën më lexo mua një çast dhe pastaj bëj si të duash.

 

 

Në vitin 1924, kryeministri i Shqipërisë, Fan Noli, takoi ne Beograd ambasadorin e SHBA dhe i kërkon atij që të shpinte pranë qeverisë së tij fjalën e kryeministrit të Shqiperisë, duke i kërkuar asaj njohjen e kësaj qeverie.

 

Ambasadori i thote priftit shqiptar se kemi folur në tavolinat tona për qeverinë tuaj, por ne kemi një kërkesë: të na jepni me koncension naftën tuaj.

 

Fan Noli që ka 1001 vlera, por që nuk është quajtur burrështetas, i nguli fort sytë ambasadorit duke i thënë: “Jo! Është e vetmja pasuri e shqiptarëve dhe duhet t’u mbetet shqiptarëve”.

 

 

Ta solla këtë fakt historik, Zoti kryeministr, për t’’ju thene juve dhe gjithë  kryeministrave pasdiktature se e keni masakruar tokën tonë në mënyrën me poshtëruese. Jane ca investitore që ju me bujë i kini quajtur seriozë e strategjikë, të huaj, por edhe vendas që kanë mbi 30 vjet që si vampirë kanë ngulur forte thonjtë dhe dhëmbët mbi pasuritë e tokës sonë të shkrete, i pinë gjakun, po i marrin edhe qumështin e, së fundi, u jane lëshuar edhe burimeve ujore si kuçedra. E thanë tokën tonë që e kemi larë me gjak dhe askush nuk mund të më thotë cili është fitimi i shqiptareve nga  nafta, nga kromi, nga bakri, nga hidrocentralet e privatizuara.

 

 

Jane ca pasuri të mëdha fitimprurëse për Shqipërinë të cilat duhet të mbeteshin pronë e shtetit shqiptar, por që ranë në duar të tjera. Si, psh, Telekomi. Kaq vështirë e kanë patur qeveritë tona t’i menaxhonin këto resurse të mëdha?

 

 

Ku shkuan fabrikat, uzinat, kombinatet, pasuria e ushtrisë që sipas të dhënave rezulton të ketë qenë miliona dollarë? Askush nuk të jep përgjigje. E gjithe pasuria jone ra në duar pushtetarësh, më herët te të djathtët, por edhe duart e partise tënde nuk mbetën të pastra.

 

 

Zoti kryeminister! Erdhe në pushtet në vitin 2013 me një million vota dhe gjithë bujë, gati na zbrite qiellin në tokë. Na premtove aq shumë dhe aq lehtësisht, sa ne shihnim njëri- tjetrin duke pyetur kaq e lehte paska qenë!?

 

Por nuk paska qenë e lehtë. Se historikisht liderët tanë flasin ndryshe në opizitë dhe ndryshe veprojnë kur janë në pushtet. Premtove një shëndetësi falas, por ne, gjysmën e shërbimeve e marrim te privati se nuk punon “sistemi”, se mungon laboratori, reagent nuk ka, s’ka edhe ilaçe, se mjekut duhet t’ flasësh dy a tri herë e ai të sheh vetëm nga duart.

 

 

Dështove në ngritjen e një administrate efiçente edhe pse ndërhyrjet e tua kanë qenë të duhurat. Keni bunkerizuar sistemin qeverisës. Kërkoj të takohem me një zyrtar sy më sy, të më shohë e të më dëgjojë, por unë përplasem me “sistemin” I- ALBANIA nëpërmjet xhamit të ftohtë të celularit.

 

 

Se tenderat janë bërë si ankande. Se dhjetra punonjësit tuaj vodhën miliona euro nga djegësit dhe morën arratinë. Se ato PPP e famshme nuk e di sa na kanë kushtuar dhe ju nuk dëgjoni as edhe organizmat ndërkombetare financiare. Se rrugët ndërtohen me nje çmim disa herë me lart se standartet ndërkombëtare, se nafta është me e shtrenjta në botë, se shumë herë ke promovuar në detyra ujqër që u ke varur edhe mëlçite në qafë, se paratë nga bankat tona jepen si karamele dasme, se pensionistët që të kane dhënë aq vota pa një kusht, i ke lënë me pensione  qesharake, se korrupsioni po merr përmasat e një perandorie, se tërmeti, përmbytja, zjarri na gjen gjithnjë të papërgatitur, se…

 

 

Zoti kryeministr. Nuk jam nga ajo kategori që errëson gjithçka. Nëntë vjet ishin të mjaftueshme për të plotësuar pritshmëritë tona të cilat ishin të mëdha. Varfërinë nuk e sollët ju, këtu e gjetët, por më duket sikur e shtuat më tej. Ka dhjetra shqiptarë që kthehen nga emigrimi me dëshirën e madhe të investojnë këtu, por dështojnë kur këtu gjejnë një mur heshtjeje, kur gjejnë vetëm ledhe të pushtetarëve që si zuzarë kërkojnë vetëm të zhvatin.

 

 

Sa shqiptare hedhin supit torbën e kurbetlliut dhe ikin nga sytë këmbët duke mërmëritur nëpër dhëmbë një refren vrastar: “ky vend nuk behet”!

 

 

Nuk u bëre dot mik kurrë me fukarain. Ka ca gjendrra njeriu qe prodhojnë keqardhjen, edhe ndonjë pikë loti, por ato gjendrra juve u janë tharë, nëse nuk i ke patur kurrë. Mua më dhemb më tepër kur shoh si digjet një kasolle. Po juve?! Dukshmërisht ke një dozë denigrimi e arrogance ndaj të tjerëve, edhe ndaj të tuve, shet shumë imazh, por nuk ngroh dot te vetja ndjesine njerëzore dhe humane ndaj të voglit, të vobegtit.

 

 

Ti e gjithë të tjerët para teje e kanë shitur shpirtin te Mefistofeli si Fausti. Ke marrë të gjitha pushtetit (jo për meritën tënde e për fajin tënd), por duhet të ruhesh nga kurthet e tij. Lartësia e pushtetit të deliron, të verbon e aty kanë fillin edhe humnerat e shpirtit njerëzor. Ruhu nga vetja! Je kryeministri me intelekt më të lartë, por bëj kujdes se mendimet e fshehta në ato zona fshihen. “Cezari le të jetë i madh, por Roma të jetë e lirë”.

 

 

Zoti kryeministër

 

Falas i ke këto fjalë. Lexoji po të ranë në duar, por mos më përbuz. Nuk je krejt i zi si  mundohen të të tregojnë ca e ca që kanë shkëlqyer me perversitetet e tyre. Unë sot shfaqa revoltën dhe indinjatën time në këtë letër, duke folur kështu për njërën anë të medaljes. Anën tjetër do ta shkruaj dikur. Se ti  ke edhe anën  tjetër.  Sapo të shoh se diçka po lëviz për të mirën e vendit tim e vendit tënd. Nëse nuk lëviz gjë, unë ditën e zgjedhjeve do të grindem me gruan tërë ditën e perëndise. Arsyen e kam gjetur që sot.

 

Faleminderit nëse me lexove!…

 

Nga një shqiptar që do atdheun me tepër se do kryeministrin

 

Tiranë, fundgushti, ’22