Vetëtim Bejko: Si ishte Përmeti 70 vjet më parë!…

Vetëtim Bejko: Si ishte Përmeti 70 vjet më parë!…

Vetëtim Bejko

1954-1955. Shkollën shtatëvjeçafe e quanin unike dhe cilido që mësonte atje prindërit e quanin për nder, ndaj dhe unë e përmend të tillë. Jo vetëm që ish e vetme në zonë (ish dhe një në Këlcyrë), por nga përgatitja e kuadrit, e nxënësve që mbaronin, ishin për t’u admiruar.

 

Më duhet të bëj pak një hyrje për përshtypjet që ka lënë konsulli francez pranë Ali Pashës në Janinë, Fransua Pukëvil, për Përmetin gjatë një udhëtimi nëpër Shqipëri. Përmetin e quan një qytet të pastër, miqësor; përshtypje i bën një burrë i moshuar, veshur me shumë sqimë, me borsalinë që i foli me një frëngjishte elegante për njerëzit e shquar të Francës, si: Volteri, Didëroi, Rusoi etj. Gjithashtu në vizitën që i bën administratorit të Përmetit vë në dukje mikpritjen, zakonet orientale dhe hijeshia e vajzës 14 vjeçare, që mund të konkuronte me çdo bukuri në botë…

 

Kthehemi tek subjekti. Të pestën e mbarova në Përmet më herët, pa u hapur konvikti; rrija tek familja e Ali Dokollarit, njerëz të mrekullueshëm, që më mbanin si djalin e tyre. Drejtor kishim Gaqi Takon, mësuese gjuhe dhe leximi kishim Ollga Poplin, në matematikë Izmini Lamani etj. Të gjashtën e mbarova në Tiranë.

 

Të shtatën kthehem në Përmet. Nuk do lë pa përmendur këtu sagën që hoqi babai për të na futur në shkollë. Atëherë ishte udhëzues, që për të vazhduar shkollën duhet të merrje një rekomandim nga Partia e fshatit, pra si një mirësjellje, për të vazhduar shkollën. Babait këtë nuk ia dhanë, sepse kish qenë komandant poste i xhandarmërisë. Kish qenë në Francë dhe fliste pa doganë për të, ishim prekur nga reforma Agrare.

 

Për fat të mirë atëhere organizatat e partisë të fshatrave ishin të grumbulluara në një qendër. Dokumentin ia lëshoi Mehmet Duçka nga Rabani, firmosur nga Xikja nga Rabani dhe nga Tatuli nga Odriçani, Lutjen e bëri mësuesi nga Borocka Barjam Zoto. Bashkë me vëllanë tjetër babai na futi në konvikt me lekë.

 

Konvikti ishti i ri, përballë ish Degës së Punëve të Brendshme, xhadeja na ndante. Ushqimi ish i pastër, fjetja e mirë. Kujdestar kishim ish- mësuesin Aleks Tundo, një burrë i urtë dhe serioz. Studionim në një sallë, gati 60 konviktorë, me pamje nga xhadeja. Shpesh dëgjonim ulërimat e të burgosurve nga torturat në bodrumet e Degës. Në shkollë niseshim të organizuar në resht në mëngjes duke kënduar këngë revolucionare për kohën, si këto:

 

     O Truman jashtë nga Koreja,

     Thërrasin popujt me furí

     Dhe zëri i tyre si rrufeja

     Gjëmon në Jug e në Veri.

 

Bënim gjimnastikën e mëngjesit. Në shkollën dykatëshe mbretëronte qetësia dhe pastërtia. Drejtor kishim Sotir Andonin, njeri babaxhan. Mësues gjuhë letërsi kishim të mirënjohurën Artemisi Naçe, në matematikë të përpiktin Vani Fiku, biologji Ollga Shuraja etj. Artemisi dhe Vani janë idhujt e mi. Mësues mjaft të përgatitur, të përkushtuar, të paanshëm, njerëz me integritet, që mbanin marrëdhënie korrekte me nxënësit e kudo.

 

Artemisi rrinte me rroba të zeza, nuk di se ç’fatkeqësi e mundonte, e pamartuar, flokë kaçurrelë korb të zinj, tek tuk ndonjë thinjë, shumë e pastër, tepër serioze, asnjëherë nuk e kisha parë të qeshte. Nuk humbiste as sekondën në orën e mësimit. Në një hartim me temë të lirë ajo kish pëlqyer dhe hartimin tim. “  Vetëtimi ka dell letrar !”- tha ajo. Mornica më përshkuan trupin, u skuqa gjer te thonjtë. Sa e mirë m’u duk Artemisi, më vinte ta përqafoja fort, por…Ato fjalë më duken se më bënë shkrimtar, duket se më ngrohin edhe sot.

 

Hartime të mira  dhe mësonte shumë mirë ishte Kristul Iliadhi. Në një orë komenti letrar nxënësi A.I. i vareshin poshtë dhe i thithte qurrat me një zhurmë të krupshme. Artemisit s’iu durua: Dil jashtë qurrash dhe shfryi! Ne u çuditëm, qortoi dhe atë që mësonte mirë dhe e kish nga ana e saj. Sa ndruheshim ne para saj; të ishim të regullt, të pastër…

 

Kur shkuam në shkollën e mesme në Gjirokastër me S.Këllëçin, V.Meshinin, A.Manen, ne dalloheshim në mësime nga të gjithë nxënësit e shkollave të tjera. Jam munduar të imitoj në jetën time si mësues dy idhujt e mi për nga pëgatitja dhe korrektësia, integriteti, por jo, nuk i kam arritur!…

 

Nga përgatitja duhet përmendur dhe Ollgë Shuraja; ajo dinte të zbërthente të 208 kockat e njeriut dhe t’i emëronte ato, mësuese e palodhur. Nderim dhe mirënjohje pa fund mësuesve të mi të palodhur! Ta dini ju, mësues, se gjykatësi, vlerësuesi më i mirë i punës suaj janë pikërisht nxënësit tuaj.

 

Ditën e fundit të shkollës një pjesë e ne konviktorëve shkuam në Vjosë, poshte Gurit të Qytetit, për t’u larë. Ndërkaq, duke kaluar vaun e lumit nxënësit A.N. iu rrëshqitën këmbët dhe rrëmbehet nga dallga; ai s’dinte not. Thirri me lemeri: O Pali ! Shoku u hodh, por s’e nxori dot… Tek ne u shtuan britmat. U hodh nxënësi S.L. përsëri s’e nxori dot. Atë dallga e nxirrte dhe e fundoste. Sekonda tmerri. Filluan britmat, thirrjet për ndihmë, të qarat…Këndej, nga ana jonë hidhet me vrull, si notar i sprovuar nxënësi Bardhyl Hysenllari dhe e nxjerr, i nxorën ujët dhe e kapën për krahu duke e nxjerrë përkëtej. Gjithë ai makth u kthye në gëzim.

 

Në mbrëmjen e shtruar, i shpëtuari i çoi Bardhylit pjesën e qershive. Veç Bardhylit nga Skrapari në konvikt ishin dhe M.Basho, Aliu, Myfiti, Pelivani, Hyseni, motrat Neslie dhe Zembere etj.

 

Atëherë e lashë Përmetin me rrugë të kalldrëmta, një çezmë në mes, me avlli me mure të lartë, mbuluar me lule. Sot s’i gjej dot. E reja, rrugët e gjera, kanë më frymëmarrje, por nostalgjia mbetet. Kështu mbaroi ky vit shkollor me sukses, bursa na doli me qenë se dolëm mirë me mësime.