Waltraud Tunger (Bejko): Spahiu, zë i zotave të Tomorit

Waltraud Tunger (Bejko): Spahiu, zë i zotave të Tomorit

Një letër e largët që nuk e humbet kurrë vlerën

 

Zylyftar HOXHA

 

 

Kjo letër është shkruar nga gjermano-shqiptarja Waltraud dhe mban datën 24 janar 2007. Letra më është dërguar mua, si kreydaktor dhe Xhevahir Spahiut, si botues i “Diellit të Tomorrit” të asaj kohe. Ne e botuam atë menjëherë në numrin më të afërt të atij viti, në shkurt.  

 

 

Duke qenë se “Dielli i Tomorrit”, si gazetë lokale që ka qenë, ka patur një numur të kufizuar lexuesish; duke parë gjithashtu se në thelb letra është shumë interesante dhe me vlerë, po e risjell për lexuesin e sotëm të gazetës së gazetës “Orakujt e Tomorrit”.

 

 

Le t’i shërbejë ky ribotim si një homazh i përndritur kujtimi për shkrimtaren e mrekullueshme gjermane, të njohur me disa vepra te publiku shqiptar, Waltraud Tunger (Bejko), që nuk jeton më.

 

 

 

Waltraud Tunger (Bejko)

Gelsenkirchen, Gjermani*)

 

 

Sot në fillim të vitit 2007 e ndjej nevojën për të përshëndetur gazetën “Dielli i Tomorrit”, Ju, Zylyftar, si kryeredaktori i saj, dhe veçanërisht iniciatorin dhe shpirtin e kësaj gazete, poetin Xhevahir Spahiu, si dhe të falënderoj për mirëdashjen e Tuaj, që keni botuar disa artikuj shumë të afërt me mua, duke i titulluar, psh, “Vala, nusja jonë gjermane”, “Afër dhe larg Shqipërisë”, “Kolja, vjehrra ime” etj.

 

 

Jam prekur thellësisht. Unë, me dëshirë dhe kënaqësi të madhe ndodhem midis Jush, dhe e ndjej veten mirë e shumë të respektuar nga Ju.

 

 

Dëshiroj të përshëndes poetin Xhevahir Spahiu me rastin e 62-vjetorit të lindjes dhe t’i uroj atij gjithë të mirat, veçanërisht shëndet të plotë e forca krijuese!…

 

 

Xhevahir Spahiun unë e konsideroj një poet të madh të kohës sime në Shqipëri.

 

 

Me veprën e tij u njoha herët. Melodia e muzikës së vargjeve dhe vepra e tij më kanë tërhequr vëmendjen shumë kohë përpara se ta njihja atë personalisht. Vargjet e tij të lira e të vetvetishme, të thella e me ndjenja të fuqishme të befasojnë kur i lexon.

 

 

Me fjalë e fjali të qëmtuara e të zgjedhura me kujdes nga fondi i gjuhës shqipe, këta vargje flasin e shpalosin li­bra të tërë. Stili i tij i veçantë na ka bërë të mendojmë për një art të ri, që na pëlqen ta quajmë, pse jo Xhevahirjan.

 

 

Këtë pasuri lë vargjeve të tij e vëmë re jo vetëm në vargun e tij poetik, por dhe në marrëdhëniet e përditshme shoqërore me shokë e miq që e rrethojnë.

 

 

Një shembull për këtë është dhe dedikesa e tij që na kushton me rastin e dhurimit të dy volumeve të veprave të zgjedhura të tij, dërguar këtu, në Gjermani:

“Hilmi Bejkos – ndarë nga një zjarr, Valës – bekim gjerman për Shqipërinë, Vajzës dhe djalit, nipit dhe mbesës – dritë e syve të tyre, Pak poezi dhe shumë dashuri! Nga miku i tyre i zemrës,- zë i Zotave të Tomorrit pellazgjik Xhevahir Spahiu”

 

 

Personalisht me Xhevahiri jam njohur vetëm pas dyzetë e dy vjetësh të mbërritjes time në Shqipëri. Kjo njohje nuk u bë e mundur as në Shqipëri dhe as në Gjermani. Ne u takuam bashkë në vitin 2001 në qytetin e Roterdamit në Holandë.

 

 

Shokët tanë holandezë, Rikardi dhe Gerta na kishin ftuar në Holandë për të vajtur në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë në Roterdam. Më 19 qershor 2001 ishte dita e Xhevahir Spahiut, poetit të parë shqiptar, që ishte ftuar për të dalë me 10 poezitë e tij në skenën e këtij festivali në të cilin merrnin pjesë një javë të tërë, poetë nga tërë bota. Deri atëherë unë e njihja Xhevahirin vetëm nga veprat e tij dhe nga tregimet e Ilmiut.

 

 

Për shkak të një defekti të makinës ne ishim vonuar. Shfaqja në kopshtin e teatrit tashmë kishte filluar, kur ne u futëm në mes të luleve dhe pemëve në formë kaçubesh dhe hidhnim sytë rrotull për të gjetur vende bosh.

 

 

Ja, aty u ngrit Rikardi dhe më tutje na e bëri me dorë Jolanda. Vërtet, ne kishim fat të mirë! Xhevahirit nuk i kishte ardhur radha. Kur Xheva­hiri u ngrit në skenë, ai Ilmiut dhe mua na përshëndeti me sy.

 

 

Mjerisht unë nuk e di holandishten. Kështu unë vetëm mund të merrja me mend çfarë po bisedonte moderatorja simpatike bashkë me Xhevahirin. Pastaj një studente e lezetshme shqiptare na recitoi vargjet e Xhevahirit përmendësh dhe me ndjenja në holandisht. Unë duhet të pranoj që sidomos recitimi dinamik i vargjeve nga vetë Xhevahiri më tërhoqën në mënyrë të veçantë. Unë për herë të parë e pashë poetin personalisht.

 

 

Nga mënyra e recitimit unë e njoha vjershëtorin e talentuar ashtu si unë e kisha përfytyruar, bukurinë e këngëve të tij si dhe shpirtin e tij kundërshtues dhe nga një herë kryengritës. Kush mund të përdorë një fjalë të tillë të kombinuar si “Ferrparajsa” për një titull libri? Në përgjithësi ai gjen tituj të jashtëzakonshëm për vëllimet e tij me vjersha.

 

 

Përpara ca kohe ai nuk dinte ende nëse do të zgjidhte “Loti kërkon syrin” apo “Rreziku” si titull i vëllimit më të ri me vjersha.

 

 

Duhet t’u kujtoj ju se këta rreshta unë i kam shkruar në vitin 2001!

Pas takimit me të, ne, të gjithë admiruesit e Xhevahirit, u mblodhëm rreth një tavolinë të gjatë; dhe në biseda të gjalla e rindjemë edhe një herë jehonën poetike të tij. U ngritëm për të shkuar në teatër (në Rotterdamse Schoëhourg).

 

 

Fatmirësisht i erdhi radha shpejt Xhevahirit qysh në pjesën e parë, kështu që ne nuk harxhuam kohë me shfaqet e shumta të grupeve të tjera ndërkombëlare që ishin përkthyer vetëm në holandisht dhe që projektoheshin në ekran në skenë nga ku ne po ndiqnim recitimet nga një herë prekëse.

 

 

Roel Schuyt i kishte përkthyer vargjet, dhe unë vura re që holandezët e pranishëm po e ndiqnin me mjaft interes poetin tonë të dashur shqiptar.

Ky festival qëndroi një javë të tërë në qendër të vëmendjes së publikut holandez, i cili kishte mbledhur mjaft spektatorë në gjirin e vetë të teatrit të famshëm të Roterdamit, të cilët duartrokitnin.

 

 

Pas shfaqjes, shokët tanë holandezë, Jolanda, Gerta dhe Rikardi na ftuan për një darkë mbretërore në një restorant grek në afërsi të teatrit, dhe pastaj, duke shëtitur nëpër qytetin botëror të rindërtuar të Roterdamit, ne kaluam enkas tek monumenti jashtëzakonisht shprehës, kushtuar luftës kundër fashizmit gjerman që kishte bombarduar dhe shkatërruar tërësisht Roterdamin.

 

 

Unë për vete e adhurova Xhevahirin, i cili qysh më parë, i prekur thellë nga kjo, ka ekspozuar veprën monumentale të skulptorit Ossip Zadkine, kushtuar kësaj ngjarje në kopertinën e vëllimit të tij me poezi “Ferrparajsa”.

 

 

Në shtëpinë e Gertës, ku kalu­am edhe disa orë të këndshme, na priti një surprizë tjetër. Në dhomën e saj të bibliotekës, një faqe muri përbëhej vetëm me libra nga Shqipëria dhe për Shqipërinë. Edhe Xhevahiri shprehu habi, ai nuk e kishte pritur një simpati të tillë për vendin e tij, për Shqipërinë e vogël.

 

 

Xhevahiri do të rrinte edhe disa ditë në Holandë, ndërsa ne i thamë: “Mirupafshim, ishallah të shihemi përsëri në Shqipëri”!

 

 

Ne u kthyem nga Holanda në Gelzenkirchen me përshtypje të bukura e të mbushura me gëzim e shpresë për takime të tjera me Xhevahirin në Shqipëri.

Në Tiranë unë, me padurim prita një takim me Xhevahir Spahiun ku desha të njihesha edhe me gruan e tij, Marjetën.

 

 

Meqenëse Xhevahiri gjithnjë ishte i zënë me punë, për një kohë të gjatë nuk na doli plani. Krejt rastësisht ne e takuam atë, kur ne rrinim me Robert Schëartzin dhe Aristenë në kafe “Europa”. Ndodhi si kishte parathënë llmiu. Sepse Roberti dhe Xhevahiri janë shokë të vjetër që bëjnë shaka me njëri- tjetrin.

 

 

Roberti ishte në humor qysh në fillim të mbrëmjes, por kur erdhi edhe Xhevahiri aty rastësisht, unë për vete shkrihesha nga të qeshurat. Mbrëmjen tjetër më në fund në darkë në një lokal të bukur dhe të ri. Në fakt Xhevahiri kishte thirrur edhe poetin e ri të talentuar Arjan Leken me gruan e tij. Por ai atëhere nuk erdhi dot për disa çështje private. Mua më erdhi shumë keq se unë isha bërë kurioze. Xhevahiri kishte thënë se Arjani duhet përkrahur për shkak të talentit të tij. Vërtet, Ilmiu dhe unë kishim lexuar vëllimin e ti “Anija e gjumit” që përmban vjersha mjaft origjinale, për mua ndonjëherë jo krejt të kuptueshme.

 

 

Por dua të hedh disa mendime që më erdhën gjatë leximit. Varg­jet pasqyrojnë kontradiktat e kohës, nuk është e qartë ku ecën kjo anije, është si e përgjumur. Mos është llafi për Shqipërinë, që ecën kot rreth e rrotull, pa arritur në një port të sigurt, pa një qëllim të qartë? dhe kjo megjithatë që sot janë rrugët të hapura? Ndërsa ne, në kohën tonë këto rrugë i kishim të mbyllura, ne kishim detyrën e ndërtimit të socializmit, të cilin ne e konsideronim si shoqërinë më përparimtare por që mjerisht doli një utopi dhe më keq, një diktaturë.

 

 

Të rinjtë e sotshëm e kanë më të vështirë se nuk shohin ndonjë ide­al si e kishim ne. Poeti flet me simbole. Kur i lexoj vargjet në mbrëmje, koka fillon të më dhembë dhe më del gjumi duke kërkuar kuptimin e simboleve, dhe gjumi nuk më zë. Nuk kam fuqi të thellohem kuptimin e tyre, mua më mungon baza e jetës së sotme në Shqipëri, lufta për të mbijetuar që bëhet sot atje.

 

 

Xhevahiri si pak më i ri nga ne afërsisht një gjysmë brezi, i kupton vargjet e Arjanit, që janë një mrekuili, paçka që më dhemb koka dhe më arratiset gjumi.

 

 

Mendoj që rinia e sotshme që heq hallet e kohës, i kupton më mirë ato vargje. Me gjithë varfërinë sot në Shqipëri shtypen shumë libra me pagesë të vetë autorëve, që botojnë jo për të fituar, por për t’u konfirmuar dhe për të shprehur merakun e vet.

 

 

Takimet me letrarët shqiptarë dhe gratë e tyre për mua ishin gjithnjë një ngjarje e veçantë. Qysh në fillim të qëndrimit tonë në Tiranë në vitin 2001 ne ishim takuar me Fatmir Mborjen në Klubin e Sh- krimtarëve, si edhe pastaj më vonë në shtëpinë e tij, me gruan e tij, Vali. Në biseda interesante dhe të përzemërta kemi lënë të tingëllonte shpirti nga kënaqësia e takimit. Unë vura re që ata me gjithë problemet e shumta nuk dorëzoheshin dhe ngelën njerëz të mirë e kryelartë, e tillë është raca e shkrimtarëve shqiptarë.

 

 

E mbyll këtë letër me mallin dhe dashurinë për shqiptarët dhe Shqipërinë.

 

 

*)Nënshkruar nga Vala, siç më thërrasin shqiptarët

Gelsenkirchen, Gjermani

24 janar 2007

 

 

 

 

Kush ishte Waltraud (Tunger) Bejko?

 

 

Lindur më 18 korrik 1933, në një familje punëtore në Khemnitz të Gjermanisë, ajo shkon me studime në Institutin Ekonomik Shtetëror të Moskës, ku njihet me Ilmi Bejkon nga Sevrani i Skraparit, me të cilin lidhi përfundimisht jetën e saj.

 

 

Pas studimeve kthehen në Shqipëri dhe vendosen familjarisht në qytetin e Fierit. Aty Ëaltraud ka punuar si mësuese e gjuhës ruse për 12 vjet, më pas në Tiranë, 4 vjet, si përkthyese në Radio-Tirana.

 

Në vitin 1975, si e huaj, e transferojnë në Kukës, ku ka jetuar 9 vjet, më vonë në Krujë, përsëri  9, e kështu me radhë, sa u mbushën 37 vjet në Shqipëri.

 

Që nga viti 1997 bashkë me bashkëshortin shkoi në Gelsenkirchen të Gjermanisë. Para disa vitesh Waltraud, nga një sëmundje e rëndë, humbi shokun dhe bashkëpunëtorin e saj të jetës, Ilmiun dhe më pas vdiq edhe vet.

 

Waltraud Bejko fillimisht shkruan kujtimet e saj gjermanisht: “Albanien – Mein Leben” 1959-1996, (“Shqipëria – Jeta ime”). Në vitin 2000 ato botohen në shqip nën titullin “Çapitjet e mia nëpër Shqipëri”. Të dy librat u pritën shumë mirë nga lexuesi gjerman dhe ai shqiptar.  

 

Krahas kësaj, në vitet e socializmi, ka përkthyer nga shqipja në gjermanisht mbi 20 vepra letrare, artistike dhe shkencore nga më të njohurat tonat, por si e dyshimtë dhe e pa dëshiruar nga regjimi, ishte e detyruar të mbetet anonime.

 

 

Çifti Bejko nuk e ka ndalur asnjëherë veprimtarinë krijuese. Bashkëshorti i saj, Ilmiu, botoi librin e tij me kujtime dhe mbresa “Bashkudhëtarë”; Waltraud më vonë botoi edhe dy libra të tjerë, librin “Shpirtra shtegtarë”  dhe “Vjehrra ime, Kolja”.