
Xhelal Staravecka, akoma “gogol” i historisë?!…
Studiuesi dibran, Xhafer Martini, me një libër-analizë: “Vdekja e idealizmit, shënime për librin ‘Përpara gjyqit të historisë’ të Xhelal Staraveckës”
Libri i Xhelal Staraveckës, “Përpara gjyqit të historisë”, është një libër tronditës, i shkruar pa mëshirë ndaj komplekseve dhe mbrapshtive shqiptare. Qindra personazhe e personalitete, kryesisht politike, të viteve 1912 – 1966, ndriçohen përmes ngjarjeve, veprimeve, fakteve dhe kujtimeve të autorit.
Por megjithëse i botuar para 13 vjetësh, megjithëse është bërë edhe një veprimtari shkencore nga Akademia e Shkencës së Shqipërisë, ku kanë kumtuar akademikët tanë më të shquar të historisë dhe janë sqaruar shumë gjëra për disa figura të njohura nacionaliste të Luftës në Skrapar, një prej të cilëve është edhe Xhelal Staravecka, përsëri Xhelali mbetet “gogol” i historisë.
Të paktën për anën tonë, të Skraparit!…
E dëshmon këtë heshtja, ndrojtja, frika se mos prishet ajo që është thënë më përpara.
Duhet të dalë një studiues dhe hulumtues dibran, si Xhafer Martini, t’i bëjë një analizë të hollësishme shkencore librit të Xhelal Staraveckës, “Përpara gjyqit të historisë”.
Libri i sapopublikuar i kushtohet kujtimeve të Xhelal Staraveckës, një figurë- çelës për të kuptuar më në detaje dhe me të gjitha ngjyrat historinë shqiptare në shekullin e kaluar, veçanërisht për të njohur realisht si lindi antifashizmi dhe lufta antifashiste në Shqipëri, me dramat e tragjeditë që solli më tutje gara e parakohshme për pushtet midis luftëtarëve idealistë dhe politikanëve pragmatistë.
Në shënimin hyrës për lexuesin, autori i librit të më të ri “Vdekja e idealizmit”, Xhafer Martini shkruan:
“Me kujtimet dhe vlerësimet e Xhelal Staraveckës për shumë ngjarje e luftëra, në disa prej të cilave ai vetë ka qenë protagonist, siç dëshmohet në librin “Përpara gjyqit të historisë”, publikuar nga botuesi Naim Zoto, shumëkush mund të mos jetë dakord.
Problemi është te mendimi ndryshe për ngjarje historike dhe jetësore të shekullit që lamë pas.
“Ky libër mund të shërbejë për hapje horizonti; për të mos u bërë skllav i një ideje, i një koncepti dhe i një përfundimi.
Ne mund ta kemi të vështirë se për 50 vjet nuk na shkonte as mendja se mund të kishte një jetë ndryshe, një mendim ndryshe, një të vërtetë tjetër, se bota është e madhe e se Shqipëria ishte vetëm një pikë e saj.
Në këtë kuadër mendimi i Xhelal Staraveckës që buron përmes këtij libri është i vlefshëm…”.
Faleminderit, profesor Xhafer Martini, jo thjesht për vlerësimet që bën për këtë dëshmi të jashtëzakonshme për historinë tonë, por sepse kemi pritur që këtë reflektim ta bënin më parë të tjerët, ata “tanët”, dhe jo ta bënte dikush nga larg sa është Skrapari me Dibrën.
Por, duke perifrazuar thënien e vjetër se “nuk ka profet në vendin (vendlindjen) e vet” – nuk është vendi këtu të sqarojmë pse ndodh kështu edhe në këtë rast.
Do ta shpjegojmë me hollësi së shpejti, me ribotimin e kujtimeve të Xhelal Staraveckës duke i ballafaquar me dokumente autentike arkivore shqiptare, italiane dhe gjermane.
Prandaj falënderimi ynë për profesorin dibran është i shumëfishtë!
—————
Xhafer Martini, gazetar, shkrimtar, kritik arti, estet ka lindur më 4 mars 1941 në Fushë Alie, Dibër. Ka mbaruar Universitetin e Tiranës – Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Dega Gjuhë Letërsi Shqipe (1966-1970).
Fillimisht ka punuar si mësues gjuhe dhe leximi letrar; korrespondent i ATSH-së për rrethet Dibër-Mat (1970-1973); Drejtor i Shtëpisë së Pionierit, Peshkopi (1973-1974); Mësues gjuhe në disa shkolla 8 – vjeçare dhe të mesme të Peshkopisë (1974-1997).
Botimet i ka nisur në vitin 1967 me vëllimin poetik “Tinguj rinor”, për të vazhduar me vonë me vëllime me poezi, tregime, romane dhe krijimtari për fëmijë.
Pas vitit 1990 krijimtaria e tij botuese është zgjeruar me botime, kryesisht me studime dhe kërkime në fushën e etnokulturës dhe traditës popullore. Ai për herë të parë ka mbledhur dhe ka kodifikuar Kanunin e Dibrës, që është një nga librat e tij më të botuar.
Botimet M&B, duke filluar nga viti 2003, kanë botuar shumicën e krimtarisë së tij, mes të cilëve përmendim:
“Optika e Schmit-it për Skënderbeun, 2008”, “Kanuni i Dibrës (botim i përmirësuar), 2016”, “Filozofia popullore, 2016”, “Pedagogjikja, personalitete, 2018”, “Buka e magjes së popullit, tregime alegorike, 2019”, “Haziz Ndreu, personaliteti, krijimtaria, 2019”, “100 personalitetet e gomarit të madh, roman, 2022”, “Eseistika e Kadaresë, studime, 2023”, Shaban Sinani dhe kodi i Migjenit (Naimi), 2024”, “Kanuni ndryshe, studim, 2024” dhe së fundi “Vdekja e idealizmit, shënime për librin ‘Përpara gjyqit të historisë’ të Xhelal Staraveckës”.