80-vjetori i çlirimit të Skraparit dhe libri me kujtime i Xhelal Staraveckës

80-vjetori i çlirimit të Skraparit dhe libri me kujtime i Xhelal Staraveckës

Xhelal Staravecka: Çlirimi simbolik i Çorovodës pa luftë (9 shtator 1942)

 

 

Me rastin e 80-vjetorit të çlirimit të Skraparit, gazeta “Orakujt e Tomorrit” publikon pjesë nga libri me kujtime i Xhelal Staraveckës (1912-1975) ku autori, përshkruan me hollësi edhe historinë e çlirimit të Çorovodës, duke qenë vetë dëshmitar i kësaj lufte.

 

 

Sipas historianit, prof. Pëllumb Xhufi, Xhelal Staravecka “i ngre një himn të vërtetë Luftës së Vlorës, pasi ajo qe vepër e shqiptarëve patriotë, që luftuan kundër pushtuesit të huaj dhe shpëtuan kështu pavarësinë e integritetin territorial të Shqipërisë.

 

 

Akoma më shumë, si aktor e protagonist i vijës së parë, Xhelal Staravecka himnizon si rrallëkush Luftën Antifashiste të popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Përplasja, që në një moment të caktuar ai pati me drejtuesit komunistë të asaj lufte, gjë që çoi edhe në braktisjen e radhëve partizane dhe hedhjen në krahun tjetër, nuk arrijnë të errësojnë ndërgjegjen dhe gjykimin e autorit.

 

 

“Po të mos kishte qenë Nacional-Çlirimtarja” sot Shqipëria nuk do të ekzistonte si shtet më vete, do ta kishin copëtuar fqinjët, sepse shqiptarët do të gjendeshin në krahun e atyre që humbën luftën”, konkludon Xhelali.

 

 

Libri me kujtime “Përpara gjyqit të historisë” është konsideruar nga autori si një testament moral, si “gjykimi i fundmë” për gjithë veprimtarinë e tij, për gjithë çfarë pa, njohu e rinjohu, ndjeu dhe parandjeu, bëri dhe nuk bëri Xhelal Staravecka, një figurë me një intensitet jete, ndoshta “pa të dytë” në historinë shqiptare”.

 

 

Libri me kujtime i Xhelal Staraveckës (1912-1975)

 

 

 

Kurse sipas botuesit të librit, Naim Zoto, “Në librin e Xhelal Staraveckës ka kujtime dhe dëshmi të drejtpërdrejta për rreth 100 figura historike të viteve 1912-1966. Me shumë vlerë janë edhe dëshmitë e tij për luftën antifashiste në disa krahina të Shqipërisë si Skrapar, Berat, Kolonjë, Korçë, Përmet, Fier, duke qenë një nga komandantët partizanë dhe drejtuesit më të njohur në vitet e para të kësaj lufte (1942-1943).

 

 

Gazeta “Orakujt e Tomorrit”, duke falënderuar botuesin e librit për lejen përkatëse, ka përzgjedhur nga libri vetëm pjesët që lidhen me çlirimin e Skraparit nga pushtimi fashist, duke qenë se ende ka paqartësi për vlerën e kësaj lufte, protagonistët dhe kalendarin e zhvillimit të ngjarjeve.

 

 

Sot po paraqesim vetëm pjesën e parë, kurse pjesët e tjera do jepen në vijim.

 

 

Çlirimi (i parë) simbolik i Çorovodës pa luftë
(7 – 9 shtator 1942)

 

Nga fundi i pranverës 1942 më thirrën në Berat. Të nesërmen më nisën në Skrapar për t’iu bashkuar Mestanit (Mestan Ujanikun). Ajo punë më kënaqi, mbasi arratisjen kisha vendosur ta bëja dy javë më vonë. Pak orë më parë se të nisesha për në Skrapar i thashë prefektit të Beratit, Hasan Alizotit, me të cilin kisha një fare njohjeje, se posa të arrija në Skrapar do ta do ta shkatërroja trupën në të cilën do të ndeshesha dhe do të çelja luftën e armatosur haptazi kundra okupatorit fashist në malet e Skraparit. Hasani këtë e mori në fillim si shaka.

 

 

Më në fund, nuk e di se ç’e shtyu të ndryshonte opinionin e mëparshëm, dhe më tha se një gabim i tillë do t’i kushtonte shumë shtrenjtë Skraparit dhe më në fund Shqipërisë, pasi italianët, duke qenë të fortë, do të bënin një shtypje shembullore.

 

 

Kësaj bisede iu përgjigja se edhe Napoleoni dhe Franca ishin të fortë, por luftën e çetave nuk mundën dot ta shtypnin në Spanjë. Edhe Turqia ishte e fortë dhe luftërat e çetave në kohën e Skënderbeut nuk i shoi dot.

 

 

Veç kësaj, i thashë se lufta ishte njëqind për qind e fituar nga Boshti, mbasi kishte më shumë mundësi ta fitonin aleatët e, atëherë, ne në Shqipëri në këtë rast me cilën vepër atdhetarë do të pretendonim Pavarësinë e Kombit Shqiptar, pa marrë asnjë iniciativë dhe pa rrëfyer asnjë aktivitet kundra okupatorit?

Biseda ishte e logjikshme, porse në të ashtuquajturin “Nacionalizëm Shqiptar” mungonin kryekëput ndjenjat atdhetare. Prandaj, ai m’u përgjigj me një ngritje supesh, duke më thënë pak më vonë se nuk kisha të drejtë t’u shkaktoja shqiptarëve reprezalje të pashembullta nga ana e Italisë.

 

 

E përshkrova këtë bisedë, sepse po ai Hasan Alizoti, po ai prefekt i Beratit, më çoi në malet e Skraparit përgëzimet e tij të zjarrta pasi u kisha thyer brinjët batalioneve të okupatorit që kishte çuar here pas here për të më asgjësuar në Skrapar.

 

 

E të tillë mesazhe më erdhën nga shumë personalitete shqiptare që bashkëpunonin me okupatorin, madje, edhe nga komisari i lartë për Beratin, Kasëm Radovicka, që u ndesh kaq herë kundra meje të likuidonte lëvizjen kombëtare kundra okupatorit, kur u bind se repartet e milicisë dhe të mercenarëve në fillim e pastaj të batalionet italiane nuk më shkulën dot nga Skrapari.

 

 

Nga Tirana, veç të tjerëve, edhe nga Ministri i Financave i qeverisë kukull, Qemal Vrioni, më erdhi një mesazh përgëzimi që tek e fundit ishte krejt mesazh hipokrit pse në shpirtin e tyre të karrigeve atë hipokrizi e bënin për një të ardhme që nuk e dinin se ç’fill mund të merrte, pse në fantazinë e tyre ata shihnin çdo lloj Ahmet Zogu që mund t’i hipte Shqipërisë mbi shpinë si sundimtar, por kurrë Partinë Komuniste.

 

 

Ai parashikim i gabuar qe fatal për ata pse lanë lëkurën nën rrotat e karros së regjimit të kuq.

Nga marrja e atyre mesazheve të përgëzimit nga njerëz që bashkëpunonin me okupatorin, fillova të mendoja mbi personalitetet politike shqiptare të asaj kohe se ishin të korruptuar deri në palcë, pa kurrfarë dinjiteti kombëtar dhe politik. Ata ishin fashistë dhe tradhtarë dhe, sikur komunizmi t’u kishte siguruar jetën dhe karrigen, ata do ta brohorisnin, mirëpo komunizmit nuk i hynin në punë.

 

 

Posa arrita në malet e Skraparit, në bashkëpunim me Mestan Ujanikun u përgatitëm të përballonim reaksionin e armikut. Okupatori dhe mbeturinat dhe plehrat e botës shqiptare që bashkëpunonin me okupatorin, si Kasëm Radovicka më shokë, nuk e humbën minutën por çuan këmishëzeztë e tyre për të shuar luftën tonë. Mirëpo të gjitha ato fuqi që dërguan herë pas here ua dërgonim mbrapsht në Berat si mos më keq, pa armë, të grisur copë-copë e në pikë të vrapit, këmbëzbathur nga sulmet tona…

 

 

 

Në muajin shtator 1942 Kasëm Radovicka kishte vendosur t’i shqiste llogaritë me ne, prandaj nuk hezitoi të vihej në krye të tre batalioneve mercenare këmishëzez e në 7 shtator u ndal në katundet Mollas dhe Radësh, përballë nesh që ndodheshim në malet e Gradecit dhe të Radëshit.

 

 

Në orën 23, me fuqinë që kishim ndarë në tri çeta nga 30 veta, i sulmuam. Lufta u ndez, sado që në fillim nuk patëm më tepër se 100 burra të Skraparit, mirëpo afër mëngjesit kishim rreth 700 burra nga Skrapari, të tërbuar e që luftonin si luanë të plagosur.

 

 

Ajo përpjekje kundra tre batalioneve të okupatorit, që quhet Lufta e Radësh-Gradecit, vazhdoi deri në orën 16 të datës 8 shtator 1942, ku fuqia e luftëtarëve të lirisë kombëtare, pas 17 orë luftimesh, përfundoi me fitore dhe me shpartallimin e turpshëm të okupatorit që ishte zëvendësuar me veglat qorre të tij të komanduara nga Kasëm Radovicka. Kasëmi vetë e ndaloi vrapin në Therepel, pa kapelë në kokë. Pas shpartallimit të fuqisë mercenare të lodhur nga ajo luftë, shkuam e pushuam në katundin Mollas dhe Vërzhezhë.

 

 

Fitimin e asaj përleshjeje vendosa ta shfrytëzoj mirë politikisht, porse nuk ua kallëzova shokëve, Mestanit dhe Gjin Markut (ky i fundit kishte disa muaj që qëndronte me Mestanin). Sado që isha i lodhur e i këputur nuk munda të flija pse kërkoja zgjidhjen e asaj probleme, realizimi i të cilës më dukej shumë i vështirë. Mirëpo në mëngjesin e parë na lajmëruan se një komision nga qendra e nënprefekturës së Skraparit, Çorovoda, donte të takohej me ne. Ju nuk mund ta imagjinoni sesa u gëzova pse në atë rast pashë realizimin e ëndrrës sime.

 

 

Tani nuk me duhej tjetër veçse të bëhesha autori i një fakti të kryer. Posa erdhi komisioni përpara nesh dhe na paraqiti mesazhin e autoriteteve qeveritare të prefekturës se lufta që u bë në lokalitetin e naltëshënuar mbetej një pikë pa ndjekje, në qoftë se ne nuk do të sulmonim qendrën, Çorovodën.

 

 

Pa mbaruar mirë fjalën, unë, pa hezituar, nuk mungova, kundër natyrës time, të mbaja një qëndrim për të entuziazmuar pak shokët e mi. U thashë pjesëtarëve të atij komisioni:

 

-Ç’vlerë do të kishte lufta jonë e djeshme, veç asaj të cubave me organet e qetësisë publike, në qoftë se nuk do të merrnim kryevendin e Prefekturës së Skraparit? Kjo do të tingëllonte si një vepër e madhe atdhetare dhe në shtetet e tjera, se lufta për liri kundra okupatorit fashist e bërë nga shqiptarët e robëruar kishte hyrë në fazën e shkëputjes të disa krahinave dhe qyteteve nga sundimi i huaj?

 

 

Kjo shprehje jo vetëm entuziazmoi shokët e mi, por e vuri edhe komisionin në një pozitë që nuk dinte se ç’të thoshte. Atëherë, pa asnjë çast pushimi, u thashë se në orën 15:00 të po asaj dite, luftëtarët e lirisë, me luftë apo pa luftë, do të lironin Çorovodën duke hyrë brenda në të.

 

 

Këtë vendim shokët e pranuan pa asnjë shenjë moskënaqësie, pasi çështja u paraqit tamam sikur të kishim biseduar gjatë natës për këtë argument.

 

 

Në orën 15 të 9 shtatorit 1942, kur nazifashizmi luftonte me sukses prej El-Alamein-it deri në Stalingrad, ne hymë në Çorovodë pa luftë, pasi okupatori nuk ishte në gjendje të mbronte atë qendër atë ditë. Po në atë ditë ne, qoftë edhe simbolikisht (vetëm për 36 orë), çliruam për të parën herë një qendër nënprefekture shqiptare në tokën tonë.

 

 

Çfarë entuziazmi! Një jehonë dukej sikur mbushte qiellin dhe dheun, duke na përkëdhelur me një sihariq që mbante fshehur. Se një muaj e pak ditë më vonë do të merrnim emrin lavdiplotë: “partizanët e Nacional Çlirimtares glorioze”, natyrisht pas përfundimit të kongresit të Pezës në dyjavëshin e fundit të muajit tetor 1942 në Pezë.

 

 

E çliruam Çorovodën e, megjithëse isha i ndërgjegjshëm se ç’reaksion do të pësonim, kurrë nuk më kishte shkuar nëpër mend ajo që ngjau. Afër mëngjesit të ditës 10 shtator një luftëtar erdhi në shtëpinë e Bektash Mollasit, ku ne kishim ngrënë darkën në fillim. Kur më zgjuan, lajmëtari më dha një copë letër me këto fraza: “Një regjiment italian i nisur nga Berati po marshon drejt Skraparit në Çorovodë dhe fuqi të tjera mercenare të nisura nga Elbasani marrëshojnë, gjithashtu, drejt Çorovodës”.

 

 

Posa mësuam situatën në të cilën ndodheshim, vendimi për veprim nuk ishte i komplikuar. Mbi të gjitha duhej të linim Çorovodën për të mos mbetur në atë kurth në mes të dy zjarreve, pasi dalja nga ajo grykë përroi ishte gati e pamundur. Po të ziheshin kodrat rreth e përqark që e dominonin do të duhej të ecnim me ngut për të përballuar fuqinë e Elbasanit më parë se ajo të hynte në Kulmak, pasi qëndresa jonë në malet e Dobrushës, Vërzhezhës, Mollasit, Radëshit dhe Gradecit nga njëra anë dhe të Mëlovës, Zaloshnjës dhe Leshnjës nga ana tjetër rrezikohej qind për qind. Në mbrëmje arritëm në pozitat që shënuam këtu lart, ndërkohë që i kishim shpartalluar të gjithë repartet që kishin çuar kundra nesh.

 

 

Të nesërmen mora disa shokë dhe u nisa në drejtim të Teqesë së Kulmakut për t’u ndeshur me mercenarët e Elbasanit. Rreth drekës, kolona e Elbasanit kishte kaluar lumin që përshkon Tomoricën, duke u ngjitur në drejtim të Qafës së Kulmakut. Me pushkët e para, mercenarët e Shefqet Vërlacit lanë edhe ca kuaj që kishin ngarkuar me ushqime dhe municione dhe nga vrapi që morën e kthyen kokën prapa vetëm pasi arritën në lartësinë e katundit të profesor Abazit, në Ermenj.

 

 

Rreth profesor Abazit atëherë filluan të grumbulloheshin firarët, kriminelët dhe grabitqarët që kishin për intendent të përgjithshëm Abas Postenën, i cili mblidhte tagrat e haraçit që paguante popullsia e Tomorricës, Oparit dhe të tjerë përreth me lot në faqe, por skrupujt e Abaz Postenës nuk shtrydheshin nga ata lot.

 

 

(Fundi i pjesës së parë; vijon)

 

 

             

 

          © Në bazë të ligjit për të drejtën e autorit, ndalohet ribotimi i plotë apo edhe i pjesshëm i këtyre materialeve të marra nga libri pa lejen me shkrim të botuesit.

Lejohet citimi vetëm duke përmbushur kërkesat e ligjit për këtë pikë, pra, duke shënuar titullin e librit, autorin, botuesin, vitin e botimit etj.