Xhelal Staravecka: Si më la vetëm Mestan Ujaniku dhe Gjin Marku duke ikur në Myzeqe

Xhelal Staravecka: Si më la vetëm Mestan Ujaniku dhe Gjin Marku duke ikur në Myzeqe

80-vjetori i çlirimit të Skraparit dhe libri me kujtime i Xhelal Staraveckës

 

Pjesa 2

 

-Vijon nga numri i kaluar-

 

 

Pas shkatërrimit të fuqisë së ardhur nga Elbasani, luftëtarët që ishin me mua i dërgova në qendër dhe vetë, shoqëruar nga një djalë nga Toshkësi, iu drejtova Teqesë së Kulmakut, për t’u parë me personelin e asaj teqeje, mbasi kisha ndër mend t’u lija porosinë që të përdornin disa shenja për të na informuar mbi afrimin e ndonjë fuqie të mundshme nga Elbasani.

 

 

Që t’i bie shkurt, kur u ktheva në qendrën që patëm bërë provizorisht në Malin e Dobrushës dhe të Vërzhezhës, gjeta Mestanin me Gjin Markun, çdonjëri me nga dy tre persona që po rrinin mbi gjemba, natyrisht prisnin me padurim errjen e mbrëmjes.

 

 

Kur i pyeta se ku ishin shokët e luftës, më thanë t’i hidhja sytë në një sheshore mbi Vërzhezhë, ku dy tre orë më parë qe fushuar një regjiment italian. Pastaj më thanë se shokët kishin preferuar të shkonte secili në shtëpinë e tyre për të  qenë afër familjes në atë çast shumë të rrezikshëm. Mirëpo kjo bisedë nuk i përshtatej aspak të vërtetës pse kishin qenë ata vetë që i kishin nxitur luftëtarët e Skraparit të largoheshin nga fronti i luftës, pa i provuar armët e skraparasve mbi çunat e Duçe trimit.

 

 

Nga kjo situatë u dëshpërova aq sa nuk kisha koshiencë të gjykoja me arsye. E, nuk mjafton kjo, por Mestani me Gjinin më futën edhe një thikë tjetër dhe me thanë, natyrisht të tmerruar nga paniku, se pas pak minutash do të largoheshin edhe ata nga Skrapari!

 

 

 

Kur u nisën në drejtimin që kishin sajuar, në Myzeqe dhe Mallakastër për të ngrënë kokoshka (gjela) deti, ashtu si hëngrën krejt atë dimër, aty me mua mbetën dy persona nga Skrapari dhe ai i Toshkësit që fola këtu më lart. Në të vërtetë ishim katër, mirëpo kur i numëroja më dilnin pesë pse e filloja numërimin te unë dhe e mbaroja përsëri te unë; aq isha turbulluar nga ajo situatë e tmerrshme që krijoi Mestani me Gjinin duke lënë Skraparin pa asnjë mbrojtje.

 

 

Mendoni pak se në ç’gjendje të tmerrshme ndodhesha në ato çaste kritike. Mestan Ujaniku dhe Gjin Marku, pasi shpërndanë gjithë ata burra që na erdhën pas duke mos kursyer as veten në luftën që ne i hapëm okupatorit, nga paniku i vdekjes kur panë atë ushtri, pa u bërë përshtypjen më të vogël gjendja që krijuan, mbushën këmbët dhe ikën poshtë Myzeqesë. Pikërisht në ato çaste që prezenca jonë ishte më shumë se kurrë e nevojshme të ndodheshim në mes të atij populli që e hodhëm në luftë e që e priste një operacion i tmerrshëm. Nëse furia e okupatorit nuk u shkarkua në atë rast mbi popullin e Skraparit i atribuohet aksionit tim mëse të rrezikshëm, natyrisht nga dëshpërimi si do të flas këtu më poshtë…

 

 

Përpara asaj gjendjeje që më krijuan Gjin Marku dhe Mestan Ujaniku ç’mund të bëja?

Çudi! Sa herë që kam dashur në jetën time t’i zgjidhja problemet me urtësi dhe më filozofi, asnjëherë nuk kam mundur ta arrij qëllimin dhe sa herë që kam përdorur dhunën si mjet për të zgjidhur çështjen  e rastit jo vetëm politike, por edhe personale, ndërmarrjet nuk më kanë dështuar asnjëherë deri më sot. Jo, mos kujtoni se më lindi etja t’i vrisja ata të dy, pse ajo ishte një masë që shpinte ujin në mullirin e okupatorit, prandaj nuk kisha dëshirë ta bëja një vepër të tillë, por të vija dhunën në përdorim për të zgjidhur, në mos krejt, një pjesë të atij problemi. Dhe e arrita qëllimin…

 

 

Sado që ishte muaji shtator, nata kishte rënë pasi ora ishte dhjetë e ca minuta dhe unë u çova dhe i ftova ata të tre nëse donin të vinin me mua pasi e kisha marrë vendimin se çdo të bëja, porse nuk ua thashë atyre, jo për të mbajtur gjë fshehur, por nga turbullimi që më ishte shkaktuar  nga gjendja në të cilën ndodhesha. Nga vendi ku ishim, si thashë më lart, e deri në vendin ku pushonte fuqia armike, distanca nuk i kalonte të 40 minutat. Duke ecur në drejtim të fuqisë armike më ra ndërmend se ata që vinin pas meje besonin se po shkoja të dorëzohesha, prandaj u ndala dhe u tregova qëllimin se kisha vendosur të hyja në fushimin ku ndodhej regjimenti italian dhe atje do të qëlloja me bomba dore. Kur e pashë se vendimi im nuk i entuziazmoi u detyrova t’i lija në një kodër duke i porositur që të më prisnin derisa të kthehesha nga ai aksion.

 

 

 

Vetë kisha tre bomba e meqenëse ata nuk erdhën, u mora nga një bombë edhe atyre dhe bëra gjashtë bomba. Kur iu avita armikut që flinte nuk isha shumë metra larg periferisë së fushimit të tij, u hoqa gjuhëzat bombave dhe e meqenëse qysh i vogël kam konkurruar me shokët se kush e hidhte gurin me shumë, dua të them më larg dhe kam qenë një hedhës guri mjaft i mirë, mbasi ishte një nga ushtrimet që më pëlqente më tepër, fillova t’i hidhja ato bomba mu në mes të ushtrisë. Mbas plasjes së bombave të mia, jo unë, por edhe kushdo tjetër të kishte qenë, nuk do të ishte larguar për të parë atë skenë të çuditshme që u krijua atë natë mbi Vërzhezhë, në regjimentin italian.

 

 

Italianët, të tmerruar nga plasja e bombave, u çuan dhe filluan të hidhnin bombat e veta në çdo drejtim, porse në mes tyre, duke vrapuar kush më shpejt në drejtim të Çorovodës. Shumica e tyre la fushimin me armë e me gjithë ç’kishin. Ata u masakruan mes vetes dhe ai aksion bëri një punë shumë të madhe pse ia hoqi oreksin okupatorit të ngjitej në malet e Skraparit për të bërë një operacion ndëshkues në ato katunde që ndodheshin në male.

 

 

Mbas atij aksioni gjeta vetëm djalin nga Toshkësi, pasi dy të tjerët ishin larguar në drejtimet e veta. Bashkë me atë shokun iu drejtova Skraparit të Sipërm, ku ndodhet edhe katundi Staraveckë, në të cilin kam lindur në Marsin e 1912-ës. Atë natë, në udhëtim e sipër, m’u mbush mendja se më duhej të formoja një çetë, porse një çetë të atillë ku çdo partizan të ishte si unë: i tepërm në shtëpi dhe në botë, me një fjalë, i dedikuar në luftën kundër okupatorit prej pajës së flokëve deri në majat e thonjve të këmbës.

 

 

Kur arrita në katundin Gjorgjovë, te dajot e babait tim, ndër të cilët gjeta vetëm Hysen Ademin, kurse të tjerët ishin shpërndarë, kush në Myzeqe, kush në Berat e kush gjetkë, atje në shtëpinë e Hysenit qëndrova derisa formova të famshmen çetën time.

 

 

Në pak kohë arrita numrin që kisha synuar, pesëdhjetë partizanë, ndër të cilët dhjetë i kisha më mitraloza. Kisha edhe një mitraloz “Breda” të rëndë dhe një mushkë që ngarkoja atë dhe municionin e tij.

 

 

Çdo partizan kishte 250 fyshekë dhe dy bomba, veç të tjerave dhe partizanët e mitrolozëve që ishin në kuptimin e vërtetë të fjalës diva, veç mitralozit edhe nga dhjetë krehër me nga 20 fishekë. Isha në gjendje të angazhohesha qoftë në rrethim, qoftë në sulm të një volumi dhe të një autonomie të konsiderueshme…

 

 

 

Shënim:

 Fotoja tregon Xhelal Staraveckën, në atë kohë komandanti i Batalionit të Dytë të Brigadës së Parë Partizane, duke u takuar me majorin Bill Mclein të misionit aleat anglez, Vithkuq gusht 1943.

 

Eshtç interesent fakti se kjo foto është e vetmja, që, në Muzeun e Luftës së Dytë Botërore në Londër, pasqyron gjithë veprimtarinë dhe punën e Misionit Anglez në Shqipëri gjatë kësaj lufte.

 

Shqipëria në këtw muze “njihet” dhe “identifikohet” vetëm me këtë foto.

 

 

(Vijon nesër)

 

 

© Fragmente nga libri me kujtime historike “Përpara gjyqit të historisë: 1912-1966” i autorit Xhelal Staravecka, botimet “Naimi”, Tiranë 2012. Në bazë të ligjit për të drejtën e autorit, ndalohet ribotimi i plotë apo edhe i pjesshëm i këtyre materialeve të marra nga libri pa lejen me shkrim të botuesit. Lejohet citimi vetëm duke përmbushur kërkesat e ligjit për këtë pikë, pra, duke shënuar titullin e librit, autorin, botuesin, vitin e botimit etj.