Një nga bërthamat më të vjetra shqiptare, mes historisë, arkeologjisë dhe ADN-së
Zylyftar Hoxha
Lajmi i ditëve të fundit mbi testet e ADN-së, sipas të cilave Skrapari renditet ndër tre krahinat e trojeve shqiptare me përqindjen më të lartë të popullsisë me prejardhje ilire, përbën jo vetëm një kryelajm, por edhe një tjetër arsye krenarie për autoktoninë e banorëve të kësaj krahine.
Dhe kjo nuk duket të jetë rastësi. Sipas studiuesit të antikitetit të hershëm, Besim Dervishi, kemi të bëjmë me një dëshmi të fortë historike dhe antropologjike, që lidhet me përqendrimin e fuqishëm të halogrupit të bërthamës ilire pikërisht në këtë hapësirë, ku dikur ndodhej Orakulli i Dodonës, qendra shpirtërore dhe kulturore, që konsiderohet si një nga themelet e qytetërimit pellazg, më pas ilir dhe sot shqiptar.
Nga ana ime, si gazetar i historisë dhe memoristikës, pas një jete të tërë hulumtimesh në arkiva, dokumente, libra, rrëfime popullore, por edhe në universin kibernetik të informacionit modern, kam arritur në përfundimin se Skrapari, bashkë me disa zona përreth Tomorrit, përveç studimit gjenetik të sipërpërmendur, ka edhe një sërë faktesh e dokumentesh të tjera që dëshmojnë autoktoninë iliro-shqiptare të kësaj krahine.
E para:
Nga studimet e viteve 1970 mbi hartën arkeologjike të Skraparit, të pasuruara më tej nga zbulime të ekspeditave të ndryshme, veçanërisht nga arkeologët Luftim Ylli dhe Nuri Çuni, me mbështetjen edhe të arkeologut kolonjar Skënder Aliu, rezulton se nga 99 fshatra që kishte Skrapari në atë kohë, në rreth 60 prej tyre janë zbuluar gjurmë arkeologjike.
Sipas studiuesve, një përqindje kaq e lartë e vendbanimeve të sotme mbi vendbanime të lashta është ndër më të lartat, në mos më e larta, në Shqipëri.
E dyta:
Në regjistrat osmanë të viteve 1431–1432 dhe 1467 për Skraparin, të sjellë në vëmendje nga studiues si Viktor Bakillari dhe Gjergj Qafoku, rezulton se, krahasuar me sot, janë “zhdukur” vetëm 10–15 fshatra.
Pjesa më e madhe e tyre kanë mbijetuar, të paktën deri në vitin 1990, si njësi banimi dhe administrative, pothuajse me të njëjtin emër, duke pësuar vetëm ndryshime të vogla fonetike.
E treta:
Një tjetër element që flet për autoktoninë dhe veçantinë e Skraparit lidhet me përbërjen fetare të popullsisë.
Sipas Sami Frashërit, në fjalorin e tij enciklopedik “Kamus al-Alam”, popullsia e kësaj krahine, deri në kohën kur ai shkruante, nuk kishte pothuajse asnjë familje të besimit të krishterë.
Kjo të krijon përshtypjen se islamizimi në këtë krahinë mund të jetë kryer në një periudhë relativisht të shkurtër dhe në mënyrë pothuajse të njëtrajtshme.
E katërta:
Edhe regjistrimi i popullsisë i vitit 1923, i realizuar nga statisti i njohur shqiptar Teki Selenica, nxjerr në pah një tjetër veçori interesante të Skraparit në aspektin fetar. Në statistikat ku evidentohet besimi fetar, popullsia rezulton jo vetëm myslimane, por pothuajse tërësisht e lidhur me tarikatin bektashi.
Si përfundim, të gjitha këto të dhëna — së bashku me studimin e fundit të ADN-së, si edhe me mënyrën e jetesës, zakonet, gjuhën dhe folklorin e krahinës — krijojnë tablonë e një popullsie me vazhdimësi të hershme historike, me tipare të forta autoktone dhe me një identitet të veçantë kulturor.
