Zjarri në vatra mund të shuhet, por në zemra, kurrë!…

Zjarri në vatra mund të shuhet, por në zemra, kurrë!…

Tomorr Shasho

 

Banonin në qytetin e Lushnjës, por kishin ardhur këtu nga fshati Radësh i Skraparit. Ishin nga fisi Sulçe. Shtëpia e tyre ndodhej në krahun e djathtë të rrugës Qytet – Uzina e Plastmasit.

 

Në këtë shtëpi njëkatëshe, me dy dhoma, banonte nënë Zenepja me familjen e vet. Djali i madh i saj quhej Zamedin. Sa herë që do ta takoje këtë djalë, do ta shikoje të qeshur. Fjalët e tij të ngrohnin shpirtin. Në shtëpinë e tij të bëhej sikur ishe në shtëpinë tënde.

 

   Familja e Bashkim Sulçes, një nga trashgimtarët e fisit Sulçe me banim në Kolonjë – Lushnje

 

Në krah të Zamos (kështu i thërrisnim Zamedinin) bashkëshortja lezetonte shtëpinë. Ajo, si të thuash, ia kishte vjedhur zemërbujarinë vjehrrës. Mikpritjen ia lexoje jo vetëm kur i shkoje në shtëpi, por edhe në lokalin “Adriatiku”, ku shërbente. E tillë ishte Kadeja; punëtore, gojëmbël, e mirësjellur me të gjithë.

 

E se mos ishin vetëm Zamoja e Kadeja të kulturuar e të edukuar! Të tillë ishin edhe pjesëtarët e tjerë të familjes: Qazimi e Dashi –  bashkëshortja, Myneverja e Myzejeni – vajzat e nënë Zenepes.

 

Respektin e Myzejenit (Myskës) e vije re sapo hyje në ëmbëltoren aty tek cepi i bulevardit të qytetit, përballë monumentit “Toka jonë”. Bujaria e Myneveres të bëhej e qartë që në fjalët “Mirë se erdhet!”

 

Sa shumë fragmente jetësore mund të tregosh për këtë familje të mrekullueshme!

– Më falni që po ju bezdis në këtë orë të vonë, por… ashtu e pata hallin, – i drejtohem në një rast pjesëtarëve të kësaj familjeje.

– S’ke përse më kërkon falje. Të gjithë jemi për njëri – tjetrin, – më drejtohet Zenepja. – Ne nuk flemë para orës dhjetë të mbrëmjes. Qëndrojmë deri sa vjen edhe treni i fundit. Se ka hallexhinj, që rrezikojnë të mbeten jashtë…

 

Eh, moj nënë Zenepe, ç’zemër të ngrohtë që kishe! Shtëpinë e ktheje edhe në strehëz për miq, sidomos në netët e ftohta të dimrit. Me shtëpi ishit ngushtë, por me zemër ishit gjerë.

Kjo zemër bujare ishte trashëguar nga babai, por e kultivuar dhe nga xhaxhai i tyre, Sefedin Sulçe, që banonte familjarisht në fshatin Kolonjë të Lushnjes.

 

Njohja ime me familjen Sulçe në Kolonjë ishte e vjetër. Babai im ishte shok i ngushtë me xha Sefën. Me Minxën, bashkëshorten e Sefes, binim edhe gjak.

 

Xha Sefedini lexonte shumë. Dhe i tregonte bukur çka lexonte. Kishte edhe të rinj që i shkonin pranë dhe i kërkonin t’u tregonte diçka nga “Lulja e Kujtimit”, apo nga libri “Një mijë e një net”. Miku më i dashur për të ishte pikërisht libri. Nuk e hoqi nga dora deri ditën që u largua nga kjo jetë.

 

Dardha bie nën dardhë, thotë populli. Si i ati, kështu edhe i biri: Bashkimi. I sëmurë mbas librit edhe ky.

 

U lumturova kur dëgjova shokun tim të rinisë së hershme, Dhimitër Shtëmbari, të më thotë: Më 26 dhjetor 2022 Bashkim Sulçes, kryetar i këshillit zonal të veteranëve e të pasardhësve të LANÇ të Kolonjës gjatë një tubimi përkujtimor kushtuar Çetës së parë Partizane të Myzeqesë nuk i foli goja, por zemra. Rrjedhshëm dhe me pasionin e një militanti shoqëror.

 

Zjarri në vatra edhe mund të shuhet, por zjarri i zemrave s’mund të shuhet kurrë.