72 punëtorë të vrarë: Masakra gjermano-naziste e Çezmës së Thatë në Berat

72 punëtorë të vrarë: Masakra gjermano-naziste e Çezmës së Thatë në Berat

Ylli Polovina

Berati për secilën nga dy pjesët e tij që shtrihen buzë lumit Osum, ka pasur dy kanale ujëgrumbullues. Ai në hyrje, rrugëlidhëse me Tiranën, me territor i cili quhej Murat Çelepi, e kishte fillimin tek Diga, pranë Urës së Goricës. Shërbente për të mbledhur ujërat prej shirave që binin vrulltas nga faqet e pjerrëta të kodrës ku ndodhet kështjella ilire dhe kështu mbronte banesat. Ai ujë i mbledhur ndërkohë konsumohej për të vaditur bostanet e shumta dhe tejet pjellorë të ndodhura në këtë pjesë të qytetit. Me anë të atij pastroheshin edhe lëkurët e një thertoreje të madhe.

Në anën tjetër të Beratit, ku ndodhet edhe tani qendra administrative, kanali tjetër e kishte pikën e fillimit në juglindje, atje ku rruga e makinave të çonte drejt Skraparit. Duke e marrë ujin prej Osumit në vendin e thirrur Hoxhaj, fshati Vodicë, vija e quajtur shpesh nga beratasit “rema”, duke kaluar në të djathtë buzë kodrave, pasi përdorej për disa toka në fshatin e madh Uznovë si edhe në bostanet e kopshtet e kësaj pjese të Beratit, pas disa kilometrash përfundonte pothuaj në qendër të tij. Saktësisht atje ku ndodhej një nga dy mullinjtë e mëdhenj të qytetit, pronë e vendasit Ali Shehu. Ky në vitet e Luftës Antifashiste, kohë ku do të përfshihet në rrëfim ajo që do t’i paraqesim lexuesit më pas, një masakër e përbindshme, qe i lidhur me Lëvizjen Nacionalçlirimtare.

 

Sipas pohimit, të bërë në 1964, të Zylyftar Veleshnjës, pjesëmarrës i spikatur në ngjarjet politike të qytetit për shumë vite, por edhe njohës i saktë i jetës së banorëve, puna e përvitshme për ta pastruar këtë kanal në krye të motit 1944 u vonua. Pastrimi i zakonshëm fillonte pas shirave të pranverës, nga fundi i prillit, dhe mbaronte në ditët e para të majit. Vonesa ndodhi për shkak të vështirësive. Ishte terror i egër. Një ballist i dehur të vriste apo ndonjë hitlerian kapadai të qëllonte nga një distancë e afërt e të linte në vend. Punë me rrezik për 114 punëtorët e pajtuar ta bënin pastrimin këtë vit. Qenë njerëz pa burim jetese…Punonin burra me një tufë fëmijë dhe fëmijë të parritur.

 

Sipas të gjitha burimeve të tjera, këta punëtorë të përkohshëm vinin kryesisht nga lagjet e qytetit, por kishte edhe prej fshatrave përreth Beratit, madje edhe nga Skrapari e Kuçova. Mes 114-ve, pesëmbëdhjetë prej tyre qenë të moshave nga 14 deri në 18 vjeç.

 

Momenti historik: Kongresi i Përmetit

 

Sipas një fjale të mbajtur 52 vite të shkuara, në 1964, Zylyftar Veleshnja ka vënë në dukje se “Në pranverë 1944 forcat gjermane kishin pësuar humbje të mëdha në krahinën e Beratit. Bie në pritë kolona gjermane në Zhitom dhe pastaj në Paraspuar nga Brigadat e 7-të dhe 12-të Sulmuese partizane. Nazistët që në luftimet e para lanë 35 të vrarë, midis tyre edhe një kolonel. Nga kjo u lindi në kokë plani për t’u hakmarrë”.

 

Dhimitër Brisku, për shumë kohë para nëntëdhjetës drejtuesi më i lartë i pushtetit vendor, po këtë vit, theksoi se “Në 17 mars 1944 në Vlushë të Skraparit u formua Brigada e 7 Sulmuese. Shumë qenë beratas. Një javë më vonë ajo u përurua me 5 orë luftë në qytetin e Beratit dhe gjithë ditën në periferi të tij. Në 27 prill hitlerianët nisën një ekspeditë ndëshkimore në krahinën e Nahijes së Beratit, por partizanët i bëjnë të dështojnë. I rikthyen në brigjet e Osumit. Lumi ishte plot me ujë dhe gjermanët me humbje të mëdha. Në 21 maj të informuar për mbajtjen e Kongresit të Përmetit nazistët nisën një kolonë të motorizuar, të shoqëruar edhe me aeroplanë, në drejtim të rrugës Berat-Përmet. Brigada e 7-të që mbronte rrugën Berat-Paraspuar, i dha goditje të forta, për disa ditë rresht”.

 

Sipas drejtuesit lokal të Komitetit të Veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare, Orhan Frashërit, “Berati i pushtuar prej gjermanëve “pothuaj përditë sulmohej nga Brigada e Shtatë”.

 

Siç dihet mirë nga shumëkush, në 24 maj 1944 filloi punimet Kongresi i Përmetit, veprimtari e Lëvizjes Nacionalçlirimtare dhe e Partisë Komuniste Shqiptare, qëllimi kryesor i të cilit ishte krijimi dhe shpallja e qeverisë së parë antifashiste. Kjo doemos qe një goditje mjaft e rëndë politike për pushtuesit dhe gjithë bashkëpunëtorët e tyre. Pas gjendjes shumë të tensionuar të operacionit gjerman të dimrit, i cili nuk e asgjësoi dot rezistencën e organizuar prej PKSH-së, madje me fillimin e pranverës ajo u rigjallërua, mbajtja e Kongresit të Përmetit i acaroi maksimalisht raportet e komandës naziste me pothuaj tërë shqiptarët. Një kulmim kaq i lartë tensioni do të përsëritej vetëm me sulmin partizan për çlirimin e Tiranës.

 

Me nerva të acaruara gjermanët do të ndiqnin nga afër çfarë ndodhte tek masa e punëtorëve që pastronin kanalin e ujit pranë vendit të quajtur Çezma e Thatë. Nëpërmjet mbështetësve të tyre në Berat si edhe informatorëve të futur mes njëqind e katërmbëdhjetëve, ata e dinin se një pjesë e tyre bashkëpunonin me partizanët. Vazhdimisht ata çdo mëngjes i kontrollonin punëtorët, një për një dhe shumë imët. Kështu pati ndodhur edhe në 24 maj. Në të gjitha rastet nuk kishin zbuluar asgjë.

 

Njëri prej atyre që pastronin rremën, Sabri Dashi, i cili nuk jeton më, ka pohuar se fshehja e letrave informative për batalionet partizane kryhej me mënyra të thjeshta, por të sigurta. Pusullat fshiheshin tek bishti i veglave të punës, në vrima të gërryera në dru dhe sipër vendosej pjesa e hekurt e lopatës apo e kazmës. Vend i padallueshëm qe edhe fundi nga brenda i gavetës së ushqimit, i cili mbulohej dhe zihej me brumë e sipër saj hidhej gjella.

 

Mbështetur mbi rrëfimin e dajës së vet, Elmaz Roli, i mbijetuar i masakrës dhe prej gjyshes së tij Adile Roli, nënë e Elmazit, vendasi Agim Çuni saktëson se “ka pasur të dhëna sikur Thoma Bello, komandat i njësiteve guerile të Beratit, i cili merrte letra nga partizanët, po ashtu u dërgonte, nëpërmjet punëtorëve që pastronin kanalin, letra çetave të tyre”. Të njëjtin rrëfim bën edhe Hysnie Liço, motra e Refat Liço, i vrarë në ngjarjen e Çezmës së Thatë.

 

E vërteton lidhjen mes një pjesë të punëtorëve dhe partizanëve edhe studiuesja e historisë së Beratit, për shumë kohë drejtore e muzeut të qytetit, Marela Guga, kur vë në dukje se “Informacioni nga spiuni u kishte shkuar gjermanëve se në këtë vend kishte mbledhje të ndryshme, lexoheshin komunikata, shpërndaheshin materiale luftarake dhe mobilizoheshin partizanë për në mal”.

 

Guga në projekt-librin e saj enciklopedik për historinë e Beratit, në zërin “Masakra e Çezmës së Thatë”, mes të tjerash shkruan se “Gjatë LANÇ ky kanal u kthye në rrugë kalimi dhe nyje kryesore për informatorët, partizanët e batalionit “Riza Cerova” dhe Qarkorin e Partisë mbi punëtorët që punonin në ndërtimin e rremës së Pashait-Hoxhaj-Berat”. Edhe ajo është e bindur se “informacioni nga spiuni u kishte shkuar gjermanëve”. Këmbëngulja për praninë e një spiuni mjaft aktiv, të quajtur Qemal Rëra, vazhdimisht është shprehur prej disa punëtorëve. Këta janë Hekuran Toska, Xhezmi Gajda, Servet Kullahu, Sabri Dashi e të tjerë.

Spiro Aleksi, një tjetër pjesëmarrës në ngjarje, ka thënë se 13-vjeçari Liçi Çapi, bashkëmoshatar me të, që të dy banorë të Kalasë dhe anëtarë në çetën e pionierëve të saj, “kishte mësuar se punëtorët që punonin për pastrimin e vijës së mullirit, takoheshin me partizanët, dëshironte të takohej me ta…ua mbushi mendjen sipërmarrësve të pastrimit të rremës dhe u punësua. Që ditën e parë u takua me partizanët. Kështu nisi detyrën e korrierit vullnetar. Ua hidhte me zgjuarsi kontrolleve. Në 24 maj letrën e kishte fshehur në majën e këpucës”. Këtë hollësi ia tregoi Spiros po atë mbrëmje, pa ditur se ky çast do të ishte takimi i tyre i fundit.

 

Rikthehemi sërish tek dëshmia e Zylyftar Veleshnjës: “Disa nga këta punëtorë kryenin në të njëjtën kohë edhe shërbime për repartet partizane, të cilat ato kohë kishin zënë pozitë në kodrat përreth”. Ai pohon se “Koço Brisku drejtonte një njësit zbulimi dhe një nga detyrat dhënë atij ishte që me anë të punëtorëve të rremës (vijës së mullirit), të bëhej ndërlidhja me disa shokë në qytet dhe të nxirreshin disa materiale  që duheshin për batalionin. Të bëhej gjithashtu agjitacion mes punëtorëve për të dalë partizan dhe detyra të tjera. Për tri javë punëtorët i kryen me guxim detyrat që u dhanë”.

Dhimitër Brisku po ashtu vërteton: “Një grup të rinjsh, efektiv të batalionit “Riza Cerova”, me qendër në fshatin Qahajajas, por që operonin deri në afërsi të Çezmës së Thatë, ku punohej, u vinin në ndihmë dhe u jepnin kurajë punëtorëve”.

 

Masakra, në të njëjtën ditë me Kongresin e Përmetit

 

Në librin e tij “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së Re”, Enver Hoxha shkruan: “Pas dy ditë diskutimesh, më 26 maj kaluam në fazën tjetër të punimeve të Kongresit, në zgjedhjen e organeve legjislative dhe ekzekutive të pushtetit tonë popullor”. Bëhej fjalë për Këshillin Antifashist Nacionalçlirimtar. “Pas gati dy orë diskutimesh, rrëfen Hoxha, komisioni përpiloi një listë me 115 kandidatë, u kthyem në sallë e seanca rifilloi. Doktor Nishani e këndoi listën dy herë me radhë e u dhanë shpjegime për çdo kandidat të propozuar, i cili, nga ana e tij, ngrihej në këmbë dhe “u prezantohej”  shokëve”.

 

Pas miratimit të listës Enver Hoxha në librin e tij pohon se “kishte ngrënë drekën dhe pastaj biseduar përzemërsisht me miqtë e mi të vjetër, Miha Lakon, Babë Myslimin, Esat Dishnicën”.

Të 115 e porsazgjedhurit e parlamentit të ardhshëm, si edhe të gjithë pjesëmarrësit e tjerë në Kongresin e Përmetit, nuk mund ta dinin çfarë po u ndodhte në të njëjtën kohë për të 114 punëtorët tek Çezma e Thatë në Berat.

 

Për të kuptuar sadopak çfarë po ndodhte këtu fillimisht do të na ndihmojë Koço Brisku, gueriles dhe partizan këtë kohë, më pas dëshmor i rënë në luftë. Në 14 gusht 1944 në gazetën  e “Fushës”, e cila ishte organ i Brigadës 16 Sulmuese, ka shkruar: “Më kujtohet shumë mirë ajo ditë dhe nuk është për t’u harruar kurrë, kur së bashku me një shok tjetër, zbritëm nga katundi Karkanjoz, për në bazën tonë katundin Qehajajas. Punëtorët të radhitur me kazma e lopata ndër duar, punonin për të sjellë ujin nga lumi për në remë, me anë së të cilit punonin mullinjtë.

 

Ishte kohë e drekës dhe vetë i katërt ne, partizanët, që ndodheshim pranë punëtorëve, shkuam për të ngrënë bukë në një shtëpi, atje pranë remës. Unë me të mbaruar së ngrëni shkova tek punëtorët, të cilët përditë qanin hallet e tyre me mua.

 

Të vinte shumë keq kur i shikoje ata punëtorë që shfrytëzoheshin krejt fizikisht dhe kur vinte koha e drekës, dikush kishte të hante bukën e misrit me ndonjë qepë, kurse shumica e hanin thatë.

Qysh ditën e parë që kishin filluar të punonin në ato vise, punëtorët përditë, megjithëse të detyruar nga gjendja ekonomike të mos i shmangeshin punës së përditshme, por të revoltuar nga zgjedha fashiste apo shtypjet që i bëheshin nga ana e reaksionit, shkëputeshin nga gjiri familjar, linin kazmat dhe lopatat dhe kapnin armët e lirisë, për të shtuar dhe forcuar radhët e Ushtrisë popullore Nacionalçlirimtare. Mirëpo kjo i kishte rënë në vesh reaksionit dhe ishin përgatitur tamam për sulm mbi ata që punonin tërë ditën pa orar dhe nuk mbushnin dot barkun me bukë.  Nuk mjaftonin djersët, duhesh gjaku, i cili u desh për të përfunduar atë punë, që punëtorët të shumëlodhur dhe të mërzitur më parë nga forca e gjakut të pafajësisë.

 

Ishte ora 12 e 30, kur punëtorët sapo kishin lënë punën dhe kishin filluar të hanin bukë. Jani, një punëtor me një rreth çiliminj në shtëpi mbante kafshatën e bukës në dorë dhe qante, kurse Ngjela, një shok i Janit, hante bukë dhe nuk shikonte pikëllimin e shokut të tij. Unë iu avita, e tunda prej supesh dhe e pyeta: -Çke more Jani? Apo mos vallë të dogji qepa?

 

-Sikur të më digjte qepa, më tha, e hidhja poshtë dhe e haja bukën thatë, po ç’të bëj se marr 60 lekë në ditë dhe që të ha bukën me ekonominë më të madhe në shtëpi më duhen 80 lekë. Për këto 20 lekët e përditshme qaj. Shtëpinë e kam në ballë të kodrave, ku luftojnë gjithnjë partizanët, por nuk më bie ndonjë murtajë të më përfshijë edhe mua së bashku me çiliminjtë.

 

-Unë, tha Ngjela, kam vendosur të mos kthehem në shtëpi. E çdo të bëj unë kur nuk mund të plotësoj nevojat familjare me punën time? Sot duhet me armë, ajo na shpëton një herë e mirë ne dhe kështu unë do të shkoj me shokët partizanë.

 

Nuk kishte mbaruar plotësisht fjalën Ngjela, kur, përtej lumit Osum, u dëgjua një mitraloz dhe pas mitralozit u dëgjua zëri i një punëtorit, i cili më bërtiti mua të largohesha, se po vinin gjermanët. Me gjithë se mua mu duk e pa besueshme, u largova dhe u futa në pyll. Nuk isha larguar shumë, kur dëgjoj të zbrazen armët pa reshtur dhe kur hedh sytë nga xhadeja shoh një radhë autoblindash, të cilat shtinin mbi punëtorët. Punëtorët e pafajshëm, duke humbur ekuilibrin nga plumbat e mallkuar, shtriheshin për tokë. Unë, i futur në pyll, shoh akoma se si ishin shtrirë punëtorët. Gjermanët dhe ballistët shtinin mbi kufomat dhe i vështronin mirë në se kishin mbaruar dhe kur shihnin ndonjë që akoma nuk kish mbaruar, i jepnin akoma dhe 10-15 fishekë automatiku, që kështu të mos lëviznin më”.

 

Vitet që kanë kaluar prej ndodhjes së masakrës, plot 72, sa edhe janë të vrarët kanë shkaktuar pasojat e tyre. Po ashtu edhe cipa e propagandës që e ka mbuluar si smog nga njëra dekadë në tjetrën, kryerja thjesht e ritit ceremonial të kujtesës dhe jo thellimi e regjistrimi gjer në hollësi, një lloj nënvleftësimi i vlerës historike të saj në rrafsh kombëtar për shkak të theksimit paralel shumë më të fortë për një gjysmë shekulli të Kongresit të Përmetit, jo vetëm kanë lënë boshllëk, por edhe e kanë shtuar në pas motet nëntëdhjetë. Ekziston materiali i dikur muzeut të Beratit, i cili është vetëm një broshurë llafazane, pothuaj pa dokumentacion. Për fat vite më parë, e hartuar nga Skënder Mustafaj, drejtues i mirë informuar dhe bashkëkohor i shoqatës së familjeve të dëshmorëve të qarkut, funksionon një përmbledhëse fjalimesh në raste përvjetorësh të masakrës, çfarë është lënda më e dobishme deri tani për këtë ngjarje.

 

Duke qenë se ende ka mbetur mjaft boshllëk informativ dhe problemi i plotësimit sa më maksimal duket çështje urgjente, po i paraqitim lexuesit disa pamje të ndryshme të masakrës, plus edhe hetimet tona.

Emrat e të masakruarve

1.Alit Muka

2.Arif Kovaçi

3.Aqif Çela

4.Arshin Sula

5.Brahim Dashi

6.Banush Xhaferi

7.Bahri Ago

8.Cane Kapinova

9.Duro Lala

10.Dane Tusha

11.Dane Kanani

12.Dane Arapi

13.Demir Fatia

14.Dine Doko

15.Ramiz Salinjasi

16.Rakip Kullau

17.Riza Çekini

18.Riza Liço

19.Riza Sharavolli

20.Riza Dume

21.Riza Maliqi

22.Hamdi Sherifi

23.Luto Kurti

24.Luto Kasollja

25.Liçi Capo

26.Maliq Meço

27.Maliq Çomo

28.Malo Dane

29.Mahmut Çela

30.Meçan Yzeiri

31.Meçan Dervishi

32.Meçan Fejziu

33.Meçan Vreshtaniku

34.Muharem Diti

35.Miti Rrapi

36.Miti Kozi

37.Teme Ramadani

38.Tare Merqinasi

39.Teme Kanani

40.Trush Mullisi

41.Thanas Çapo

42.Koli Ziu

43.Qani Hoxha

44.Qerim Toska

45.Fejzi Liço

46.Fejzi Arapi

47.Halit Nuhu

48.Refat B.Këmbaci

49.Refat S.Këmbaci

50.Refat Salinjasi

51.Refat Semkovali

52.Refit Barollari

53.Refit Mane

54.Refit Bullari

55.Rexhep Pulaj

56.Hamit Ramadani

57.Idriz Kanani

58.Ilvi Kovaçi

59.Ismet Dollani

60.Jorgji Tusha

61.Ismail Fatia

62.Sabri Ruçi

63.Sefedin Islami

64.Sefer Senko

65.Sefer Maliqi

66.Zake Seferi

67.Zenun Hajdari

68.Shaban Sina

69.Shaban Llogaçe

70.Xhelal Begashi

71.Xhemal Zenuni

72.Gani Arapi

 

Nderimi: 72 punëtorë të vrarë, vetëm një lapidar(!)

 

Njëzetë e gjashtë maji 1944 qe e shtunë dhe në Berat ditë pazari. Ndërsa në shkrimin e djeshëm rrëfimi i ngjarjes u krye në gusht 1944 prej partizanit të pranishëm Koço Brisku, gjashtë dekada më pas, në maj 2013, u realizua nëpërmjet një shkrimi të botuar në “Telegraf” prej autorit Agron Nurellari. Me burim një dëshmitar që nuk e citon, ai shkroi: “Më 26 maj 1944 tek Çezma e Thatë vijnë forcat gjermane të shoqëruara nga tradhtari me motoçikleta. Ata kontrolluan në terren. Mbasi u larguan të parët, ç’të shikojmë? Nuk vonojnë nga tre drejtimet me formacion luftimi me forca të shumta dhe mjete të blinduara ja mbërritën gjermanët. Kalojnë përtej lumit në Çorbaxhias (Bilsh) një grup në Poçallas (Blloku i Fiqve sot) të tjerët mbi kokat tona” (Sipas të pranishmit Vasil Zaka “Një grup i këtyre forcave dolën nga krahu tjetër, matanë lumit”).

 

Vijon shkrimi i Nurellarit: “Ne ishim aty mbi 100 vetë, po bënim pushimin e drekës dhe po hanim ushqimin. Kalon pararoja i tyre para nesh dhe kur del tek Kryqi i Qehajajasit, tek kthesa e Bojës, hedh tr igranata. Manovër, menduam ne. Por jo? Në çast nga tre drejtime mbi ne, punëtorët e paarmatosur, shumë gryka armësh villnin zjarr. Gjaku derdhej rrëke. Brenda pak minutash në një territori prej 200 metrash u vranë 72 vetë me bukë në gojë. Ata ende nuk kishin njomur bukën me ujin e shtambave që pruri Liçi Çapi, 13 vjeç, i cili u vra i fundit. Ata shkojnë mbi kufoma i kontrollojnë dhe i qëllojnë me revolver në kokë kur jepnin shpirt”.

 

Zylyftar Veleshnja: “Sapo kishin ngrënë drekën e tyre të varfër dhe patën filluar përsëri punën kur në kodrat që dominojnë vendin e quajtur Çezma e Thatë u dukën gjermanët. Një kolonë gjermane e shoqëruar nga dy autoblinda, duke pasur me vete edhe shumë forca balliste që njihnin terrenin ishin nisur nga Berati dhe një kilometër afër vendit të punimeve u përhapën në formacion luftimi duke u futur në zonën e Çezmës së Thatë nga ana veriore dhe perëndimore në një gjysmë rrethi. Në këtë kohë tre ballistë shkëputen nga njësia e tyre, e cila i shoqëronte nga larg skuadrat e automatikasve gjermanë, ngjiten në kodrat e Qehajajasit dhe në çastin më të përshtatshëm, kur punëtorët ishin grumbulluar e punonin, japin një të shtënë të vetme pushke, si sinjal për fillimin e masakrës.

 

Nga distancë fare të afërta mbi punëtorët u hap zjarr me shumë lloj armësh: mortaja të kalibrit të vogël, mitraloza, automatikë dhe pushkë. Që në breshërinë e parë mbetën të vrarë e të plagosur shumë punëtorë. Kjo vazhdoi vetëm pak minuta. Pas kësaj, duke ruajtur me shumicën e forcave pozitat zotëruese, hitlerianët lëshojnë mbi punëtorët automatikasit, të cilët i qëlluan të plagosurit në kokë e në gjoks. Kështu e pësuan të plagosurit Meçan Saliu, Riza Liço nga Uznova, Qerim Toska nga Sinja etj. Në 150-200 metra, ku po punonin 114 punëtorë, 72 të vrarë. Shtatë të plagosur mbetën sepse u pandehën si të vrarë. Koli Ziut nga plaga që kish marrë, i pati rënë të fikët. Një tjetri, të plagosur rëndë, i kishin rënë përsipër dhe e patën mbuluar dy vëllezër të porsavrarë”.

 

Dhimitër Brisku: “Thanasi, i ati i 13-vjeçarit Liçi Çapi, punonte afër të birit. Ky fillimisht u plagos rëndë nga një breshëri plumbash automatiku. Vdiq pas disa orësh”.

Sabri Dashi: “Liçi i vogël ishte bashkë me ne i shtrirë përdhe dhe u ngrit në këmbë, kur një çast armët pushuan. E thirrëm të rikthehej. Rinisën krismat dhe e kapën plumbat”.

 

Islam Hima, banor i lagjes brenda kështjellës ilire të Beratit: “Edhe nga Kalaja pati goditje me artileri për në fushën e Vodicës, tek rrema dhe punëtorët”.

 

Sabri Dashi (treguar skulptorit Vangjel Peço, autorit të lapidarit për 72 të rënët e masakrës së Çezës së Thatë): “Po hapnim rremën. Bëmë pushimin dhe u ulëm të hanim bukë. Dëgjuam matanë lumit disa të shtëna. Thamë “Lëre kush e di pse? Mbase gjermanët ndjekin ndonjë partizan. Por kjo ishte e sajuar. Qe lajmërim për ata nga pas që nuk ka rrezik prej partizanëve. Kjo batare e parë u mbyll me kaq. U ngritëm, por filloi batareja e dytë, me shumë të shtëna. Vrapuam tek disa pemë të mbroheshim, u shtrimë barkas, poshtë urës disa. U vranë nga punëtorët dy apo tre. I pamë që ranë përtokë dhe nuk po kuptonim çfarë ndodhte. Gjermanë nuk i shihnim me sy, nuk dukeshin.

 

Përsëri krismat pushuan. Zgjati ky moment dhe ne që ishim shtrirë për t’u mbrojtur u ngritëm në këmbë dhe filluam të bërtisnim me zë të lartë: “Jemi punëtorë, mos shtini!” Nuk dinim nëse qëlluesit na dëgjonin. Tashmë ishim mbledhur në një grumbull dhe bashkë me thirrjet tundnim edhe duart në shenjë pushimi të të shtënave. Por këtë herë nisi më furishëm batareja e tretë, hidheshin predha deri edhe me mortaja. U bë kërdia. Punëtorët rrëzoheshin përtokë, shumë as pa klithur apo rënkuar. Pastaj u shfaq një motoçikletë me kosh dhe mitraloz trekëndësh mbi të. Gjermani që e përdorte, sapo shihte një trup të rënë të lëvizte, e qëllonte.

 

Nga poshtë rrëpirës, duke kërkuar ndihmë, u duk koka e një punëtori që ish nga Lushnja. Plumbat njërën këmbë ia kishin thyer. Një oficer gjerman iu afrua dhe e qëlloi me pistoletë në kokë. Pasi vranë çdo të plagosur, ne të tjerëve, që kishim mbetur gjallë, na mblodhën në një shesh, tamam aty ku vite më vonë do të vendosej lapidari. Vunë përballë një mitraloz trekëmbësh dhe kërcënuan se kush do të lëvizte do të vritej në vend. Pas një kohe që dukej pa fund, erdhi një kamion ushtarak dhe në karrocerinë e tij na futën ne, të mbeturve gjallë, si edhe hodhën edhe kufomat. Na dërguan në Berat. Neve na lanë, kurse kufomat i hodhën në mes të qytetit për t’u kallur tmerrin banorëve”.

 

Ekspozimi frikësues i trupave

 

Nëpër dekada skena e paraqitjes së 72 trupave të masakruar në të dy anët e pazarit të misrit, përballë hotel “Tomorit”, mu në zemër të qytetit, ka kapërcyer pa ndonjë të dhënë posaçërisht të detajuar, ndërsa në të vërtetë përbën krimin e dytë të hitlerianëve. Mënyra si është bërë ajo, për të kuptuar atmosferën e krijuar pas kësaj skene shumë tronditëse, ndodhet sadopak dy muaj më pas e shkruar nga partizani Koço Brisku tek gazeta e “Fushës”: “Mynxyrë, një zi e madhe mbulonte Beratin atë ditë.

 

Karrocat e radhitura përcillnin kufomat e viktimave për në banesën e fundit. Batalione njerëzish prisnin dhe përcillnin punëtorët për në banesën e fundit me lot ndër sy, me duar në kokë dhe duke klithur për fashizmin dhe reaksionin. 70 nëna e baballarë pa djem, 70 gra pa burra, 70 motra pa vëllezër dhe me qindra kalamaj pa baballarë; të tërëve u iku dhe shpresa e fundit. U iku edhe ajo kafshatë e gojës njëherë e për gjithnjë nga veglat e qelbura të nazizmit, nga reaksionarët”.

 

Ndërkaq Islam Hima ka pohuar se “Dy ditë para masakrës kam qenë tek miku im Durro Kaçeli, në lagjen Kodra e Sulmit në Berat. Ishte pasdite, ulur në ballkonin e shtëpisë, 26 maj. Dëgjojmë të shtëna nga Kalaja. Në mëngjesin e 27 majit zbres poshtë për të psonisur. Më dërgoi Durroja. Dëgjoj ulërima të familjarëve të vrarëve. Shkoj tek ish pazari i misrit. Aty qe një rrap i madh. Ishte edhe një tregtar që shiste kinkaleri, ku unë bleva një stilograf. Afër hotel “Tomorit” mbërriti një makinë tip Shevrolet, angleze, me shenjat e Kryqit të Kuq. U hapën spondet e saj dhe u shkarkuan nga makina rreth 20 të vrarë, të gjakosur, por edhe të mbuluar me baltë. Tre gra dhe dy burra gjetën njerëzit e tyre të vrarë. Në ballkonin e hotel “Tomorit” 3-4 oficerë të Ballit qeshnin e bisedonin me njëri-tjetrin”.

Sipas një shkrese të nisur nga prefektura e Beratit për Ministrinë e Brendshme në Tiranë, hartuar në katër e gjysmë të mbrëmjes së 26 majit, thuhet: “Kemi nderin t’ju njoftojmë se më datë 26 maj në vendin e quajtur Çezma e Thatë, Uznovë, Komuna Qendër, zonë e pakontrollueshme nga arma e gjindarmërisë, janë vrarë nga ushtria gjermane 26 veta dhe 8 të plagosur. Numri i të vrarëve dhe plagosurve nuk dihet ende me saktësi, pasi zona në fjalë qëndron nën influencën e komunistëve”.

 

Raporti i prefekturës për numrin real nuk është i plotë, sepse me kamionin e parë ushtarak dhe me ndonjë mjet tjetër (Orhan Frashëri thotë se u përdor nga bashkia edhe karroca e saj) në 26 maj u morën pak kufoma, me sa duket ato që ishin mbi tokë, dukeshin. Shumica e të pajetëve të tjerë patën rënë në kanalin e ujit. Duke mos gjetur trupat e njerëzve të tyre shumë familje kanë kërkuar ndihmë pranë Kryqit të Kuq Anglez dhe qenë këta që në 27 maj i sollën punëtorët e tjerë, të mbuluar jo vetëm nga gjaku, por edhe prej baltës.

 

Kështu Berati ka kaluar, me kufomat në mes të sheshit për plot dy ditë, një vuajtje të madhe shpirtërore, të pandodhur kurrë më parë. Ishte makth për çdo shtëpi. U desh jo pak kohë që edhe shifra e saktë e këtij krimi të përbindshëm të bëhej i plotë. Lista e 72 të vrarëve me emër-mbiemrat një për një, është bërë publike prej mbi shtatë dekadash dhe autori i këtyre radhëve e ka në zotërim të dërguar prej historianes beratase Marela Guga. Ajo gjendet edhe në botimin e Skënder Mustafajt. Ruhet edhe në muzeun e qytetit, në pavijonin Periudha e Luftës.

 

Një kujtesë tjetër, për të kuptuar fatin e nënvleftësuar të kësaj ngjarje makabër: në librin e tij “Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së Re”, kur përshkruan gjerësisht punimet e Kongresit të Përmetit, Enver Hoxha nuk e citon atë qoftë edhe me vetëm një fjalë. Ishte një masakër që u bë si hakmarrje politike ndaj kësaj ngjarjeje, është pjesë e pandashme e rrëfimit të domosdoshëm të saj. Koha mund ta zbusë dhe dimensionojë më pak këtë kongres, por duhet të ngrejë më lart vrasjen e përbindshme të 72 punëtorëve në Berat.

 

“Mbasditen e 26 majit filluam mbledhjen e parë të KANÇ-it të ri”, shkruan Enver Hoxha. Më tej: “Të nesërmen në mëngjes u mblodhëm për të vazhduar punën”, “Me unanimitet u aprovua Komiteti Antifashist Nacionalçlirimtar me këtë përbërje: kryetar dhe i ngarkuar me punët e Luftës e të Mbrojtjes Kombëtare-Enver Hoxha, nënkryetar-Myslim Peza, anëtar i ngarkuar me Punët e Brendshme Haxhi Lleshi, me Punët e Jashtme-doktor Omer Nishani…me punët e Shtypit e të Propagandës-Sejfulla Malëshova, me punët e Arsimit-Gjergj Kokoshi, me Punët Botore-ing. Spiro Koleka, me punët e Shëndetësisë-doktor Ymer Dishnica”. Pastaj: “Të nesërmen, më 28 maj, ishte dita e mbylljes….”

 

Spiuni që nxiti masakrën dhe ballisti që u përpoq ta ndalonte

 

Tek motoçikleta me mitralozin trekëmbësh që shtinte mbi të plagosurit, ulur pas gjermanit, i cili e ngiste, ndodhej një shqiptar. Për punëtorët e mbetur gjallë Sabri Dashi, Xhezmi Gajda, Servet Kullahu, Hekuran Toska e të tjerë ky quhej saktësisht Qemal Rëra. Ai qe një spiun ordiner i hitlerianëve. Pas masakrës brënda pak ditëve u kap dhe u pushkatua nga partizanët.

 

Ndërkohë si nxitës politik i masakrës, në mos edhe si pjesëmarrës në të, një pjesë e veteranëve të Luftës për Beratin ngulin këmbë se ka qenë Abaz Ermenji. Por asnjë provë dokumentare apo dëshmi nuk paraqitet. Ndërkaq ka një fakt të mbajtur, për arsye politike, fshehur: Avdyl (Duhanasi) Shuka, komandant Balli për zonën, u kërkoi gjermanëve të ndalnin zjarrin, pasi personat që po i qëllonin, nuk ishin partizanë, por punëtorë të thjeshtë. Sipas gazetarit vendas Abedin Kaja, i cili është edhe studiues i zhvillimeve lokale, këtë e vërteton edhe kryeveterani i Luftës për qarkun, Orhan Frashëri.

 

Lapidari përjetësues i skulptorit Vangjel Peço

 

U realizua në 1986. Autori fitoi konkursin e bërë dhe në miratimin e tij, i cili atëherë kryhej në një mbledhje të posaçme të byrosë së PPSH-së për rrethin, erdhën nga Tirana Kristaq Rama dhe Muntaz Dhrami. Boceti fitues, i cili u monumentua brenda gjashtë muajve, stilizonte në pamjen e tij simbolin e punëtorëve, siluetën e një kazme. Skulptori Vangjel Peço, autor edhe i krijimeve të tjera të arrira profesionalisht, mes tyre edhe i një basorelievi për Babë Dudë Karbunarën, në krijimin e figurave të punëtorëve që binin nën furinë e plumbave naziste, frymëzimin e ka pasur prej të rënëve realë. Ai bisedoi me të gjithë të mbeturit gjallë si edhe dëshmitarët. Gjen mes tyre edhe 13-vjeçarin Liçi Çapi, madje edhe punëtorin nga Lushnja, me këmbë të thyer nga plumbat gjermane dhe të cilin, tek kërkonte ndihmë, e vrau kriminalisht oficeri nazist.

 

Kur u përurua ky lapidar mori pjesë një i dërguar i Byrosë Politike, shkroi posaçërisht edhe gazeta kryesore zyrtare e kohës, “Zëri i Popullit”.

Por skulptori Vangjel Peço u trondit shumë kur në trazirat e vitit 1997 mbi këtë lapidar disa të pafytyrë shtinë breshëri të gjata me armë “Kallashnikov”, të rrëmbyer prej depove të Ushtrisë. Kështu u rivranë sërish 72 punëtorët.

 

Ndërkaq Abedin Kaja, i cili për tre vite rresht (2013-2016) ka qenë administrator i Njësisë Bashkiake Uznovë, me juridiksion edhe territorin e Çezmës së Thatë, vë në dukje se në përvjetorët e kësaj masakre janë të pranishëm pa asnjë përjashtim të gjitha degët lokale të partive politike shqiptare.

 

Gjithsesi një problem rri pezull që për një treçerek shekulli: Përse nuk janë dëshmorë? Sistemi politik i para vitit 1990, i cili e nderoi këtë sakrifikim, nuk shkoi më tej, edhe pse në mënyrë të përsëritur u kërkua që të 72 punëtorët të shpalleshin me një status publik. Këtë status në vitin 1972 e fitoi vetëm Ibrahim Avdulla Dashi nga qyteti i Kuçovës. Por edhe ai jo sepse e dha jetën në këtë masakër, por sepse më parë qe i angazhuar dukshëm me Lëvizjen Nacionalçlirimtare.

 

Në rast se titulli “dëshmor” është i tepruar, i tillë mbase edhe ai “martir”, një emërtim më nderues kombëtarisht se kjo gjendje vlerësimi që kanë tani është e detyrueshme. Shqipëria e pas rënies së diktaturës u ka një borxh 72 punëtorëve që Çezmën e Thatë dhe kanalin vaditës të qytetit të Beratit në 26 maj 1944 e mbushën jo me ujë, por me gjakun e trupave të tyre.