Tomorr Shasho: Kujtime nga një kohë kur skena, kënga dhe duartrokitjet bashkonin qytetin rreth artit dhe kulturës

Tomorr Shasho: Kujtime nga një kohë kur skena, kënga dhe duartrokitjet bashkonin qytetin rreth artit dhe kulturës

 

 Tomorr Shasho

 

Kur rikthehem me mendje në ato ditë të largëta të gushtit të vitit 1971, një nga pamjet që më del më qartë përpara syve është ajo e Shtëpisë së Kulturës në Çorovodë.

 

 

Isha i sapoardhur në qytet. Ende nuk i njihja mirë rrugët e tij, të pakta në numër, as njerëzit, institucionet dhe ritmin e jetës së përditshme. Por që në ditët e para, vëmendjen ma rrëmbeu ajo ndërtesë e bukur dykatëshe, e ngritur krenare në sheshin kryesor.

 

 

E ndërtuar me gurë të skalitur ngjyrë hiri, ajo harmonizohej natyrshëm me godinat e tjera të qytetit: me institucionet shtetërore, shkollat, banesat një- e dykatëshe dhe me bllokun e njohur të kullave, që banorët i quanin kështu për shkak të pamjes së tyre të veçantë dhe mureve me tulla silikate gri. Shtëpia e Kulturës dukej sikur ishte zemra e qytetit, vendi ku rrihte pulsi i jetës artistike dhe shoqërore.

 

 

Dhe vërtet ashtu ishte.

 

 

Në ato ditë vere, ndërtesa gumëzhinte nga njerëzit. Qytetarë të shumtë mbushnin sallën për të ndjekur konkurset e grupeve teatrore amatore të kooperativave bujqësore të Jugut. Entuziazmi ndihej kudo: në korridore, në prapaskena, në sallë e në sheshin përpara godinës.

 

 

Ende pa marrë emërimin në punë, Seksioni i Arsimit dhe Kulturës më ngarkoi të shoqëroja trupën teatrore amatore të kooperativës bujqësore të Lapardhasë, e cila konkurronte me komedinë “Cjapi me zile”, vënë në skenë nga regjisori Vangjel Myzeqari. Atëherë nuk e dija se vitet do të na kryqëzonin sërish rrugët në Shkollën e Kulturës në Tiranë.

 

 

Po në ato ditë njoha edhe drejtorin e Shtëpisë së Kulturës, Asqeri Jaubellin, dhe inspektorin e kulturës, Kasëm Cakën. Takimin e parë me qytetin ma bëri më të lehtë pikërisht Asqeriu. Me qetësinë, mirësinë dhe fjalën e ëmbël që e karakterizonte, ai ma largoi menjëherë ndrojtjen e të sapoardhurit. Falë tij, nuk u ndjeva mysafir në Çorovodë, por pjesë e saj.

 

 

Detyra si drejtues i punës me pionierët në shkollën 8-vjeçare “K. Ylli” më lidhi edhe më fort me Shtëpinë e Kulturës. Në ato vite, Çorovoda nuk kishte Shtëpi Pionieri dhe pothuajse çdo aktivitet artistik i fëmijëve realizohej në bashkëpunim me këtë institucion. Pak nga pak, dyert e saj u bënë edhe dyert e mia.

 

 

Ishte kënaqësi të shihje çdo ditë në lëvizje drejtorin Asqeri Jaubelli, instrumentistin Hajri Zhamani dhe masovikun Gëzim Zylfo. Ata punonin pa u lodhur për të afruar talente, për të organizuar aktivitete dhe për të mbajtur gjallë jetën kulturore të qytetit.

 

 

 

Më pas erdhën dy të rinj të talentuar, të cilët do të linin gjurmë në kujtesën artistike të Skraparit: Edmond Agolli dhe Durim Shishmani. Edmondi, regjisor nga Progri i Devollit, dhe Durimi, muzikant nga Elbasani, sollën energji, ide dhe frymëzim të ri. Me ta, aktivitetet artistike morën një tjetër ritëm. Skena u gjallërua, repertori u pasurua dhe qyteti nisi të jetonte më intensivisht me artin.

 

 

Një aktivitet pasonte tjetrin. Festivale këngësh për fëmijë e pionierë, konkurse folklorike të kooperativave e ndërmarrjeve, koncerte festive, teatro dhe estrada. Dukej sikur në Shtëpinë e Kulturës nuk kishte kurrë pushim.

 

 

Nën drejtimin e Durim Shishmanit u krijua një kompleks i shkëlqyer i muzikës së lehtë me mësueset Lumturi Fusha, Donika Dervishi, Valentina Kotobelli dhe dy mësuese nga Vlora, emrat e të cilave koha m’i ka zbehur në kujtesë. Po aq i dashur për publikun ishte edhe grupi i pionierëve, ku spikatnin zërat e Mira Idërshajt, Aurora Hajdinit, Liri Hysenllarit, Roberta Vasos, Teuta Grevës e shumë të tjerëve.

 

 

Jetës artistike iu shtua edhe Teatri i Kukullave me regjisor Iljaz Bregun. Ende sot më kujtohen dramat, komeditë, estradat dhe netët teatrore që mbushnin sallën me duartrokitje. Në skenë shkëlqenin Kujtim Kadiu, Iljaz Bregu, Gëzim Zylfo, Lumturi Fusha, Valentina Kotobelli, Lumturi Nako dhe shumë artistë të tjerë amatorë, që publiku i donte dhe i priste me dashuri.

 

 

Po aq e gjallë ishte edhe kinemaja “Tefik Lapani”. Sallën e saj e gjeje pothuajse gjithmonë plot. Kjo falë përkushtimit të Namik Ismailit, njeriut që e kishte kthyer kinemanë në një vend të dashur për qytetarët. Ai nuk kujdesej vetëm për filmat, por edhe për atmosferën, pastërtinë dhe ngrohtësinë njerëzore që të bënte të ndiheshe mirë sapo hyje në sallë.

 

 

Një hijeshi të veçantë i shtonin jetës kulturore edhe ekspozitat e piktorëve skraparlinj, të cilat sillnin ngjyra dhe emocione të reja në qytet.

 

 

Një pasdite, ndërsa vështronte fëmijët që hynin grupe-grupe në sallë, Durim Shishmani buzëqeshi dhe tha:

 

— Erdhen bletët në koshere.

 

Një shprehje e thjeshtë, por që mbeti gjatë në kujtesën time.

 

 

Sepse ashtu ishte. Çdo pasdite e mbrëmje, Shtëpia e Kulturës “Riza Cerova” gumëzhinte nga zërat, këngët, të qeshurat dhe emocionet e qindra njerëzve. Ajo ishte një koshere e vërtetë bletësh, ku secili sillte diçka nga vetja për të krijuar mjaltin e bukur të artit dhe kulturës.

 

 

Gjatë katër viteve që bashkëpunova me këtë institucion, si drejtues i punës me fëmijët dhe si aktor amator, kuptova se qytetarët e Çorovodës kishin një respekt të veçantë për dy djemtë që i dhanë aq shumë jetës artistike të qytetit: Edmond Agollin dhe Durim Shishmanin.

 

 

Dhe Edmond Agolli, si për t’ua kthyer dashurinë e atij populli fisnik e mikpritës, i falënderoi me këto vargje të ndjera:

 

 

Ndihem skraparlli

 

Ua njoha shpirtin në këngë,

 

E duart na i lidhën vallet.

 

Mikpritjen e gjeta shqiptareçe,

 

Krenarinë…

 

Kokë më kokë me malet.