…me zemrën në Vlushë
Hekuran Sanxhaku lindi në Vlushë të Skraparit, në vitin 1933. Fëmijëria e tij u shënua nga një dhimbje e madhe familjare, i vdiq i ati, duke lënë tre djem jetimë.
Vërtet jetimë, por jo tamam ashtu, sepse ata nuk e ndjenë vetminë, u doli zot e ëma, Bejazaja që u bë për ta nënë dhe baba.
Që i vogël nisi punë në Potom, fillimisht si shitës e më pas si mësues në shkollën fillore të fshatit. Ishin vitet e para pas Çlirimit, kur vendi kishte nevojë të madhe për mësues dhe shpesh në arsim angazhoheshin edhe të rinj me përgatitje të mirë, por ende pa arsimin e plotë pedagogjik.
Kur erdhi koha e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak, Hekurani ishte tashmë një djalë i arsimuar dhe me aftësi të spikatura për kohën. Për këtë arsye u përzgjodh për të ndjekur shkollën e oficerëve në Tiranë.
Pas përfundimit të saj fitoi gradën e oficerit dhe nisi karrierën ushtarake në Korçë, në repartet e zbulimit të Korpusit të Korçës.
Në vitin 1961 u transferua në Pogradec, ku shërbeu si shef i zbulimit të Brigadës deri në vitin 1968. Në ato vite, për shkak të vështirësive të strehimit, u detyrua t’i linte përkohësisht fëmijët në Vlushë, në kujdesin e vëllait të tij, Hakiut. Pikërisht aty Luani kreu klasën e tretë, ndërsa Liliana hodhi hapat e parë të arsimit duke ndjekur klasën e parë të shkollës fillore.
Më pas u transferua në Skrapar, ku shërbeu në Forcat Vullnetare të rrethit. Vitet e fundit të karrierës së tij ushtarake i kaloi si përfaqësues ushtarak pranë Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Skraparit, detyrë nga e cila doli në pension me dinjitet dhe respekt.
Hekurani ishte martuar me Tefta Myrtollarin nga Qafa, një zonjë grua. Së bashku ndërtuan një familje shembullore, duke rritur dhe arsimuar dy djem e një vajzë.
Dashuria dhe përkushtimi i tyre familjar u shfaqën më fort se kurrë kur Tefta u përball me një sëmundje të rëndë. Hekurani dhe fëmijët e tij mbetën pranë saj me një përkujdesje të rrallë, duke i qëndruar pranë me përkushtim deri në çastet e fundit të jetës. Ky ishte një shembull i bukur i dashurisë, besnikërisë dhe përgjegjësisë familjare, që ende kujtohet me respekt nga të gjithë ata që i njohën.
Ashtu si shumë vlushallinj që jeta i shpërndau larg vendlindjes, edhe Hekurani mbeti i lidhur shpirtërisht me Vlushën. Mallin për fshatin nuk e fshehu kurrë.
“Më zë gjumi edhe mbi gurët e fshatit, sapo të vë kokën atje”, thoshte shpesh, duke shprehur me pak fjalë dashurinë e pakufishme për vendin ku kishte lindur.
Me të vëllanë, Hakiun, nuk ndante vetëm hallet e fisit, por edhe shqetësimet e gjithë fshatit. Edhe pse Hakiu punonte si brigadier e më vonë si përgjegjës sektori në kooperativë dhe njihte nga afër çdo problem të banorëve, po aq i përjetonte ato edhe Hekurani, ndonëse jetonte në Çorovodë.
Zemra e tij mbeti gjithmonë në Vlushë.
Në vitet e mëvonshme u vendos në Tiranë pranë fëmijëve të tij. Edhe atje mendjen e kishte te vendlindja. Ishte iniciator i mbledhjes së skraparllinjve në qendër të Tiranës, ku bisedonin, qanin hallet, shpalosnin kujtimet dhe merrnin vesh për gëzimet, hidhërimet dhe hallet enjëri tjetrit.
Hekuran Sanxhaku u nda nga jeta më 1 korrik 2017, duke lënë pas jo vetëm familjen e tij të nderuar, por edhe kujtimin e një njeriu të urtë, fisnik, të përkushtuar ndaj detyrës, familjes dhe vendlindjes.
Emri i tij vazhdon të përmendet me respekt nga bashkëfshatarët, si një prej bijve të mirë që e deshën Vlushën deri në frymën e fundit.
