Një rrëfim nostalgjik për verat buzë Osumit, lirinë e fëmijërisë dhe një botë që jeton ende në kujtesë
Dashnor Dosti
Nëse je nga Koprëncka e ke plotësisht të qartë se për çfarë bëhet fjalë, por të tjerët kanë nevojë për disa shpjegime:
Ngjirrë quhej vendi ku uji i një lumi, qoftë ky edhe i vogël si Osumi, formonte gropëzime ku thellësia e tij ishte e madhe, shpesh disa metra, ndërsa cfrati ishte prita e ndërtuar nga fshatarët për të ngritur nivelin e ujit e për ta shpërndarë atë për vaditje.
Ngjirra tek cfrati për të cilën po flas i kishte të dyja;
ishte një ngjirrë natyrale e thellë që thellohej akoma më shumë me një cfrat që fshatarët e ndërtonin çdo vit.
Cfrati ndërtohej për ujitjen e “Cerovës”, një parcelë e madhe fushore rreth 4 hektarë. Cerova ishte toka bujqësore më prodhimtare që kam parë në jetën time, me të gjitha llojet e frutave e të perimeve nga të cilat ne fëmijët mund të hanim pa pengesë, pasi prodhimi ishte vërtetë i begatë.
Shtëpitë tona nuk ishin edhe aq afër Cerovës, apo ngjirrës tek cfrati ngjitur më të. Për të zbritur nga lagjja lojë duhej gjysëm ore, ndërsa kthimi në mbrëmje shkonte deri një orë.
Megjithatë pas moshës 3-vjeçare, ngjirra tek cfrati ishte destinacioni ynë i vetëm i verës. Në atë moshë mësohej noti tek ngjirra, ndërsa pak vite më vonë, të gjithë ne mësonim të kërcenim nga trampolinat natyrale që ishin disa gurë të dalë tek Rripa e Shemes, mbi ngjirrën tek cfrati.
Argëtimet tona ishin të gjithanshme. Luanim futboll duke pastruar rërën nga gurët e rrumbullakët, por çdo mbrëmje gishtat ishin të gjakosur megjithatë askush nuk ankohej. Luanim një lloj futbolli tjetër në ujë, pa e ditur se ishte një version i thjeshtë i vaterpolos.
Kur lodheshim, apo uriteshim, ndërprisnim lojën dhe kacavireshim në pemët e shumta si qershitë, mollët, pjeshkët, kajsitë, dardhët, rrushtë e arrët. Ose shkonim drejt kopshteve të perimeve, për të shijuar drekën e shijshme vetëm me domate e kripë, e cila nëse do të pasurohej edhe me pak gjizë, do të konsiderohej një drekë pasanikësh.
Pasditja fillonte me të njëjtin ritëm tek ngjirra tek cfrati. Ndonjëherë na ndiqte Hasani, bahçevani i Cerovws, pasi në lojë e sipër mund të qëllonte të prishej disi cfrati, çka ndihej menjëherë me pakësimin e ujit tek mjeshtri i vaditjes së misrit e perimeve, por ne gjithmonë ishim më të shpejtë se ai, pavarësisht se edhe nëse do ta kapte ndonjërin prej nesh, do ta përkëdhelte, madje edhe mund ti dhuronte produkte të ndryshme që nuk i mungonin kurrë.
Darka ishte më e vështira. Kthimi i lodhshëm në maloren e Brekovës apo të Kalavishtës, shoqërohej me betimin se nesër nuk do të shkojmë përsëri, sepse jemi të lodhur, por. sa binte mëngjesi, përsëritej i njëjti ritual.
Sot kur i kujtoj ato vite mendoj se kemi qenë me fat që u rritëm mes natyrës, punës dhe lirisë së ujrave të Osumit e sidomos të ngjirrës tek cfrati.
