Ikja e Resmi Dostit shënon humbjen e një figure emblematike, që me penë, dije dhe përkushtim i dha zë historisë dhe vlerave të Skraparit
Me dhimbje të thellë morëm lajmin e ndarjes nga jeta të njërit prej personaliteteve më të spikatura të arsimit dhe të studimeve historike të Skraparit, mësuesit, drejtuesit të përkushtuar dhe studiuesit të pasionuar, Resmi Dosti.
Ai lindi më 20 shkurt 1943 në fshatin Koprënckë të Skraparit, në një familje me tradita të mira qytetare e atdhetare, ku u edukua me dashurinë për dijen, punën dhe vendlindjen.
Në fillim të viteve ’60 përfundoi me rezultate të shkëlqyera Shkollën Pedagogjike të Beratit. Qysh në bankat e kësaj shkolle u dallua si një ndër të rinjtë më aktivë, duke marrë pjesë me përkushtim në veprimtaritë shoqërore dhe aksionet vullnetare të kohës.
Mbajti detyrën e sekretarit të Rinisë së shkollës dhe, në verën e vitit 1966, drejtoi si komandant aksionin kombëtar për pastrimin e kullotave në Bistricë të Sarandës.
Në vitin 1970 përfundoi studimet e larta në degën Histori–Gjeografi, duke nisur një rrugëtim të gjatë e të suksesshëm në shërbim të arsimit shqiptar.
Gjatë karrierës së tij ai mbajti me dinjitet një sërë detyrash të rëndësishme:
Drejtor i shkollës 8-vjeçare të Veleshnjës (1971–1975);
Mësues në gjimnazin “Ramiz Aranitasi” të Çorovodës (1975–1977);
Drejtor i shkollës 8-vjeçare “Zylyftar Veleshnja” në Çorovodë (1977–1983);
Drejtor i Shtëpisë së Pionierit “Meleq Staravecka” në Çorovodë (1983–1990);
Mësues në Kakrukë (1990–1997);
Drejtor i shkollës 8-vjeçare “Kahreman Ylli” në Çorovodë (1997–2003).
Kudo ku punoi, Resmi Dosti la gjurmën e një edukatori të urtë, drejtuesi të drejtë dhe njeriu që e konsideronte arsimin një mision të shenjtë. Breza të tërë nxënësish dhe mësuesish do ta kujtojnë për përkushtimin, kulturën, urtësinë dhe fisnikërinë që e karakterizonin.
Por veprimtaria e tij nuk u kufizua vetëm në shkollë. Ai dha një kontribut të vyer edhe në jetën shoqërore e organizative të kohës. Në fillim të viteve ’70 ishte pjesë e strukturave drejtuese të Rinisë në rreth dhe shërbeu si komandant brigade në aksionin kombëtar për ndërtimin e hekurudhës Rrogozhinë–Vlorë.
Një kapitull po aq i rëndësishëm i jetës së tij mbetet puna si studiues i historisë dhe trashëgimisë kulturore të Skraparit. Për dekada me radhë ai u angazhua në evidentimin dhe dokumentimin e ngjarjeve historike të krahinës, duke marrë pjesë në sesione shkencore e veprimtari studimore brenda dhe jashtë Skraparit.
Së bashku me studiuesin e njohur Bardhyl Ylli, ai punoi në Arkivin Qendror të Shtetit për mbledhjen e materialeve që shërbyen në ngritjen dhe pasurimin e Muzeut Historik të Skraparit. Gjithashtu realizoi një studim të gjerë mbi veshjen tradicionale të Skraparit, një punim me vlera të veçanta etnografike që ruhet si dorëshkrim në arkivat e Institutit të Folklorit.
Sot Skrapari humbi një mësues të nderuar, një studiues serioz dhe një qytetar shembullor. Humbi një njeri që punoi në heshtje, pa bujë, por me përkushtim të jashtëzakonshëm për arsimin, historinë dhe kulturën e vendlindjes.
Lamtumirë, Resmi!
Ti mbete Njeri deri në çastet e fundit të jetës, i pajisur me fisnikëri, urtësi, ndershmëri dhe dashuri për njerëzit. Virtytet e tua janë aq të shumta, sa vështirë se mund të përmblidhen me fjalë.
U prehsh në paqe, pranë Nerënxës sate të dashur, bashkëudhëtares së jetës, e cila, ashtu si ti, la kujtime të pashlyera në zemrat e qytetarëve të Çorovodës.
Lavdi kujtimit tënd! Emri dhe vepra jote do të jetojnë gjatë në kujtesën e Skraparit dhe të brezave që pate fatin t’u shërbeje.
