Tre investime, miliona të shpenzuara dhe banorët ende presin autobotin
Pamja e një autoboti që furnizon me ujë të pijshëm banorët e Vlushës nuk është thjesht një fotografi. Është dëshmia më e qartë e dështimit të institucioneve për të garantuar shërbimin më jetik për qytetarët.
Pas 35 vitesh tranzicion, tre investimeve dhe miliona lekëve të shpenzuara, Vlusha vazhdon të mbetet pa ujë të pijshëm. Banorëve u thuhet se do të furnizohen me autobot dy ose tri herë në javë, sikur uji të jetë luks dhe jo një e drejtë themelore.
Ndërkohë, ata jetojnë me bujqësi e blegtori, kanë familje, bagëti dhe nevoja të përditshme që nuk mund të presin ardhjen e një autoboti.
Edhe më paradoksale është fakti se banorët vazhdojnë të paguajnë faturat e ujit për një shërbim që praktikisht nuk e marrin. Investimet janë bërë, fondet janë shpenzuar, premtimet janë përsëritur, por rezultati është zero. Kjo nuk është më çështje mungese fondesh; është çështje përgjegjësie dhe llogaridhënieje.
Kur një bashki nuk arrin të sigurojë ujin e pijshëm për qytetarët e saj, lind natyrshëm pyetja:
Çfarë funksioni real po kryen?
Nëse pas çdo investimi banorët vazhdojnë të mbushin bidonët nga autoboti, atëherë dikush duhet të japë shpjegime se ku kanë përfunduar paratë publike dhe pse dështuan projektet.
Banorët e Vlushës nuk kërkojnë privilegje. Ata kërkojnë vetëm atë që duhet të ishte garantuar prej kohësh: ujë të pijshëm në çezmat e shtëpive të tyre.
Çdo ditë që ky problem vazhdon, është një akuzë e drejtpërdrejtë ndaj administratës vendore dhe të gjitha institucioneve që kanë pasur përgjegjësi për këtë shërbim jetik.
