“Tetori Rozë” – kur dhimbja të bën ta kuptosh jetën ndryshe
Për vite me radhë, Tetori Rozë, muaji i sensibilizimit për kancerin e gjirit, kalonte përpara syve të mi përmes mediave, pa më zgjuar ndonjë ndjeshmëri të veçantë. Më dukej një fushatë si shumë të tjera, një mesazh që përsëritej çdo vit. Derisa një ditë tetori, sëmundja trokiti në jetën tonë dhe gjithçka ndryshoi.
Ajo që dikur e shihja si një histori të largët, u bë dhimbja, frika dhe beteja jonë. Atëherë kuptova se pas çdo fjongoje rozë fshihet një histori njerëzore, lot, ankth, por edhe guxim, dashuri dhe shpresë…
Kjo është historia ime dhe e Elvirës, një histori që më mësoi se ndërgjegjësimi nuk duhet të vijë vetëm kur e keqja të prek vetë, por shumë më herët, kur ende mund të bësh diçka për veten dhe për njerëzit që do.
Sepse sëmundja mund të prekë një njeri, por ndërgjegjësimi është përgjegjësi e të gjithëve.
Së bashku me Elvirën, të ulur në divan bisedonim qetësisht me dajën e saj mysafir që unë kujtoja se na kishte ardhur për një vizitë të zakonshme pas shqetësimeve të para shëndetsore të saj.
Unë nuk e dija, por Elvira që e priste një përgjigje të biopsisë nga Italia e parandjeu se kishte diçka më shumë në këtë vizitë, derisa në një moment ai i tregoi të vërtetën e biopsisë së kryer në spitalin publik “Spiritus Santus” në Peskara, pra që rezultati i saj ishte një tumor malinj.
Bota u kthye përmbysh rrëmbimthi dhe ajo që kuptova atë çast ishte se më tej një tjetër lloj jete na priste. Thuajse pa asnjë lek gjendje, do të na duhej të shkonim përsëri në Itali për të planifikuar mjekimin dhe operacionin.
Të vazhdonim në Shqipëri, as që bëhej fjalë pas një biopsie me rezultat të gënjeshtërt që kishim bërë pak muaj më parë, por edhe në Itali nuk ishte aq e thjeshtë. Ne nuk kishim asnjë lloj dokumentacioni.
Megjithatë atje të shëron edhe fjala. Një shoqatë fetare na orientoi në spitalin e qytetit të vogël piktoresk të Ortonës dhe ashtu bëmë.
Shefi i pavionit, dr. Mançini, pasi u njoh me rastin, historikun e problematikat ligjore, vendosi të provojë për një leje qëndrimin të shpejtë në kuesturë, por nuk pati sukses. Nuk u tërhoq dhe e porositi Elvirën që pas dy ditësh të vinte e të paraqitej në urgjencën e spitalit, madje duke u shfaqur edhe sikur kishte dhimbje.
Me sa duket ishte një procedurë e njohur për njerëzit pa përkrahje, sepse pas operacionit asaj i siguruan edhe një kartë shëndetsore gjashtë mujore, të cilën e përsëriti tre herë deri në përfundim të mjekimit.
Një vit më pas ajo iu nënështrua një tjetër ndërhyrjeje kirurgjikale. Ora e operacionit ishte planifikuar në 16:00, por për arësye të kuptueshme, ngaqë ishte dita e operacioneve dhe ato mund të kenë edhe të papritura apo vonesa, radha e saj e operimit erdhi shumë vonë.
Nuk është kjo ajo që desha të them, por kjo tjetra që në momentin e njërit prej pushimeve midis operacioneve, ekipi i mjekëve me doktor Mançinin në krye, i shkuan Elvirës në pavion dhe i kërkuan falje për vonesën e duke e përshkruar atë të pashmangshme, por ajo që më bëri përshtypje ishte pjesa kur i thanë se nuk duhet të mërzitesh, për këtë që ndodhi, se duhet të bëhesh e fortë, se ne mjekët kemi nevojë për ndihmë dhe në këtë moment vetëm ti je ajo që mund të na ndihmosh më shumë me forcën tënde.
– Ti duhet të jesh kurajoze për vete, por edhe për ne. Ne kemi nevojë për ty në këtë moment. Forca Elvira, e mbylli “fjalimin e tij motivues dr. Mançini.
Disa muaj më pas, kur gjithçka kishte përfunduar dhe Elvira ishte në fund të mjekimit 18 mujor të saj, ne shkuam përsëri në spital me disa dhurata nga Shqipëria si çentro, qëndisma të ndryshme, punime me grep, albume me foto nga vendi ynë e shumë të tjera të ngjashme. Jam mrekulluar se sa me kënaqësi i pranuan dhuratat tona dhe me sa kënaqësi i komentonin e përshkruanin ato.
Edhe pse kanë kaluar 9 vjet, sa herë kaloj andej, unë bëj si bëj dhe krijoj mundësinë të ndaloj disa orë në Ortona dhe bëj edhe ndonjë shetitje rreth spitalit të famshëm “Gaetano Bernabeu”.
