Punë shqiptarësh
Viktor Bakillari
Sa të çuditshëm qe jemi!
Kalova një ditë (në fakt, kaloj përditë, po ajo ditë ishte e kaluar me kast) në një nga rrugët më të famshme të qytetit tim të madh.
Thonë se është rrugë e bukur (neve nuk na bën shumë përshtypje), e cila duket si tunel i gjelbër tani në (pran)verë; në vjeshtë ky tunel merr ngjyrë të praruar.
Është një rrugë që s’po ia japin, që s’po ia japin me letra atë dreq statusi “Rrugë tregtare”.
Është një rrugë që ka trotuare të mira, por fatkeqësisht të shtruara me pllaka të holla, shumica e të cilave lëvizin në çdo stinë të vitit.
Kur bie shi, unë e shmang këtë rrugë, sepse pllakat e lëvizshme ta hedhin ujin e shiut përpjetë.
Është torturë e vërtetë, nëse kalon në këtë rrugë kur bie shi.
Burrat që ikin me të shpejtë dhe shkelin mbi pllaka, mbeten duke sharë, sepse pllakat nuk janë aspak bujare; ta hedhin ujin përpjetë dhe të rroftë çadra, se lagesh nga mesi e poshtë, si një i dehur që ka përmjerrë.
Gratë, ah të gjorat, kur është kohë e mirë, thyejnë takat e këpucëve nëpër hapësirat mes pllakave, ndërsa kur bie shi, eh, s’u ndahen fjalët e nemuna e mallkuese nga goja, sepse pllakat ua hedhin ujin lart dhe atyre u laget gjithçka nga mesi e poshtë, këmbët, kërcinjtë, shalët, madje edhe … breçkat…
Por le të kthehemi tek tema.
***
Bëra, që thatë ju, qëllimisht këtë rrugë nga fillimi në fund.
Është rrugë rreth 700 m. e gjatë.
Ajo që bie më në sy në këtë rrugë janë tabelat e farmacive. Të verbojnë, ditën dhe natën!