Reformat e pensioneve përballë së drejtës për një jetë me dinjitet
Nesim Alushani
Çështja e pensioneve në Shqipëri përbën një nga problemet më të mprehta sociale dhe ekonomike të shoqërisë sonë. Ajo nuk lidhet vetëm me vështirësitë ekonomike me të cilat përballen qindra mijëra pensionistë, por edhe me dinjitetin e tyre, pas një jete të tërë kushtuar punës dhe kontributit në zhvillimin e vendit, në ekonomi, arsim, kulturë, shëndetësi, mbrojtje dhe fusha të tjera të jetës shoqërore.
Problemi, në formën që e njohim sot, nisi me ndryshimin e sistemit rreth 35 vjet më parë. Në vitet e para të tranzicionit, pensionet u vendosën në nivele shumë të ulëta, duke krijuar një pabarazi që preku një brez të tërë shqiptarësh. Në vitet që pasuan, problemi nuk u zgjidh. Përkundrazi, rritja e vazhdueshme e kostos së jetesës e bëri atë edhe më të ndjeshëm.
Çmimet e ushqimeve, ilaçeve, energjisë dhe shërbimeve janë rritur, ndërsa një pjesë e madhe e pensionistëve vazhdojnë të jetojnë me të ardhura të kufizuara. Prandaj, nuk mjafton të themi se pensionet janë rritur në shifër. Pyetja e vërtetë është: a është rritur edhe fuqia blerëse e pensionistit?
Nëse çmimet rriten më shpejt se pensioni, atëherë një pension që është indeksuar, rritur në letër, mund të ketë humbur në të vërtetë një pjesë të fuqisë së tij blerëse.
Paradoksi i indeksimit
Këtu del një problem që meriton vëmendje të veçantë: mënyra se si është bërë, deri më sot, indeksimi i pensioneve.
Nëse të gjithë marrin, për shembull, një indeksim prej 3 për qind, në pamje të parë kjo duket e barabartë. Por në shifra reale nuk është e njëjta gjë.
Një pensionisti me pension 20 mijë lekë i shtohen 600 lekë, ndërsa një pensionisti me pension 60 mijë lekë i shtohen 1800 lekë. Përqindja e rritjes është e njëjtë për të dy, por në vlerë absolute, pensionisti me pensionin më të lartë përfiton tri herë më shumë. Kjo tregon se një rritje e barabartë në përqindje nuk sjell si pasojë një kompensim të barabartë të kushteve të jetesës.
Ndërkohë, të dy blejnë bukën me të njëjtin çmim, paguajnë të njëjtin çmim për ilaçet, energjinë dhe shërbimet e tjera. Pra kostua e jetesës nuk rritet sipas masës së pensionit.
Atëherë lind një pyetje e thjeshtë: nëse shteti ka përcaktuar një fond për indeksimin e pensioneve, pse ky fond duhet të shpërndahet si përqindje mbi pensionin dhe jo si një shumë e barabartë për të gjithë?
Një shumë e njëjtë për të gjithë si kompensim për rritjen e kostos së jetesës nuk do të thotë se të gjithë duhet të kenë pensione të barabarta. Pensionet e ndryshme janë rezultat i historisë së punës dhe kontributeve të ndryshme dhe ky dallim duhet të ruhet.
Por duhet të ndajmë dy gjëra: pensionin e fituar nga puna dhe kontributet, nga njëra anë, dhe kompensimin për rritjen e kostos së jetesës, nga ana tjetër.
Për shembull, nëse fondi i indeksimit do të ndahej në një shumë të njëjtë për çdo pensionist, ai do të kishte të njëjtin qëllim për të gjithë: të kompensonte rritjen e çmimeve. Kjo do të ishte zgjidhja e drejtë dhe, sidomos për pensionistët me të ardhura të ulëta, do të kishte një efekt më të madh.
Po pensionet mbi 40 mijë lekë?
Mbështetja për pensionet e ulëta është e nevojshme dhe duhet përshëndetur. Por politika e pensioneve nuk mund të ndalet te kufiri prej 40 mijë lekësh.
Për pensionet mbi këtë nivel duhet të ketë një rritje reale që të paktën të synojë kompensimin e rritjes së kostos së jetesës. Në të kundërt, me kalimin e viteve, edhe këto pensione humbin fuqinë blerëse
Njëkohësisht, nuk duhet të krijohet një ndarje e prerë te 40 mijë lekët. Nuk do të ishte e drejtë që një pensionist që merr deri 40 mijë lekë të përfitonte një mbështetje të caktuar, ndërsa një tjetër mbi 40 100 lekë, të mos përfitonte, vetëm sepse ka kaluar këtë kufi.
Mbështetja duhet të jetë për të gjithë në mënyrë që të mos krijohen pabarazi të reja. Mund të mendohet një skemë graduale: mbështetje më e madhe për pensionet e ulëta, e cila zvogëlohet gradualisht me rritjen e pensionit, ndërsa kompensimi për rritjen e kostos së jetesës të zbatohet për të gjithë, në mënyrë të barabartë.
Kjo do të ruante dy parime njëkohësisht: më shumë mbështetje për ata që kanë më pak dhe ruajtjen e fuqisë blerëse për të gjithë pensionistët.
Në fund të fundit pas pensionit qëndron një jetë pune, vite kontributesh dhe e drejta për të jetuar me dinjitet.
Një kujtesë për qeverinë
Ka ardhur koha të shohim përtej përqindjeve. Një jetë e tërë në punë nuk mund të shpërblehet me një pension që nuk mjafton as për të përballuar nevojat më elementare të jetesës.
Pensionet në Shqipëri, në vlerën që kanë sot, mbeten një padrejtësi sociale dhe një borxh ndaj njerëzve që kanë punuar e kontribuar për këtë vend, një borxh që ende pret të shlyhet.
