Një emër që nisi si shaka, por që ngeli në histori

Një emër që nisi si shaka, por që ngeli në histori

 

 

Nga pushteti i kohës u diskutua gjatë se ku mund të shkonin banorët e dëmtuar në ndonjë vend tjetër, brenda apo jashtë rrethit të Skraparit, siç kishte ndodhur me banorët e Krastës  që pas rrëshqitjës së shtëpive i çuan në Kakrukë në fund të viteve ’60, të Faqekuqit, që i çuan në Vlushë në fillim të viteve ’70, ku banojnë edhe sot.

 

Backallinjtë nuk deshën të largoheshin nga fshati, ndaj dhe u vendos që të ngrihej një lagje e re përballë fshatit ku nuk kishte patur asnjëherë shtëpi më parë.

 

 

Pasi u studiua zona, në këtë vend u ndërtuan 7 pallate dykatshe me nga 4 hyrje për pallat, objekte social-kulturore si shkolla, kopshti, çerdhja, dyqani i tregtisë etj. U ndërtuan rrugët dhe rrugicat dhe u ndriçuan ato.

 

 

Lagja e re, krahasuar me lagjet përtej të Backës, pasi përfundoi, dukej  shumë herë më e bukur se fshati.

 

 

Dikush, në atë kohë, e krahasoi me Barcelonën, qytetin e dytë më të madh të Spanjës!…

 

“Si Barcelona ngjan” – tha, pa e ditur se ky krahasim, sado i çuditshëm, i largët dhe në një farë mënyre absurd, do të “ngjiste” aq shumë, sa të gjithë i thoshin lagjes “Barcelonë”, një emër që u kthye edhe në emër zyrtar.

 

Më shumë atë e përdornin me shaka shoferët e makinave  të mëdha që sillnin materiale dhe vuanin nga rruga e keqe. E quanin Barcelonë si të ishte afalt.

 

Edhe sot e kësaj dite kjo lagje quhet Barcelonë dhe duket si një fshat më vete.

 

 

Askush nuk habitet dhe askujt nuk i duket shaka, kur dëgjon të thuhet: “Jam nga Barcelona”, “Vij nga Barcelona”, “Po ngjitem pak në Barcelonë”!…(Z. Hoxha)