Tomorr Kotorri, shërbestari i vetëm i “Mekës shqiptare” në Frashër
Zylyftar HOXHA
Me zgjedhjen kryetar i Komunës së Frashërit në vitin 2003, Tomorr Kotorri, një i ri i pasionit dhe aksionit në atë kohë, por edhe sot, vendali, nga Kreshova e Përmetit, objektivin e parë që i vuri vetes ishte që të ruante famën dhe shkëlqimin e Frashërit dhe ta bënte atë një “Mekë të kulturës shqiptare”.
Në këtë strategji ai kishte gjetur edhe rrugët, një ndër të cilat ishte promovimi i figurave më të shquara të Rilindjes sonë Kombëtare, Vëllezërve Frashëri.
Bashkë me poetin Xhevahir Spahiu iu vunë punës duke organizuar në shtëpinë e Vëllezërve Frashëri në Frashër aktivitete cilësore shkencore dhe kulturore të përvitshme.
Pas një pune 10-vjeçare u pa e nevojshme një formë tjetër organizimi më efektive, më racionale, që ishte krijimi i shoqatës atdhetare mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri”.
Shoqata u themelua më 8 prill 2013. Natyrisht drejtimin e saj e mori ai që kishte punuar aq shumë deri tani, Tomorr Kotorri, për të vazhduar projektin madhor të nisur më herët, që në vitin 2003. Kryetar bordi u zgjodh poeti Lumo Kolleshi, ndërsa ngarkesën shkencore e mbajti historiani Kastriot Bezati.
Ka 20 vjet që shoqata, nën drejtimin e shërbestarit besnik dhe të palodhur, Tomorr Kotorri, është kthyer në një “qiri të ndezuar”, që përpiqet të bëjë dritë mbi emrin dhe veprën e “Vëllezërve Frashëri”, mbi djepin e gjuhës së kulluar shqipe, duke organizuar aktivitete të përvitshme më çdo 25 maj, si sesione e konferenca shkencore, fotoekspozita, vizita të organizuara në Shtëpinë Muze të Vëllezërve Frashëri dhe Teqenë e Frashërit, qendër e e kulturës rilindase dhe strehë e çetave luftëtare të Lirisë dhe Pavarësisë së Shqipërisë.
I vetëm, por jo vetëm…
Duhet thënë që në fillim se përpjekjet e Tomorrit, në këtë indiferencë dhe tymnajë të kohës, për të mbajtur gjallë kujtimin, jetën dhe veprën e Vëllezërve Frashëri kanë qenë të jashtëzakonshme.
Nuk është lehtë, që, pa mjete financiare, vetëm me ideal e vullnetarizëm, të organizosh veprimtari kombëtare, siç organizon Tomorri çdo vit në Përmet dhe në Frashër, të mbledhësh akademikë, studiues, pasionantë të letërsisë dhe artit për të sjellë gjëra të reja, fakte e dokumente të panjohur për veprimtarinë e Vëllezërve Frashëri, por edhe për figura të tjera të shquara të Rilindjes Kombëtare.
Ja, tani, pas disa ditësh, më 25 maj, ai ka veprimtarinë e radhës në Përmet të titulluar “20 vite Dita Naimiane”. Ka marrë “torbën në krah” për të gjetur ndonjë lek, ndonjë njeri që të “vërë dorën në zemër” dhe ta ndihmojë, ta nderojë. Por, fatkeqësisht, ata janë të rrallë e të pakët. Pasi i tillë, dyshues e mosbesues, është mentalteti i biznesit te ne.
Megjithatë, si gjithmonë, edhe këtë herë, i ka dalë në krah Krygjyshata Botërore e Bektashinjve dhe personalisht Kryegjyshi Botëror Baba Dede Edmond Ibrahimi për zhvillimin me sukse të veprimtarive të shuimëllojshme në kuadër të Ditës Naimiane.
Shpirti i shoqatës, kosovarët
Duke shfletuar kronikën shumëvjeçare të shoqatës “Vëllezërit Frashëri”, bie në sy një fakt mbreslënës. Pjesëmarrësit më të shumtë në veprimtaritë e shoqatës në Frashër kanë qenë nga Kosova, nga Rahoveci dhe Prizreni. Nuk është thjesht një rastësi.
Ka një shpjegim për këtë: Në eksodin e vitit 1999, ata që gjetën strehë e ngrohtësi në Përmet ishin kryesisht nga Rahoveci. Qe rasti të lidhej një miqësi e veçantë, që më vonë u forcua me vajtje-ardhje të ndërsjellta.
“Sebepi” më i madh për ardhjen e tyre në Përmet ishte 25 Maji, Dita e Frashërllinjve të Mëdhenj. Këtë “sebep” kanë pasur edhe Prizrenasit për të ardhur në vendlindjen e udhëheqësit shpirtëror të Lidhjes së Prizrenit, Abdyl Frashërit, në Frashër.
Veç vizitorëve të tjerë, të parët që kanë ardhur në Frashër kanë qenë nxënësit e shkollës “Jeta e Re” Suharekë me mësuesit e përkushtuar Muarrem Gashi dhe Sadik Shala, që u pasuan më pas me shkollën “Gjon Buzuku” Prizren, shkollën e mesme Suharekë dhe shumë e shumë të tjera.
Duke patur një lidhje të përvitshme, komuna e Rahovecit në Kosovë i ka dhënë Tomorrit titullin “Qytetar Nderi i Komunës Rahovec”.