Si sot, 80 vjet më parë: Çarmatosja e 200 milicëve në Mëlovë, preludi i çlirimit të Skraparit më 5 shtator 1942

Si sot, 80 vjet më parë: Çarmatosja e 200 milicëve në Mëlovë, preludi i çlirimit të Skraparit më 5 shtator 1942

Kjo intervistë me veteranin Dule Kalemi, nga Mëlova e Skraparit, është bërë disa muaj para se ai të ndërronte jetë. Dulja ka qenë dëshmitar okular i ngjarjes së çarmatosjes së 200 milicëve me komandant Xhaf Balin të kuesturës së Elbasanit, më 30 gusht të vitit 1942.

 

Ai tregon në detaje ngjarjen që e ka parë me sy 10 metra larg shtëpisë së tij në Mëlovë.

 

Si u rrethuan milicët nga çeta e Mestan Ujanikut;

si Xhaf Bali kërkoi një çarçaf të bardhë në shtëpinë e fshatarit ku kishte bujtur për ta bërë flamur që të dorëzohej;

si i pari komandanti i milicisë, u ul në gjunjë para flamurit, la në rrëzë të shtizës së tij koburen dhe qau me ngashërim, veprim që më pas e bënë gjithë milicët e tjerë deri sa u bë një pirg i madh me 200 pushkë.

 

 

Veç detajeve konkrete të ngjarjes ai flet edhe për kontekstin historik të ngjarjes së Mëlovës, por edhe të çlirimit të rrethit të Skraparit 5 ditë më vonë, më 5 shtaor 1942, të cilat zënë fill që nga krijimi i çetës së Mestan Ujanikut, më 14 mars të vitit 1942, që u quajt Çeta Plakë e Skraparit.

 

 

 

Ju keni qenë në atë kohë dëshmitar i ngjarjes, si e kujtoni atë ditë?

 

 

Atë vit nëna ime kishte taksur një kurban për në Tomorr. Vëllai dhe unë blemë një sheleg dhe u ngjitëm në Çukën e Tomorit, e therën dervishët, lamë lëkurën dhe do zbrisnim ta piqnim në pyllin me pisha të Ujanikut. Kur ne ishim në Çukë, në Ujanik, milicia i vuri zjarrin shtëpisë së komandantit të çetës (Mestanit), për t’u thënë pelegrinëve të shumtë, nga Opari e Korça, nga Përmeti, Berati e deri nga Kruja e Dibra se kjo u pret dhe juve, po ulni kokën e nënshtrojuni qeverisë.

 

 

Po atë ditë, në Çukën e Tomorit ishte edhe një kolonel italian me ata që e shoqëronin, ndërmjet të cilëve edhe personalitete vendas, bashkëpunëtorë me ta. Koloneli, strateg ushtarak, pasi e soditi vendin dhe gjithë hapësirat që kapte dylbia, u thotë atyre se këto male e lugina duan një fuqi ushtarake për ta shtruar, jo më pak se 30 mijë veta. Në të njëjtën kohë, komandanti i milicisë, Xhaferr Bali, që ishte kapiten i parë, thoshte se së shpejti do t’i zëmë banditët (kupto partizanët) dhe me trasta me hi në qafë e me duar prapa kurrizit, do t’i çojmë në qelitë e burgut të Elbasanit.

 

Ndërkohë, partizanët qarkullonin në tërë fshatrat e zonës. Në fshat pas tyre vinin milicët dhe të dy palët bënin planet e veta. Partizanët kërkonin një vend të përshtatshëm, nga ana taktike dhe të gëzonin edhe përkrahje nga populli dhe shtabi, mbasi nëpërmjet përfaqësuesve të tyre kishin marrë pëlqimin e parisë së Mëlovës se ishin dakord që milicia të rrethohej e çarmatosej në Mëlovë.

 

 

Milicët, më euforikë e të vendosur se do i zinin “banditët” dhe kudo ku shkonin nuk u mungonte as mishi, as rakia. Nën efektin e avujve të alkoolit, ata këndonin e ngrinin dolli. Pra, kjo situatë ishte, ata ik e këta ndiq për gati 10 ditë, nga 20 deri më 30 gusht. Kapiten Xhaferr Bali hyri në lagjen Zhiti me stafin e tij më të afërt. Ai u vendos në shtëpinë e Hasan beut. Milicët i shpërndau në baza në fshat, po sidomos në Hebibas e Salias. Ishte kohë dreke, erdhën edhe në shtëpinë tonë 4-5 veta.

 

 

Vëllai im, Turhani, i bindur se e dinte çdo të ndodhte, i tha nënës t’u bënte bukë shpejt, të mos i vononte. Milicëve u dogji kjo, u bëri përshtypje sjellja e këtij djali dhe e arrestuan, e lidhën. Në Hebibas kishin arrestuar Llanen e Isufit. Sa mbaruan bukën, atyre u erdhi lajmi të dilnin e të ishin në gatishmëri, kur ndërkohë në shtëpitë e tjera nuk ishte shtruar akoma dreka. Të gëzuar se më së fundi zunë dy komunistë, milicët njoftuan komandantin e tyre, i cili në vend që t’i përgëzonte, urdhëroi lirimin e tyre!

 

 

Pse u liruan komunistët?

 

 

Komandanti i çetës së Tomoricës, Mestan Ujaniku, i kishte dërguar ultimatum Xhaf Balit që deri nesër në mëngjes të dorëzonin armët, pasi kështu nuk do të pësonin asgjë, për ndryshe, u thoshte ai, do t’u sulmojmë dhe pasojat do jenë të rënda për ju. Këtë e dinte Xhafa, si komandanti po jo milicët. Atij i ziente koka, vërtitej sa në një qoshe në tjetrën të dhomës ku ishte. Nuk dinte si të vepronte, nxirrte në tavolinë planet sipas mësimeve që kishte marrë në Itali nga ushtarakë të zot e me përvojë, po këtu nuk po i dilte si në plane. Milicët, sa dolën nga shtëpitë po mblidheshin grupe grupe.

 

 

Një grup u mblodh te gërmadhat e shtëpisë së Nazifit, e cila kishte mbetur ashtu pasi të zotët kishin shkuar në Stamboll. Këto mure milicëve u pëlqyen se ishin istikame të sigurta nëse do luftonin. Ndërkohë, kapiteni urdhëroi që të mblidheshin në Zhit, te Mejtepi dhe rreth shtëpive. Lëshuan Llanen e Turhanin, të cilët me të ikur ata, morën armët në krah dhe zunë pozicion në pika të ndryshme.

 

 

Çfarë u bë më tej?

 

 

Tërë natën e gjithë Mëlova ishte përjashta, priste me ankth se çdo ndodhte, do kishte sulm apo jo. Xhafa, pasi “e bloi” mirë e mirë, mori edhe mendimin e të zotit të shtëpisë, po djali i asaj shtëpie, Hekurani, i tha kapitenit, se përreth fshatit janë mbi 1500 burra, ju e dini vetë, po ne jemi të mendimit të shpëtoni kokën, dorëzoni armët, lufta luftë është.

 

 

Më në fund, Xhafa kërkoj një përfaqësi nga fshati për të biseduar me partizanët. Komisioni u ngrit me Isuf Gurin, Refat Hebibasin, Tefik Zhitin, Zenun Kalemin dhe një xhandar nga ana e kapitenit, që quhej Nebi Nishica, i cili kishte motrën të martuar në Zdrënish. Po komisioni siç vajti erdhi. Këta burra kishin qenë miratuesit e planit për çarmatosjen, pra puna e tij ishte e ditur pa vajtur.

 

 

Kapiteni, pasi mori vesh këtë, grumbulloj forcat rreth shtëpisë dhe ultimatumit iu përgjigj se do dorëzonte armët, po kërkonte kohën dhe vendin. Dorëzimi i armëve ishte i rëndë për ata që trumbetonin me të madhe se do të fitonin ndaj partizanëve dhe uleshin mjaft në sytë e popullit. Po kjo ishte edhe ngjarje e rëndë politike për ta dhe pozitive për luftën Nacionalçlirimtare.

 

 

 

Si u bë çarmatim, a u bë rezistencë?

 

 

 

Jo, aspak. Ultimatumi qe i prerë: Të dorëzonin armët: data 30 gusht, ora 10, te varrezat e Saliasve. Meqë nuk kishte me vete flamur të bardhë, Xhafë Balit i erdhi “në ndihmë” Qerimeja, që nxori nga sëndyqi një çarçaf të bardhë si bora, por ai kur e pa iu duk si qefin, e aq më tepër që armët do t’i dorëzonin te varrezat.

 

 

Ora po afronte, po “flamuri i bardhë” ishte pa bisht. Refati, një punëtor i xha Hasanit, gjeti një dru të gjatë dhe e zgjidhi edhe këtë punë. Për te varrezat rruga ishte goxha e gjatë dhe e ngushtë, sa duhej kaluar për një. Milicët me komandantin e tyre në krye erdhën pranë flamurit të bardhë, që kishin vendosur vetë, si pranë varrit.

 

 

Po afronte ora 10. Milicët, në kolonë. Në krye u printe flamuri, i vetmi që zbardhte, pasi çdo gjë nxinte, nxinin uniformat, nxinin edhe fytyrat. Pushkët me grykë poshtë… Kolona hiqte këmbët zvarrë, sikur shkonte në një varrim të rëndë. Ca nga poshtërimi, ca nga vapa, ata dorëzonin armët, bashkë me “krenarinë” e krekosjet e tyre. Rruga po shkurtohej … Dikush prej tyre thotë lërini kujtimet e së kaluarës, realiteti është ky, ne u jemi drejtuar varrezave …

 

 

 

Po Xhafa?

 

 

Edhe ai ndoshta në këto momente bluante në trurin e tij, se që kur hyri në Tomoricë hodhi parullën se do t’i zinte partizanët. U kishte premtuar fashistëve që e nisën dhe u kishte premtuar milicëve … Po çarmatosem, po dorëzoj armët, po kujt, këtyre çunakëve, këtyre njerëzve pa shkollë …!

 

 

Te varrezat ishte gjetur një shesh i lirë. Aty ishte vendosur flamuri kombëtar dhe në krah qëndronte një skuadër, roje nderi. Xhafa rreshtoi forcat e veta para flamurit e ju drejtua si orator, po kësaj radhe e kishte pisk, se si humbës nuk kishte folur ndonjëherë. Megjithatë, ai tha: “Vëllezër, në kushte të vështira ne dorëzojmë armët. Ne këto armë ia dorëzojmë flamurit tonë kombëtar; askush s’duhet të dëshpërohet”, puthi flamurin dhe vendosi pistoletën e tij rrëzë shtizës së flamurit, pastaj u ngrit me lot në sy.

 

 

Një partizan tha: Xhandarët të mos i dorëzojnë armët. Kjo solli në turmë pështjellim, kundërshtime, duke komentuar se paskemi pasur armiq në radhët tona. Po, partizani, i shkathët e i mençëm, sqaroi se xhandarët i ka e gjithë bota, ata janë në përkrahje të qeverisë e të qetësisë dhe u mbyll me kaq.

 

 

Milicët filluan të dorëzonin armët. U bë një pirg i madh. Partizani i tha kapitenit të merrte pistoletën. Milicët e çarmatosur u shtrinë në arën e Selimesë së Taipit. Kapiteni kërkoi të takonte komandën e partizanëve dhe e çuan te Mestani e Gjin Marku …

 

 

Siç dëgjuam më vonë, komanda partizane i kërkoi të mos armatoseshin përsëri, se ndryshe do vriten. Xhafa kërkoi ta përcillnin me partizanë deri në Çorovodë dhe kështu u bë. Po, kapiteni nuk e mbajti fjalën; ai u riarmatos po kësaj radhe në drejtim të Pogradecit, ku siç u mor vesh, la dhe kokën.

 

 

Kujtoj që kur Xhafa po bisedonte me komandën partizane, qëndroja prapa murit, pasi mund t’më shikonin e kushedi pastaj … Milicët u vunë përsëri në kolonë, po tani pa armë, dhe u nisën për në Çorovodë, të fyer e çburrëruar, nën vështrimin e mëlovallijve e sidomos të grave e fëmijëve të qeshur e gëzuar për atë që kishte ndodhur në fshatin e tyre.

 

 

 

Po me armët çfarë u bë?

 

 

Pas ikjes së Xhafë Balit e të tijve, komandës partizane i doli shumë punë. Aty ku u stivosën armët, erdhën mjaft burra e të rinj, që kërkonin të merrnin armë, bile edhe t’i zgjidhnin ato. Nuk më harrohet një i ri, Syrja quhej, nga Grëmshi, i cili i lutej komandantit t’i jepte një armë të shkurtër dhe, deri sa e mori, nuk iu nda Mestanit. Në kohën që ata djem po kërkonin të merrnin ndonjë pushkë, unë nuk i kisha zili, pasi Mestani më kishte lënë në shtëpi një Mauzer turk, i cili shkëlqente nga pastërtia. Ai e kishte zakon që në shumë familje ku bujtte e kishte besim, linte ndonjë armë, për ta pasur kur t’i vinte rasti.

 

 

Gjatë kohës që dorëzuan armët isha qepur te muri i varrezave dhe vrojtoja çdo gjë, duke harruar detyrën time, harrova se dhentë i kisha lënë vetëm, harrova se ato kërkonin kullotë e mund të humbisnin. Dhe, kështu ndodhi; ato u ngjitën përpjetë malit, kaluan pjesën pyjore e u ngjitën në pjesën alpine dhe, nga mali Mëlovës kishin hyrë në atë të Mollasit. Pasi kërkova aty afër e nuk i gjeta, iu afrova vëllait dhe me ndrojtje e turp i thash se më kanë humbur delet.

 

 

Ai ishte në kulmin e përgatitjes së drekës për komandën e çetës dhe më tha: Hë se aty do të jenë, pa më lër rehat se kam shumë punë; kishte therur mishin, kishte përgatitur një gosti të vërtetë. I ishte lutur Mestanit që drekën me gjithë shtabin ta hanin tek ne dhe ai pranoi, duke e porositur që të mos bënte ndonjë gjë të madhe, pasi na qante hallin se ne ishim rritur jetimë e s’donte të na rëndonte.

 

 

Vëllai, si odë për partizanët kishte zgjedhur atë të xhaxhait, Pelos, që ishte në katin e dytë, me pamje të mirë dhe e mobiluar me kujdes e pastërti, pasi xhaxhai kishte një grua të mrekullueshme, punëtore e të pastër dhe burrneshë. Erdhën mysafirët, u shtrua rakia, mezeja, dy sofra të mbushura me shokë të komandës dhe njerëz nga të shtëpisë.

 

 

Muhabeti rridhte si ujë burimi, ata flisnin me zë të lartë e të gëzueshëm, secili sillte mbresat e natës së rrethimit. Unë, si u çlirova për dhëntë, hyra të ndihmoja vëllain dhe kushërinjtë, Izetin e Tajarin për t’u shërbyer sa më mirë mysafirëve.

 

 

Nuk zgjati shumë dhe pas 5 ditësh u çlirua Çorovoda?

 

 

Po. Nga fundi i gushtit e deri më 5 shtator partzanët e çetës bënë organizimin dhe planin për t’i rënë Çorovodës dhe më 5 shtator sulmuan dh e çliruan Çorovodën, ditë që edhe sot festohet me krenari. Situata në Skrapar ishte e favorshme për partizanët. Po edhe italianët, në bashkëpunim me qeverinë kuislinge, dërguan nën komandën e kolonel Kasem Radovickës një ushtri prej rreth 1500 vetash për të nënshtruar banorët e kësaj ane.

 

 

Do të shkoni sivjet në festë, në Skrapar, që është jubilare, 80-vjetori?

 

 

Jo, tani jam rënduar dhe s’bëj dot rrugë të gjata, por dëshiroj, që në kujtim të kësaj ngjarjeje historike të shpreh respekt për luftëtarët e asaj kohe e, bashkë me ta edhe për ata mëlovallinj, që treguan gatishmëri e lidhën besë me çetën partizane, që morën mbi vete përgjegjësinë dhe vunë interesin e luftës (për çlirimin e vendit) mbi ato të familjarëve të tyre.

 

 

Nder e respekt për ata djem e burrave që morën armët në sup e u bashkuan për të luftuar pushtuesin. Sot, pas kaq vitesh, është në nderin e pushtetit vendor e të vetë melovallijve, po sidomos të biznesmenëve, që aty ku sot është një përmendore, të ngrihet një e re, më dinjitoze, për nga përmasat, po dhe nga ana artistike …(Intervistoi: Z. Hoxha)