In Memoriam: Nder e respekt ushtarakut të lartë, Skënder Bega

In Memoriam: Nder e respekt ushtarakut të lartë, Skënder Bega

Ilmi Qazimi

Skënderi lindi më 8 mars të vitit 1927, në Siticë të Çepanit. Aktivist i Lëvizjes Antifashiste Nacional çlirimtare qysh në tetor 1942, me detyrën e korrierit dhe të shoqëruesit në Çepan, Zhepovë, Kajcë, Përmet, Gjirokastër. Më 6 prill 1944 rreshtohet partizan në batalionin e Rinisë “Ajet Xhindole”. Më pas në Brigadën e 10-të Sulmuese, e cila pati një aktivitet të gjerë luftarak në Kuçovë, Berat, Peqin, Krujë si dhe në luftimet për çlirimin e Tiranës.

 

Mbas çlirimit e deri në prill 1945 ai shërbeu në Brigadën e 15-të Sulmuese dhe në regjimentin 17-të Këmbsorisë  të Delvinës. Mbas një kursi për oficer në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve më 1948, Skënderi do të ngarkohej me detyra në Tiranë, Burrel, Shkodër, Durrës.

 

Mbas tetë muaj studimesh në Akademinë e Marinës në Sevastopol të Bashkimit Sovjetik ai kthehet në atdhe dhe kryen detyra të ndryshme e të vështira në Flotën Luftarake Detare të Shqipërisë në Pashaliman. Deri në vitin 1965 kreu detyrën e shefit të stërvitjes së shkollës së marinës e cila përfshinte 14 specialitete.

 

Prej dhjetorit 1965 deri në vitin 1982 ai kryen më së miri detyrën e komandantit të forcave të vetmbrojtjes vullnetare popullore të rrethit të Skraparit. Prej vitit 1994 deri 2001 ai kreu detyrën e kryetarit të komitetit të veteranëve të LANÇ të rrethit të Skraparit duke qënë njëherazi edhe anëtar i Komitetit Kombëtar.

Edhe kur erdhi me banim në Tiranë, ai la gjurmë të pashlyera në organizatën e veteranëve të LANÇ te Fusha e Aviacionit, Zona nr. 7.

 

Pjesëtar pa asnjë ndërprerje i Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, i pesë aksioneve në hidrocentrale, bujqësi dhe hekurudhë; me detyrën e shefit të ndërlidhjes së regjimentit në ngjarjet e 2 gushtit 1949 në Devoll; në incidentin  e Korfuzit më 1946; me detyrë speciale në kufirin shqiptaro-grek më 1947; ushtarak në repartet e ndjekjes për ndërlidhjen në Bizë dhe në Stanet e Linosit ; me shume kontribute në detyra të rëndësishme në Flotën Luftarake Detare në kohën e prishjes së marrëdhënieve me sovjetikët në vitin 1960, – Skënderi ishte një nga të paktët ushtarakë të Skraparit në një  sferë kaq të gjerë veprimtarish e larmi funksionesh, të cilat ai i kreu gjithmonë me devocion, pa rënë kurrë në kurthin e provokimeve, duke kryer me sakrificë, aftësi profesionale dhe atdhedashuri detyrën.

 

Për Skënderin ishte ngjarje jetike ajo e mbrojtjes se objekteve ushtarake të Skraparit në ditët e errëta të vitit ogurzi 1997. Ai me guximin, shkathtësinë dhe aftësinë e tij bindëse e organizuese, me të rinj e të reja të gatshëm për sakrifica, shpëtoi qytetin e Çorovodës dhe banorët e tij nga katastrofa e paimagjinuar e mundëshme.

 

Falë trashëgimisë patriotike e fisnike, intelektit natyral dhe prirjeve individuale të Skënderit si ushtarak karriere si dhe shkollave dhe kurseve të kryera, ai bën pjesë në plejadën e kuadrove mbresëlënës në sektorët ushtarakë e civilë që ai drejtoi, njësitë dhe repartet ku punoi dhe i lartësoi nderin, familjes, fshatit dhe vendit të tij.

 

Skënderi ishte prind, baba e gjysh shembullor. Ai së bashku me Behijen lindën gjashtë fëmijë shumë të mirë të cilët do të jenë  gjithnjë krenarë për babain e tyre të shtrenjtë.

 

Për jetën dhe veprat e tij, Skënder Begos i janë akorduar dhjetë dekorata , midis të cilave edhe “Nderi i o

Organizatës së Veteranëve të LANÇ”; kanë shkruar gazetat e revistat, është shkruar libri “Komandant Skënderi”; janë dhënë emisione në radio e televizione dhe përsëri do të shkruajnë e flasin sepse ai jeton  në zemrat e njerëzve, të  fëmijëve, nipërve e mbesave, të afërmve dhe të gjithë atyre që e kanë njohur. Puna, emri dhe gjurmët e mira të tij nuk harrohen kurrë!