Anxhela Bakiasi: Libri “Copëza”, një libër interesant dhe shumë tërheqës i talenteve të rinj letrarë
Së shpejti del nga botimi një libër modest, por tepër i sinqertë dhe i bukur, me titullin “Copëza”, përgatitur nga Anxhela Bakiasi, produkt i një nisme shumë të veçantë dhe domethënëse të kësaj vajze.
“Copëza” është një botim i krijuar nga shkrimtarë të rinj të cilët kanë pasion shkrimin dhe gjejnë frymëzim për të hedhur ndjenjat në letër. “Copëza” iu jep të rinjve mundësinë të ndajnë shkrimet e tyre me një publik më të gjerë.
Libri është një nismë për mbështetjen dhe promovimin e botuesve të rinj.
Realizimi i kësaj nisme bëhet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.
Parathënie
Nëse shkrimi është zhvendosja e shpirtit në letër, imagjinoni sa e vështirë është që këtë letër ta shpërndash. Imagjinoni sikur dikush të ketë fuqinë të të lexojë mendimet e tua, të njohë historitë që vijnë përmjet teje, qofshin ato të krijuara, dëgjuara apo të jetuara.
Duket sikur t’i kornizohesh brënda atyre shkrimeve dhe ato përcaktojnë atë që ti je, njeriun, personalitetin që përfaqëson. Të paktën këtë mendon çdo shkrimtar i ri, i cili vendos “të përkthejë” ndjenjat në gërma, por të mos i shpërndaj ato. Vendos t’i mbaj të lidhura në letra të fshehura apo foldera të ruajtur mirë në kompjuter.
Takim me të rinjtë letrarë, organizuar nga Anxhela Bakiasi
Nga ana tjetër ne kërkojmë të lexojmë, lexojmë libra shkrimtarësh të mëdhenj dhe frymëzohemi. Lexojmë historitë e tyre dhe gjejmë kaq shumë ngjashmëri me tonat, gjejmë kaq shumë nga copëzat tona. Motivohemi dhe demotivohemi të vazhojmë të shkruajmë gjatë këtij procesi deri në pikën që kuptojmë se duhet të lindësh që të rritesh.
Aty marrim guximin të lindim si shkrimtarë, të ndajmë historitë tona. Kuptojmë se ajo çfarë na dallon nga librat që lexojmë është vetëm hedhja e hapit të botimit të parë, e fillimit të një rruge tepër të gjatë, tepër të mundimshe, por edhe të bukur nëse realizohet deri në fund.
Ndaj ky libër është kryesisht i ndërtuar me botime të para, nga shkrimtarë të guximshëm që kanë vendosur të ndajnë me ju pak nga shpirti i tyre shumëngjyrësh.
Shkrimet janë prozë dhe poezi të ardhura në forma të ndryshme dhe tema të lira, janë shkrime të freskët, të druajtur, por tepër të sinqertë. Ndaj, ndoshta pikërisht për këtë ai duhet të ngjallë interes te lexuesi, si ai i ri ashtu edhe te ai i sprovuar dhe mësuar me “letërsi të madhe”.
Jemi të hapur për gjithçka, ndaj dhe kërkojmë jo vetëm një një lexim të vëmedshëm, por edhe vërejtje, sugjerime e mendime prej të gjithë atyre që do t’u bjerë në dorë ky libër, sepse do të na ndihmonin shumë në ndërmarrjen tonë të kësaj radhe, por edhe për projekte të tjera të tilla në të ardhmen!
Faleminderit dhe lexim të këndshëm!
Anxhela Bakiasi
Anxhela Bakiasi
Pasioni dhe talenti i të shkruarit ka lindur tek ajo që në moshë të vogël dhe është zhvilluar për gjatë viteve.
Aktualisht Anxhela është pedagoge pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe njëkohësisht ushtron profesionin e saj në fushën e financës pranë shoqërisë Tirana Agrikulturë.
Anxhela është e gjithashtu mjaft e përfshirë në shoqërinë civile, kryesisht në organizata me fokus rininë dhe mbështetjen e tyre, në kuadër të të cilave ka zhvilluar shumë aktivitete.