Botuesi Naim Zoto: “Shkëlqim Çela, një zë i thekshëm letrar që nuk shet, por bën art”!…

Botuesi Naim Zoto: “Shkëlqim Çela, një zë i thekshëm letrar që nuk shet, por bën art”!…

 

Shkëlqim Çela poet dhe romancier shqiptar. Ka lindur në Tiranë në vitin 1962. Pasi kreu studimet universitare në Universitetin Bujqësor të Tiranës, emigroi në Austri në vitin 1991 dhe më pas në SHBA, ku banon edhe sot.

Është autor i disa vëllimeve me poezi, tregime e novela. Mund të përmenden: “Mëmëdhembje” (tregime); “Ishulli Ruzvelt” (dy novela); “Tuneli i dhëndurëve” (tregime); “Kulmak”; proza, “K.”,poezi; “Zgjimi i ushtarit nga vdekja fushore” (poezi); “Embriologji”, novela; “Një zgjues për ty”, roman; “Këmbë qeni” (poezi) etj.

 

Libri më i fundit i tij, “Gjysma e qejfit”, botuar nga “Naimi”, vjen pas përmbledhjes me proza “Barërat e së keqes” dhe romanit “Hotel Bahnhof”.

 

 

 Ka fituar Çmimin “Kadare “ dhe disa çmime të tjera letrare. Njihet nga rrethet letrare si një zë i fuqishëm letrar.

 

 

Më poshtë po japim një shënim të shtëpisë botuese “Naimi” për librin më të fundit të tij:

 

 

 

“Gjysma e qejfit”

 

Një harlisje magjike përmes detajeve, një autopsi e të kaluarës së afërt, e cila, edhe pse e varfër, e vrazhdë, pra, një bukuri që vret/vriste edhe me monotoninë e saj, duke kaluar në laboratorin e një artisti të zbukuron shpirtin dhe të iluminon mendjen.

 

 

Një aftësi e çuditshme për të përcjellë realitetin e rëndomtë, rutinën e përditshme, pothuaj e paracaktuar nga “ai lart”, duke e rimodeluar dhe ofruar te lexuesi si një mozaik ngjarjesh e personazhesh përmes të cilëve lexuesi rinjeh veten dhe kurthin ku e kanë shtënë.

 

 

Nuk kam lexuar më parë një rrëfim kaq “prozaik” e njëkohësisht kaq fantastik; kaq të pa-anshëm e njëkohësisht kaq personal; aq ironik, sa edhe lirik dhe i dhembshur për jetën dhe fatin e tjetrit.

 

 

Letërsia e këtij autori nuk ka heronj; as të luftës, as të punës, as të seksit. As vetë nuk bën apo luan heroin. Gjithsesi, nuk e distancon veten nga ata apo ajo që përshkruan; autori është njëri nga personazhet e tij, madje, kryesori, pavarësisht se me emër del vetëm në kopertinë.

 

 

Çdo lexues i shqipes, pavarësisht se ku ka jetuar apo jeton, nga apo i kujt është, mund të mos e ketë takuar kurrë autorin, por kur ta lexojë librin e tij, do të thotë: si nuk e mbaj mend që dikur jam njohur me këtë Shkëlqim Çelën.

 

 

Dreqi ta marrë; sa pak shkrimtarë të tillë kemi që nuk shesin, por bëjnë art!

Që nuk bëjnë as ngjasme, as gjysma…

 

 

Botuesi

Naim Zoto

www.botimenaimi.com