Hysni Daja, homazh dhe nderim këtij luftëtari, misionari, historiani dhe shkrimtari të palodhur
Hysni Daja u lind në vitin 1928 në një familje të njohur të fshatit Sevran në rrethin e Skraparit. Gjatë viteve të pushtimit nazi-fashist të Shqipërisë, 1939-1944, e gjithë familja e tij në fshatin Sevran u lidh me rezistencën antifashiste dhe Hysniu me vëllezërit dolën partizanë, duke u rreshtuar fillimisht me çetën e Skraparit dhe më pas më 17 mars 1944, duke u inkuadruar në radhët e Brigadës së VII-të Sulmuese që u formua në fshatin Vlushë të Skraparit.
Edhe pse nuk ishte më shumë se 16 vjeç, Hysniu mori pjesë në të gjitha luftimet që zhvilloi ajo njësi partizane, duke shkuar në ndjekje të gjermanëve deri në Vishegrad të ish-Jugosllavisë.
Pas mbarimit të Luftës, Hysniu u gradua oficer, duke shërbyer në disa rrethe të vendit. Në fundin e viteve ’50-të, ai u dërgua për studime në Bashkimin Sovjetik, ku dhe u diplomua për armën e Artilerisë në një nga akademitë më të njohura të Moskës.
Pas kthimit nga Bashkimi Sovjetik, Hysniu shërbeu si komandant i Artilerisë fillimisht në një njësi të Tiranës dhe më pas për disa vjet në Brigadën e Këmbsorisë në qytetin e Laçit me gradën e nënkolonelit.
Në fillimin e viteve ’70-të ai u rikthye përsëri në Tiranë ku shërbeu në disa njësi ushtarake deri sa doli në pension.
Një nga detyrat më të mëdha, më të nderuara dhe më sublime që kreu Hysni Daja ishte misioni që kreu si kryetar i Komisionit të Gjetjes së Eshtrave të Dëshmorëve shqiptarë në Ish – Jugosllavi në vitin 1975. Rivarrimi i ështrave të këtyre dëshmorëve u bë në atë kohë me ceremoni madhështore.
Hyniu gjatë gjithë jetës së tij, krahas detyrave ushtarake iu kushtua edhe studimeve, veçanërisht atyre të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ai është autor i disa librave si “Armë të pathyera”,”Prova gjaku”, “Shtatë komisarët që ranë përtej kufirit”, “Në Brigadën e 7 – të Sulmuese: kështu ka ndodhur”
“Historia e fshatit Sevran”, etj. si dhe mjaft shkrimeve në shtypin e atyre viteve.
Edhe pse në moshë të shtyrë, disa vjet para se të ndërronte jetë, ai la Tiranën dhe shkoi në fshat, për të ndërtuar rrugën automobilistike të Sevranit, me ëndrrën për ta vazhduar më pas deri në Përmet.
Kjo u duk në fillim si aventurë, por ai me kontributin vullnetar të fshatarëve, duke punuar edhe vetë fizikisht me ato mjete primitive që ishin atëhere, arriti ta çonte rrugën në fshat.
Koloneli në pension, Hysni Daja, ndërroi jetë në janarin e vitit 2006. Trupi i tij u përcoll për në banesën e fundit me një ceremoni shtetërore të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes.