“Shporta me karavidhe”
“Shporta me karavidhe” është përdorur nga urtësia popullore si metaforë për njerëz të ligj, karrieristë, hakmarrës, qylaxhinj që kërkojnë pushtet apo që me mënyra të mbrapshta të arrijnë qëllimet e tyre.
Kjo shprehje mori përdorim të gjerë gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare për cilësimin humoristik dhe sarkastik të organizatës së Ballit Kombëtar.
Dramaturgu Spiro Çomora ka shkruar një komedi me titullin “Shporta me karavidhe”, e cila është vënë në skenë nga Teatri Popullor, Teatri i Korçës si dhe nga shumë grupe teatrosh amatorë.
Po ç’janë karavidhet?
Janë aragosta, gaforre, molusqe, guacka deti, kërminj ledhesh etj., që, kur janë të gjallë, përpiqen të kacavirren në anët e shportës, për të dalë që andej e për t’i shpëtuar tenxheres që është duke valuar.
Po t’i vësh re më kujdes, sapo një karavidhe arrin të ngjitet sado pak në anë të shportës, karavidhet e tjera, që kërkojnë edhe ato të dalin, i kapen e varen pas shpine dhe si përfundim e rrëzojnë. Një karavidhe e kacavjerrë pas një sipërfaqeje vertikale mund të mbajë peshën e vet, por jo edhe të karavidhes tjetër që kërkon t’i kalojë përsipër.
Me fjalë të tjera, sikur në shportë të kishte pasur vetëm një karavidhe, kjo do të kish dalë që andej pa problem; përkundrazi, është veprimi kolektiv, jo i koordinuar, i shumë karavidheve njëkohësisht, që e bën të pamundur daljen.
Kjo metaforë me spektakël kacavjerrësish, çuditërisht dhe fatkeqësisht shumë tragjikomike, nuk ka nevojë për koment me atë që po ndodh brenda nesh!
Turp! Turp për të pa turpshmit!