A do t’i rikthehet Poliçani prodhimit të armëve?!…
Është një diskutim i hapur që ditën kur kryeministri Rama deklaroi në Samitin Ballkanik të Tiranës, ku mori pjesë edhe presidenti i Ukrainës, Zelenski, kur ai tha se Shqipëria do të ndihmojë Ukrainën duke prodhuar municione dhe armë.
Një deklaratë që ngjalli diskutime; nga disa skepticizëm, pasi fabrikat dhe uzinat shqiptare të armëve janë shkatërruar fare dhe ringritja ka kosto të mëdha; kurse të disa të tjerë ngjalli optimizëm dhe shpresë se një gjë e tillë është e mundëshme dhe e ralizueshme, pasi ka ende asete teknike dhe njerëzore.
Kryetari i Bashkisë së Poliçanit, ku ka qenë një nga bazat më të fuqishme të prodhimeve ushtarake, tha se në disa reparte puna mund të rifillonte që të nesërmen e asaj dite!…
Poliçani është në gjendje të prodhojë dhe prodhon, prodhon fishekë me porosi me material porositës dhe janë të cilësisë së lartë. Prodhohen fishekë të markës makarov me porosi të NATO-s.
Natyrisht janë të kufizuara me periudha të caktuara por një pjesë e uzinës merret me këtë punë dhe punon natyrisht me organikë të kufizuar me material që sjellin vendet që bëjnë porositë – tha më tej ai..
Uzina e Prodhimit të Municioneve (sot Kombinati Mekanik Poliçan), u ndërtua dhe filloi aktivitetin e saj në vitet 60–të.
Uzina filloi prodhimin e municioneve për herë të parë në vitin 1967. Në fillim, u vu në punë linja e prodhimit të fishekut 7.62 mm dhe më pas me radhë linjat e prodhimit të granatave të dorës ofensive dhe difensive, minave kundërtank e kundërkëmbësorisë, predhave të mortajave 82 mm, kapsollave detonatore KD 8, fishekzjarrëve 180 mm.
Me kalimin e viteve, krahas prodhimit, vazhdoi në mënyrë të pandërprerë puna eksperimentuese për prodhimin e artikujve të tjerë të nevojshëm për ushtrinë. Në këtë proces eksperimentimi u përfshinë dhjetëra inxhinierë dhe specialistë të aftë nga i gjithë vendi.
Si rezultat i kësaj pune, në vitet 80–të u vunë në punë linjat e prodhimit të predhave 60, 107 dhe 120 mm, djegoreve 60 dhe 82 mm, fishekëve bazë 60 dhe 120 mm, fishekëve 12.7, 14.5 dhe 9 mm, etj. Rritja e nomenklaturës së prodhimeve, kapaciteteve prodhues dhe numrit të punonjësve, i cili arriti shifrën 3 200, ishin faktorët bazë që në vitin 1986 e shndërruan Uzinën në Kombinat të Prodhimeve Ushtarake.
Në Kombinatin Mekanik Poliçan deri në mbyllje të tij ishintë instaluar 12 linja kryesore për prodhimin e artikujve të lartpërmendur. Cikli i punës ishte i mbyllur duke realizuar në kombinat prodhimet ushtarake, instrumentet dhe veglat e punës, deri në ambalazhimin e prodhimit të gatshëm.
Linjat e prodhimit ishin të përbëra nga makineri speciale, të destinuara për prodhimin e municioneve.
Vetëm 5 deri 10 % e kapaciteteve prodhuese kishin karakter universal dhe mund të përdoreshin për prodhime civile.
Mbas vitit 1992, si rrjedhojë e ristrukturimit të Ushtrisë dhe mungesës së fondeve, porositë për ushtrinë në Kombinatin Mekanik Poliçan u ulën në mënyrë drastike, duke sjellë si pasojë reduktimin e fuqisë punëtore nga 3 200 në 1 700. Gjatë viteve 1994 – 1997, prodhimi u ndërpre plotësisht.
Nga korriku 2006 e deri tani ndërmarrja funksionon me pavarësi financiare nga shteti. Aktiviteti kryesor aktual është demilitarizimi i municioneve të tepërta të F.A.
Sasia e municioneve të asgjësuara në Kombinat që prej vitit 2001 e deri tani, është rreth 26 000 ton (municione të shtimit të topave 57 mm, 76 mm, 85 mm, 100 mm, bomba aviacioni 100 kg, 150 kg., 250 kg, predha mortaje 107 mm dhe 82 mm).
Aktualisht po demilitarizohen municione mortaje 82 mm prodhim importi (rus, kinez), granatat e dorës dhe fishekë 7.62 mm”.
Dhe tashti të vijmë te fillimi, a mund të rifillojë puna në Poliçan?
Do të ishte një mrekulli, pasi ka ende asete teknike dhe njerëzore.
Por, edhe e vështirë është…
Të shohim!
Kryeministri nuk i tha Zelenckit atë shprejhen e bukur shkodrane “Tu pá, tu bá”! Por, “do ta bëjmë”!…