Abdulla Braçaj, vend nderi në elitën intelektuale të Skraparit
Në 21 – vjetorin e ndarjes nga jeta
Zylyftar HOXHA
Abdulla Braçaj lindi më 3 mars 1946 në fshatin Muzhënckë të Skraparit. Shkollën fillore e kreu në Malind dhe 7-vjeçaren në Çepan.
Në vitet 1962 -1966 mbaroi gjimnazin “Ramiz Aranitasi” të Çorovodës.
Studimet e larta i kreu për agronom në Institutin e Lartë Bujqësor Kamëz, ku doli me rezultate të shkëlqyera.
Në vitet 1972 – 1975 punoi redaktor në gazetën lokale “Jehona e Skraparit”.
Më pas punoi si kryespecialist dhe kryetar i kooperativës së Gjerbësit, kryespecialist i Ndërmarjes Bujqësore “5 Shtatori” në Çorovodë etj.
Pas viteve 1990 transferohet në Tiranë, ku punon si redaktor i Buletinit të Shkencave Bujqësore.
Abdullai ishte anëtar i Shoqatës së Gazetarëve të Bujqësisë me qendër në Bruksel.
Për punë të mirë si gazetar është dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri”.
U nda nga jeta në mënyrë të parakohshme nga një sëmundje e rëndë në 18 shtator 2002
Para se të flas për mikun dhe kolegun tim të hershëm gazetar, Abdulla Braçajn, dhe që të kuptohen më mirë lidhjet dhe marrëdhëniet e mia me të, më duhet që në kontekstin e asaj kohe, të jap një tablo të shkurtër të jetës dhe atmosfrës në qytetin e largët të Çorovodës, ku ne na ra rasti të punonim, por më tepër edhe të punës sonë si gazetarë, që në atë kohë quhej një “punë fisnike”, një fat dhe një privilegj tepër i rrallë.
Abdullanë unë e gjeta në gazetë, ndiqte problemet ekonomike dhe ato të bujqësisë. Ishte i padiskutueshëm profesionalisht. Kuptohet, për kohën, pasi unë tani qesh me veten dhe çuditem me ato budallallëqe që kemi shkruar në atë kohë.
Unë Abdullanë jo vetëm në ditët e para të punës, por gjatë gjithë kohës që isha me të, e kisha idhull të vërtetë. E ndiqja në çdo gjë, se si komunikonte me njerëzit, se si sillej me shokët, me njerëzit e tij, se si vishej e si mbathej, çfarë hante dhe si hante. Ai, diçka më i madh dhe me përvojë, unë më i vogël dhe i ardhur rishtash në “metropol”, të dy gjithmonë bashkë, dukeshim, siç thotë populli, si Toska me Moskën.
Ne na kishte rënë fati që të rrinim pothuajse 24 orë bashkë, hiq ditët kur shkonim me shërbim, pasi flinim në një dhomë beqarësh, të cilën na i kishte gjetur Komiteti i Partisë. Dhoma ishte te shpitë njëkatëshe që ishin ndërtuar menjëherë pas çlirimit në lagjen 2 Dhjetori, mbi Postën e dikurshme, atje ku sot është dyqani i Alush Gurit.
Më vonë në dhomën tjetër u futën disa kuadro që erdhën nga klasa punëtore, nga Poliçani, si Bedri Tërpollari, Shahin Banushi, Dake Tusha, Asllan Musai (këtë të fundit e morëm ne në dhomën tonë).
Na vinte shpesh në dhomë Bardhyl Ylli, në atë kohë drejtor i Muzeut Historik të Skraparit, me të cilin ne rrinim pjesën më të madhe të kohës së lirë. Bardhyli i shkretë e hiqte shumë atë të flamosur raki, ndaj dhe Abdullai nuk harronte asnjëherë të merrte nga një shishe kur vinte në fshat.
Një herë Lalani, vëllai i madh i Abdullait, na kishte sjellë nga Muzhëncka një torbë me koridha dhe një shishe me raki. Se ku e kishte marrë vesh Bardhyli dhe erdhi me vrap. Në atë kohë as unë e as Dulja nuk pinim raki, ose pinim rrallë dhe nga pak. Atë ditë, të tre me Badhylin, e thamë kiloshen. Ishte e çuditshme se nuk na zuri. Ndoshta nga që hëngrëm edhe gjithë koridhat e torbës që mund të kenë qenë nja shtatë a tetë kile. Këtë rast na e zinte gjithmonë në gojë Bardhyli, duke thënë me shaka: “Doni koridha Muzhëncke që të pini raki, ju derra”!
Për të larë, laheshim në lavanterinë e qytetit që ishte mbrapa Varreve të Dëshmorëve. Aty rrallë linim ndonjë këmishë për të larë dhe hekurosur, në të shumtën e rasteve i lanim vetë ose prisnim të shtunën kur shkonim në shtëpi në fshat. Në atë kohë kishte çorape nailon të cilat në dukje ishin të bukura, por sa bëje një copë rrugë, nuk e nxirrje dot këmbën nga këpuca, se dhe lopa ngordhte nga era. Teli ynë në korridor rrinte plot me çorape të varura.
Abdullai ishte i rregullt dhe i pastër. Vishej me sqimë, sipas modës së kohës, me pantallona terital, këmishë nailoni dhe xhaketë stofi leshi. Për të hekurosur kishim një hekur me qymyr, me të cilin hiqnim të zitë e ullirit, pasi, sidomos në behar, s’kishim zjarr. Detyroheshim të kërkonim pak prush në lagje ku shikonim të delte tym.
Në tërë veshjen e Dules dalloheshin këpucët, të cilat në shumicën e rasteve i bënte me porosi te Shezaiu nga Ujaniku ose te Gjeno Nasi, i biri i Stavro Kallajnxhiut nga Mbrezhdani i Përmetit. Një pjesë të mirë të mëngjesit na i merrnin këpucët, të cilat i bënim xixë, por sa shkonim poshtë në qendër, na bëheshin për faqen e zezë nga lluca. Dulja bëhej e s’bëhej, por unë spërkat i kisha që nga mesi i kurrizit e deri poshtë, pasi ikja dhe ikij edhe sot keq, sa më shajnë gjithmonë këta të shtëpisë time.
Me Dulen mua më ka rënë të punoj nga mesi i viteve ’70, në atë kohë kur dolën të ashtuquajturit grupet armiqësore në Parti. E ndjeja se ai nga kjo vuante shumë. Unë asnjë herë nuk e mora guximin ta pyesja, por siç kisha dëgjuar nga të tjerët, Dulja kishte një “njollë” në biografi (kështu thuhej atëhere). Madje disa “miq” të mij më kishin thënë që të mos rrija aq shumë me të! Por unë nuk i dëgjova kurrë.
Për shkak të kësaj ai ishte përjashtuar edhe nga shkolla ushtarake “Skënderbej”. Kishte ngelur për ca kohë rrugëve, derisa mezi ishte rregulluar në gjimnazin e Çorovodës. Kjo ishte edhe një nga arsyet që ai shkoi në shkollë bujqësore, pavarësisht aftësive dhe prirjeve të tija për degë të tjera edhe më të vështira dhe më të preferuara
Po si ishte puna? Edhe sot nuk e kam të qartë, por një vëllai i tij, Izeti, ndihmës mjek, kur kishte qenë në shkollë bashkë me disa shokë kishin dashur të arratiseshin. Për këtë edhe ishin dënuar me burg. Në kët kohë, pasi kishte dalë nga burgu, Izeti ishte në fshat ndihmës mjek. Izeti ishte një natyrë e hedhur, çapkën, por i goditur keq. Unë kisha bërë shumë herë muhabet me të. I xixëllonin sytë, por ndruhej, më shumë mendonte të vëllezërit se sa veten e tij për atë lugë çorbë që kishte gëlltitur dikur e që ishte detyruar të villte tërë jetën.
Izeti mbante një kapele paksa interesante me strehë. U martua vonë, por edhe pse kështu, nuk iu gëzua jetës, vdiq fare i ri.
Të kthehemi tani te Abdullai. Pavarësisht edukatës së lartë që reflektonte, punës së tij të përkryer, marrëdhënieve shumë të ngrohta me njerëzit, forcës intelektuale, përsëri ai e shikonte se diçka nuk shkonte. Dhe ajo që do t’ia hiqte një herë e përgjithmonë këtë hije, do të ishte pranimi në Parti, i cili do të ishte veç të tjerash, një akt praktik mbijetese. Por në kushtet e asaj kohe, kjo qe një gjë e pamundur për të.
Hija vazhdonte ta ndiqte pas, derisa një ditë prej ditësh, nga viti 1976 besoj, doli një vendim i KQ të Partisë për qarkullimin e kuadrove. Më në fund sebepi u gjet, për ta larguar Dulen nga gazeta, doli qarkullimi. E çuan “me ngritje”, s’ishte shaka të ishe kryetar kooperative. Dhe ku, në një nga kooperativat më të mëdha të rrethit, në Gjerbës, kryeqendrën e Tomorricës. Edhe aty Dulja nuk mund të bënte ndryshe, ishte ai Dule për të cilin kemi folur deri tani, i aftë, i zoti, i sukseshëm, dhe, mbi të gjitha, njerëzor.
Pasi Dulja shkoi në Gjerbës takimet tona u bënë më të rralla, por edhe më të përmallshme. Ku ai vinte në Çorovodë, me gjithë impenjimet e shumta, gjenim kohë të pinim nga një kafe. Ndërsa kur unë shkoja në Tomorricë dhe kthehesha në Gjerbës, ai linte çdo punë dhe më bënte mua shoqëri, duke u munduar të më kënaqte sa më shumë. Aq më shumë e forcoi miqësinë tonë, lidhja kur ishte në Gjebës me Naxhien, kushërirën time, çupën e tezes së nënës time nga Gradeci i Tomorricës, me të cilën ai u martua dhe krijoi familje.
Vonë, nuk e mbaj mend vitin, mbase viti 2000, më vjen Lalani në Çorovodë dhe më thotë se kishte dasëm, dhe donte që dasmën ta filmoja unë. Megjithëse kisha kërkesa të tjera, i thashë se do të vija patjetër. Shkova në Muzhënckë, s’kisha shkuar asnjë herë. Kisha dëgjuar se Muzhëncka ishte shumë e civilizuar për kohën. Bëhej një jetë me parametra që nuk i gjeje edhe në familje qytetare. Këtë e pashë me sytë e mi jo vetëm te Lalani, te rrugët dhe muret, por edhe te Faik Halilaj, një burrë shumë i njohur në të gjithë zonën, ku fjeta atë natë.
Nuk e di nëse Abdullai ka patur ndonjë shqetësim në atë kohë, por mua nuk më shfaqi asgjë në ato që biseduam. Më foli për punën, për fëmijët që i shkonin shumë mirë me shkollën.
Ndërsa unë i thashë se edhe unë së shpejti do të shkoja në Tiranë, kisha pronotuar shtëpi. Kur u ndamë në Muzhënckë, më tha: “Mirëupafshim në Tiranë”! Që atëhere nuk u pamë më.
Për mua, Abdulla Braçaj ka një vend nderi në panteonin e elitës intelektuale të Skraparit. Më vjen keq, kur shikoj që vlerësohen dhe nderohen figura të tjera jo me ato nivele, kontribute dhe vlera që kishte dhe mishëronte Abdulla Braçaj, dhe ai jo.