Alan Shepard, kozmonauti nga Gjançi i Korçës që ngriti flamurin në Hënë
Petrit F. ZENELI
Historian
Kushdo që lëviz në rrugën automobilistike Korçë-Ura e Floqit-Bellovodë-Vithkuq, sapo kalon kryqëzimin e rrugës së Lubonjës, nuk mund të mos përballet me bukuritë mahnitëse të liqenit artificial të Gjançit (rezervuarit, siç i thonë vendasit), që e ka marrë emrin pikërisht nga fshati Gjanç, shumë pranë, në krah të djathtë të rrugës.
Gjançi, një fshat i lashtë autokton, me rreth 65-70 shtëpi në fund të shek. XX, ndodhet në juglindje të Vithkuqit, 6 km larg larg tij dhe 20 km larg nga qyteti i Korçës. Ai është një fshat malor, ku pjesa më e madhe e banorëve janë marrë e merren me bujqësi dhe blegtori, pa lënë mënjanë mjeshtërinë e ndërtimit të furrave të gëlqeres dhe djegies së saj, për të cilën fama u kish shkuar deri në Selanik, Follorinë, Janinë, Prevezë etj.
Nuk ka munguar aty as ushtrimi i emigracionit ekonomik në Amerikë, Australi e gjetkë, që prej vitit 1900 e deri në ditët tona.
I banuar nga një popullsi e përzjerë, të krishterë e myslimanë, ai është shquar për harmoninë e plotë dhe dashurinë mes njerëzve të të dy besimeve. Gjançi, i shquar për traditën e tij arsimdashëse, ka nxjerrë dijetarë dhe shkencëtarë me famë në trojet shqiptare dhe mbarë botën. Sipas Guri Nunes, njëri prej tyre ka qenë i quajturi Dhjamanti, inxhiner me famë, që ka marrë pjesë në ndërtimin e hekurudhës Selanik-Follorinë, në një terren tepër të vështirë.
Thuhet se meqë atë nuk e merrte përsipër asnjë prej inxhinierëve vendas, e mori gjançioti Dhjamanti, që ndërtoi jo vetëm hekurudhën me sukses të plotë, por dhe disa vepra të tjera të rëndësishme në Greqi. Kjo bëri bujë të madhe atëhere dhe turpëroi mjaft inxhinierë të talentuar grekë. Për xhelozi, elementë ziliqarë futën njërëzit e tyre dhe e helmuan.
Pasardhësit e Dhjamantit jetojnë ende atje. Kostandina Lukes, nga ky fshat, në vitin 2012 ishte kryebashkiake e qytetit të Worchesterit në Massachusets SHBA, duke nderuar gjithë komunitetin shqiptar të Amerikës, për të mos vazhduar me personalitete të tjera gjançiotë, që duan një listë të tërë.
***
Historia e fshatit Gjanç zë fill më tepër se 250-300 vjet para. Fshati nuk ka qenë aty ku është sot, por diku në periferi të tij, atje ku aktualisht ndodhet rezervuari më i madh i vendit tonë (rezervuari i Gjançit), me ujin e të cilit, përveç vaditjes së fushës së Korçës furnizohet dhe një hidrocentral i njohur, përfund fshatit Bellovodë. Baseni i ujit të këtij rezervuari ka zënë gjithë tokat e Gjançit të vjetër, që dikur thirreshin Zotole dhe shfrytëzoheshin si livadhe për korrje bari, nga çdo familje që i kishte në pronësi me tapitë përkatëse.
Por meqë Gjançi i vjetër ishte shumë i ekspozuar në kryqëzime rrugësh, në një terren të hapur, shpesh pre e kërcënimeve e vjedhjeve të kalimtarëve të panjohur, kaçakëve dhe bandave të asaj kohe; shto, sipas gojëdhënave, dhe përhapjen e theksuar të gjarpërit në atë zonë, u pa e arësyeshme të shpërngulej në Gjançin e sotëm, rrëzë një shkëmbi që ka shërbyer e shërben si kështjellë për të.
Gjançi ka qenë një pikë kalimi për të gjithë zonën e Vakëfeve dhe Skraparit drejt Korçës, mbasi jo më shumë se 300-400 m larg tij ndodhet një rrugë kryesore që quhet edhe sot “Rruga e Madhe”, e shtruar me kalldrëm. Tek kisha e vjetër e Gjançit kalonin natën kalimtarët para se të zbrisnin te Gryka e Pulahës ose në Dërsnik, dhe prej andej në Pazarin e Korçës, ditën e shtunë, sepse priste shumë shkurt, si në vajtje edhe në kthim.
***
Por personaliteti që i bën më shumë nder Gjançit dhe mbarë kombit shqiptar është Alan Shepardi, anëtar i bordit dhe komandant fluturimi i anijes kozmike Apollo 14, e cila u ul në Hënë nga 31 janari deri më 9 shkurt 1971, në zonën Fra Maouro, paksa në lindje të rajonit ku kishte zbritur Apollo 12. Fra Maouro është një zonë kodrash të larta të krijuara miliona vjet më parë nga rënia e një meteori të fuqishëm në Hënë. Për këtë arsye shkencëtarët donin t’a studionin këtë sipërfaqe në kërkim të origjinës së Hënës.
Falë Shepard-it u ngrit dhe flamuri shqiptar në Hënë. Prindërit e Alanit kishin lindur në Gjanç dhe në respekt të tyre (mbasi ata nuk jetonin më), kërkoi që kur të zbriste në Tokë, ndër të tjerët që do ta prisnin të ishte edhe njëri nga fshati i lindjes së prindërve të tij, Gjançit. Për këtë emër të madh flet dhe Prof. Moikom Zeqo, në një shkrim të tij në Revista Mbrojtja, 4 gusht 2003.
Prof. Moikomi thekson: “…duke kërkuar në arkivin e Muzeumit Historik Kombëtar, gjeta një dokument të jashtëzakonshëm nga të gjitha pikpamjet. Mbi një karton të fortë është vendosur një fotografi e anijes kozmike Apollo 14, fotografi e bërë nga sipërfaqja e Hënës. Krahas kësaj fotografie është vendosur një flamur shqiptar, i përmasave të vogla. Nën fotografinë është shkruar: Antares at fra mauro, kurse poshtë fotografisë është ky mbishkrim: This flag was carried to the moon on board Apollo 14, January 31 through February 9, 1971. It is presented by Rear Admiral Alan B. Shepard, Jr, United States Navy, delegate to the 26th Session of the United Nations General Assembly.
Nga ky shkrim mësohet se flamuri Shqiptar (zyrtar) është mbartur në Hënë në trupin e anijes kozmike Apollo 14 nga 31 Janari deri më 9 Shkurt 1971. Ky flamur është paraqitur prej zëvëndës Admiralit Alan B. Shepard Jr, i Flotës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe që ka qenë delegat në Sesionin e 26-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Antares është pjesa e anijes që zbriti në Hënë dhe Fra Mauro është emri i vendit në Hënë ku zbriti anija. Ka edhe një mbishkrim dore shkruar me bojë të zezë nga Alan Shepardi, që lexon: With the compliments of the astronautes of the United States. Alan Shepard 02.10.71, që përkthehet në Shqip: Me fjalët me të mira të astronautëve të Shteteve të Bashkuara. Alan Shepard, 2 Tetor 1971.
Ky dokument që përmban flamurin shqiptar me fotografinë në Hënë, së bashku me mbishkrimet, i është dorëzuar prej vetë astronautit Alan Shepard një dilomati Shqiptar, i cili pat marrë pjesë edhe ai në Sesionin e 26-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Alan Shepard, kur ka përgatitur këtë dhuratë dhe për ta bërë më të vërtetë dokumentin, ka shkruar me dorën e tij përshëndetjen jo vetëm nga vetvetja, por edhe nga astronautët e tjerë të SHBA-s. Kjo do të thotë që fakti i mbartjes së flamurit Shqiptar ka qenë temë bisede e astronautëve bashkëudhëtarë.
Pra Shepard u ka folur atyre për origjinën e tij Shqiptare (bile dhe dëshirën për ta pritur një i afërm i tij nga Gjançi, sqarim i Guri Nunes.) Gjesti i Shepardit është i madhërishëm.
Duke lexuar një enciklopedi të kozmosit ku janë dhe emrat e kozmonauteve në vite, lexohen këto të dhëna për Alan Shepardin. Ai u lind në East Dery, New Hampshire të SHBA, më 18 nëntor 1923. Është me origjinë shqiptare. Ka kryer Akademinë Detare Amerikane në Anapolis, ku mbaroi dhe një shkollë fluturimi për pilot joushtarak. Më pas bëri edhe Shkollën e Marinës për pilot në Patuxent, Maryland, si dhe Shkollën Detare të Luftës në New Port Rhode Island më 1958.
Më 1961 u ngrit në hapësirë si njeriu i parë në botë rusi Juri Gagarin. Ai fluturoi në kozmos si pasagjer, kurse Shepardi në misionin Apollo 14 në Janar-Shkurt 1971 e manovroi vetë anijen kozmike. Si kozmonaut, ai është i pari që ka fluturuar në kozmos si Amerikan dhe i pesti që ka shkelur në Hënë.
Para daljes ne pension Alan Shepard gradohet Admiral. Ai ndërroi jetë më 21 korrik 1998; pra jetoi 75 vjet.
Shepard ka vendin e tij të merituar në Muzeun Historik Kombëtar dhe në kujtesën e Shqiptarëve. Në të njëjtën enciklopedi flitej edhe për William Gregory, një tjetër astronaut Shqiptaro-Amerikan.
Gregory lindi në Lock-Port, Nju Jork, më 14 Maj 1957. Ai është me origjinë nga fshati Dardhë e Korçës.
Ndërsa emri i tretë i astronautit shqiptaro-amerikan është ai i Wilson Kokalarit, me origjinë nga Gjirokastra. Inxhinieri Kokalari, luajti një rol kyç në fluturimet e programit Apollo, përfshi edhe udhëtimin e parë të njeriut në Hënë (më 1969).
Çuditërisht, ky gjirokastrit i madh, por i njohur pak nga shqiptarët, në një intervistë dhënë botuesit të gazetës “Yllyria”, Vehbi Bajrami, kur e pyeti lidhur me astronautin Allen Sheppard, për të cilin shtypi shqiptar ka shkruar se është shqiptar, ndërsa kërkime serioze nga ana e gazetës “Yllyria” kanë sjellë të dhëna kontradiktore, Wilson Kokalari, që i ka njohur të gjithë astronautët gjatë atyre viteve të famshme, qeshi dhe me humor tha: “Sipas kushëririt tim, Tajar, në Gjirokastër, edhe Abraham Lincoln ishte shqiptar.”
Ndoshta Kokalari nuk e ka ditur origjinën e tij (pa hamendësuar xhelozi), edhe pse e ka njohur Shepard-in gjatë punës së tij shumëvjeçare në një nga seksionet më kyçe të NASA-s, por që nuk ka punuar drejtpërdrejt me të.
Fatmirësisht, çdo shqiptar që ka emigruar në SHBA, që nga At Kole Kristofori i Katundit të Korçës (më 1884) e ka dashur dhe e do me shpirt atdheun mëmë, e ka mbajtur lart e me nder flamurin kombëtar shqiptar, por ai që e ngriti më lart atë ishte nga Gjançi i Korçës, Alan Shepard!
Ndaj, përjetë mirënjohës Gjanç e gjançiotë, kudo që ndodheni!