Edhe Gora, Mokra e Opari kanë “Shote e Azem Galicën” e tyre

Edhe Gora, Mokra e Opari kanë “Shote e Azem Galicën” e tyre

Pandeli Bardhi

Këto ditë, në Lozhan, në qendër të Krahinës së Gorës, u festuan me madhështi 80-vjetori i krijimit të Çetës Gora dhe 80-vjetori i Kuvendit “Besëlidhja gorare” në Qershor të vitit 1942.

 

Në çdo përvjetor, kujtohen e nderohen traditat e shkëlqyera të kësaj Krahinë “Rebele” për pushtuesit që nuk i u nënshtruan pushtimit, por mbrojtën me gjak e sakrifica të mëdha nderin dhe dinjitetin e kësaj Krahine të pamposhtur.

 

Në çdo përvjetor, kujtesa shkon edhe më në thellësi, në gjysmën e dytë të shek të 19-të me Kapedanët trima, Shahin Matraku, Kajo Babieni, Malkë Zvarishti etj, etj që sa më shumë koha kalon aq më shumë ata vijnë pranë, kujtohen e nderohen me respekt e “kambana” e tyre e luftës për liri e pavarësi, gjëmoi gjithmonë si thirrje për kushtrim në këta male krenarë si shpresë për liri e pavarësi, duke  i dorëzuar stafetën e luftës “Çetës “Gora “ dhe kapedanëve trima të luftës, Teki Kolaneci. Bajram Tresova, Shaban Zereci e dhjetra e qindra të tjerëve që u bënë simboli i lirisë dhe i pavarësisë..Është folur shumë për luftërat dhe përpjekjet  e banorëve të kësaj Treve, Mokër, Gorë e Opar, qysh nga pushtimi osman,e deri në mbarim të  Luftës  Nacional Çlirimtare.

 

Por këtë herë do të flasim për “Shote Galicën” e Mokrës, Gorës dhe Oparit, jo aq shumë të dëgjuar deri sot siç është Kaçe Starova (Babieni), bashkëshorte e Kapedanit Kajo Babieni.  Shote e Azem Galica, për publikun janë shumë të njohur për luftën që ata kanë bërë për mbrojtjen e trojeve shqiptare, për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë. Por, nuk qëndrojnë më prapa atyre, Kaçe Starova e Kajo Babieni në Zonën Mokër, Gorë e Opar. Të dy, kanë të njëjtin aktivitet, të njëjtat qëllime e sakrifica për mbrojtjen e interesave të mëdha Kombëtare, si kolegët e tyre në Veriun e Shqipërisë.për të cilën sakrifikuan edhe jetën e tyre.

 

Kur flasim për luftëtarin trim Azem Galica, nuk e marrim atë të ndarë nga bashkëshortja e tij Shote Galica. Edhe kur flasim për Kajo Ibrahim Zere (Babieni) Kapedanin gorar trim e luftëtar,  do të ishim gjysmakë nëqoftëse do ta merrnim të vecuar nga bashkëshortja e tij Kaçe Starova (Babieni).   Dy herë u fut në burg luftëtari Azem Galica dhe dy herë u arratis nga burgu ku mbahej në Mitrovicë dhe përsëri u arratis bashkë me vallezërit e tij  dhe më pas, dolën kaçakë.

 

Pasi u kthye shkoi në Klinë të Poshtme ku u takua me prindërit e Shote Galicës, ku vendosën për martesën. Shote Galica, ishte motra e 6 vëllezërve. Ajo u martua me Azem Galicën në vitin 1915. Në vitin 1919 Shota mori pjesë në Kryengritjen e Dukagjinit dhe Junikut në 1921–1923. Në vitin 1925 pas vdekjes së burrit të saj, Azem Galicës, ajo mori detyrën e tij dhe luftoi së bashku me Bajram Currin në Has të Prizrenit dhe Lumë. Shote Galica ishte një legjendë virtuale në kohën e saj. Edhe Dajoja i Kapedanit Kajo Babieni, Shahin Matraku, në moshën 20-vjeçare, futet në burg dhe mbas 5 vitesh, në vitin 1860, del nga burgu dhe del komit maleve.

 

Kanë të njëjtat histori Shote e Azem Galica dhe Kace Kajo Babieni. Kace Starova (Babieni) mbas vdekjes së bashkëshortit të saj Kajos, në vitin 1923 në Gorë në moshën 80-vjeçare, do të vazhdonte luftën e saj deri sa u nda nga jeta në moshën 76 vjeçare. Ajo mbahet mend për thënien “Jeta pa dije është si një luftë pa armë”.Ishte koha kur turqit dënonin me burgime të rënda ata shqiptarë  që botonin apo ligjëronin në gjuhën shqipe.

 

Kaçe Starova, ishte pasardhëse e grave trimëresha shqiptare qysh nga lashtësia e deri në ditët e sotme..Kujtojmë Mbretëreshën Teuta, e klasifikuar si një nga dhjetë femrat trimëresha më të forta të kohës..Kujtojmë gruan trimëreshë të Mbretit Olimp, kujtojmë Argjiron, gruan e famshme që u hodh nga Kështjella bashkë me birin e saj për të mos rënë në duart e turqve, kujtojnë Elena Gjika (Dora D’Istria), publiciste, shkrimtar, studiuese etnologe e radhitur mes dhjetë femrave më intelektuale të kohës e cila në vitin 1867, merr në Athinë  medaljen “Qytetare Nderi” titull që në atë kohë, para saj e mbante vetëm Lord Bajroni.

 

Duke ecur në gjurmët e grave në kohën e Spartës, kur gratë ishin edhe bashkëluftëtare të burrave edhe në Bjeshkët e Malsisë e malet e Gorës e Oparit, gratë ishin bashkëluftëtare me burrat.. Sa shumë Kapedanë kanë luftuar e kanë derdhur gjak që pushtuesit kurrë të mos nënshtronin e robëronin popullin. Kështu kanë luftuar edhe kapedanët e Mokrës, Gorës dhe Oparit që kjo Krahinë e këta banorë “rebelë” të “Kështjellave” Male, të bëheshin varri i pushtuesve.  “O Kapedanë, sot juve nuk ju qajnë vetëm gratë, por ju qajnë gjithë Kazatë”, vajtonin gratë e Mokrës, Kapedanët e rënë në beteja.. Shote Galica, pa përfillur terrorin e armikut dhe ligjet e ashpra të fesë e të kanunit luftoi heroikisht për 12 vjet me radhë kundër pushtuesve serbë.

 

Kështu edhe Kaçe Starova (Babieni), luftoi krahpërkrah bashkëshortit të saj. Po kush është“Azemi” i Gorës, Kajo Babieni ?.  Kajo Babieni, lindi në Babien të Gorës në vitin 1843 dhe në moshën 15 vjeçare u bë komit, anëtar i Çetës së dajos së tij Shahin Matraku nga Proptishti i lindur në vitin 1835 dhe vrarë pabesisht në vitin 1900 në një përpjekje në Malin e Thatë. Në vitin 1873 , në moshën  tridhjetë vjeçare Kajo martohet dhe mbas dhjetë vitesh bashkëshortja e tij ndahet nga jeta pa lënë fëmijë.  Dalë nga “shkolla luftarake” e Shahin Matrakut, Kajo Babieni,  u bë legjendar si dajua i tij. Kajo Babieni me çetën e tij luftarake mori udhën deri në Vlorë për t’u bërë   gardian i forcave që mbronin pavarësinë e Shqipërisë.

 

Krahas luftëtarëve të çetës, kajo Babienin e shoqëronte edhe bashkëshortja e tij Kaçe Starova. Kapedanët e Gorës janë të tillë që, sikur të kesh mundësi  t’i vendosësh në një panel, nuk di se kë të vendosësh në krye: Xhelo Selcën, Kajo  Babienin, Koçi Plovishtin,  Ismail Dërdusën, Feim Zboqin,Cane Lozhanin, Feta Gocen, Pasho Koloneci etj, etj por kjo është një temë tjetër.,.Vijmë tani tek “Shote Galica” e Gorës, apo Kaçe Starova (Babieni).  Lindi në Starovë të Pogradecit në vitin 1858 në një familje të madhe dhe me emër. Emri i saj do të shndërrohej  në një simbol për kujtesën tonë kombëtare. Kaçe, emri i të cilës simbolizon një lule të bukur, pati fatin të ishte bashkëshortja e Kajo Babienit. Duket si e pabesueshme, por është e vërtetë, që Kaçja, nuk shkoi nuse me duvak në dasëm, por shkoi drejt e në mal, atje ku luftonte bashkëshorti i saj.

 

Ishte vetëm 27 vjeç  kur Kaçe Starova, martohet me Kajo Babienin në vitin 1885, në moshën 27 vjeç dhe në vend të fustanit të nusërisë, veshi rrobat e luftëtarit  ngjeshi armën në brez dhe gjerdanin me fishekë.  Ishte një gjë e rrallë dhe e pazakontë në atë kohë, në këtë Zonë e këta Male të shihje një komitë në çetë me rrobat e luftëtarit të luftojë për Vatanin dhe Kacja, si komitë shumë shpejt morri dhenë e u bë e njohur në Mokër, Starovë, Gorë, Opar e Korcë.

 

Ajo hyri në histori si  një monument i pavdekshëm, lavdie, qëndrese, emancipimi dhe trimërie. Ajo me kurajo, përballoi zakonet e vjetra, thashethemnajat dhe ligësitë. Me jetën dhe veprën e saj në luftë kundër pushtuesve krahpërkrah burrit ajo jo vetëm mposhti zakonet e vjetra, por arriti që t’i thurnin edhe këngë që vinin në dukje guximin dhe trimëritë e saj.

 

Historia e rebelimit anti-turk, njeh edhe komitë e kaçakë të tillë siç ishte Kaçe Starova, megjithëse të rrallë në një kohë që askund në vendet e tjera, nuk njihen. “Burrin tim, Kajo Babienin, unë së pari e dua si luftëtar që lufton  për çlirimin e trojeve shqiptare nga pushtuesit turq..” do të shprehej ajo përpara “krushqve” që ishin anëtarët e çetës së Kajo Babienit.  “Keni marrë nuse të mirë” i shpreheshin anëtarët e çetës, Kajo Babienit.. “Ashtu është, por jo nuse për punët e shtëpisë, por nuse për në mal..” i përgjigjej Kajo Babieni.

 

Qysh nga ai vit, jeta e Kaçes, u bë jeta e maleve. Malet e Gorës, dhomat e Kishave dhe Teqeve, ishin “konakët” e çiftit Babieni, sic shpreheshin fshatarët, banesat e gorarëve e mokrarëve, ishin banesat e çiftit luftëtar. Betejat, që nga Mali i Thatë e deri në  Shipckë, Llëngë, Podgozhan etj ishin edhe banesat e çiftit Babieni..”Fitorja, mund të arrihet vetëm duke u bashkuar, shprehej Kapedani Kajo Babieni, jo duke qenë të vetmuar..! Për këtë, u bashkuan çetat e Kajo Babienit dhe Mokrës në Podgozhan, në Klubin patriotik të Mokrës, në dyqanin e Jani Bitros, në katin e dytë, bazë e patriotëve. Komandantin e Cetës Kajo Babienin dhe Kaçen, bashkëshortin e tij i priti mësuesi i parë i fshatin Stefan Gegprifti dhe  Kryeplaku i fshatit Kola Silo.

 

Më 28 Korrik 1912,të dy çetat e Gorës dhe Mokrës, me më shumë se 600 luftëtarë, sulmuan Pogradecin. Në atë sulm, Kaçja, si e para luftëtare e çetave, luftoi me trimëri të rrallë dhe u dallua si luftëtare e denjë, duke fituar kështu edhe admirimin e popullit të Pogradecit. Kur forcat greke, që mbanin të rrethuar Pogradecin, panë që ai ra në duart e Kajo Babienit, bënë plane që ta asgjësonin fizikisht Kajon dhe bashkëshorten e tij, Kaçen.

 

Në vitin 1913, forca të shumta greke e rrethojnë Kajo Babienin  në fshatin e tij Babien,. Mbas gjashtë orë luftimesh, Kajo dhe Kaçe Babieni, mundën të çajnë rrethimin dhe në shenjë hakmarrje, grekët do të shkrumbonin shtëpinë e tij. “O Kajo o burrë i gjatë / Me maunxer i veshe gratë / Luftove ditë e natë.., do t’i këndonte populli.

 

Më 2 Prill 1914, Kajo Babieni, shpëton shkollën bashkë me mësuesen Sevasti Qiriazi, nga zjarri që i vunë andartët grekë. Kace Starova (Babieeni) ndahet nga jeta në vitin 1934 në moshën 76 vjeçare. Emri Kace, është emri i një luleje të bukur, lule mbeti edhe në krah të Kapedanit Kajo Babieni, lule mbeti edhe në komunikimin me patriotët e  luftëtarë e banorët e Zonës së Pogradecit, Gorës dhe Oparit. Kaçe Starova, nuk la pasardhës, por la një emër të Madh.

 

Ajo la prapa gjurmë trimërie, la “aromën” e lules më të bukur që tërheq edhe sot historianë e studiues për të përhapur më tej tek brezat e ardhshëm këtë aromë të gruas shqiptare  në luftë kundër shtypjes e shfrytëzimit, në luftë për demokraci e përparim..